Depresioni dhe varfëria marrin jetën e tre personave të tjerë në një ditë
Edhe tre persona i janë bashkëngjitur listës së gjatë të personave që i kanë dhënë fund jetës gjatë dy javëve të fundit. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit raportojnë për tre të vetëvrarë në Durrës dhe në Pukë, ngjarje këto të ndodhura dy ditë më parë. Mbrëmjen e së dielës, rreth orës 19:00, është gjetur i vdekur shtetasi Kujtim Veizllari, lindur në Korçë dhe banues në Lagjen Nr. 17 në qytetin bregdetar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se 56-vjeçari, babai i dy fëmijëve, dyshohet se i ka dhënë fund jetës si pasojë e një sëmundjeje depresive. Ai ka marrë një kabëll, të cilin e ka vënë në prizë elektrike, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Pak orë më vonë një 17-vjeçare është vetëvarur në këtë qytet. “Rreth orës 22:00, në Lagjen Nr. 2 në Durrës është gjetur nga familjarët e tij i varur në shkallët e oborrit (që çojnë në tarracën e shtëpisë) shtetasi B. T., 17 vjeç”, - thonë burimet zyrtare të policisë vendore. “Nga kryerja e gjithë veprimeve të para hetimore dyshohet se kemi të bëjmë me një vetëvarje”, - thotë zëdhënësja Ornela Cako. Ndërkohë që vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj vetëvrasje. Hetimet e para të çojnë tek një akt i ndërmarrë në kushtet e një gjendje të rëndë psikike. Ndërsa mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 23:10 ka mbërritur në gjendje të rëndë në spitalin e qytetit të Pukës shtetasja Jetmira Kola. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se 22-vjeçarja, lindur dhe banuese në fshatin Mzi të komunës Blerim, është helmuar pasi nuk ka përdorur mjete mbrojtëse ndaj pesticideve me të cilat shtetasja bënte spërkatjen e kopshtit të shtëpisë. Sipas tyre, “pasi Jetmira Kola ka marrë ndihmën e parë mjekësore, rreth orës 23.30 të po kësaj date është dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër”. Por me gjithë ndihmën e dhënë nga reparti i reanimacionit, në orën 20:15 të ditës së diel shtetasja ndërroi jetë në spital.
Prokuroria e rrethit të Pukës po heton në lidhje me këtë çështje, pasi ka dyshime për një vetëvrasje të 22-vjeçarit, ndonëse familjarët janë shprehur se kjo ka ndodhur për shkak të një fatkeqësie. Javën e kaluar, Minir Muço mbyti bashkëshorten dhe më pas i dha fund jetës në mjediset e burgut të Peqinit. Dy ditë më pas një polic vrau në sy të dhjetëra qytetarëve bashkëshorten dhe më pas i dha fund edhe jetës së tij.
Tentativa, qëllon veten me thikë në prani të fëmijëve
SARANDË - Një 48-vjeçar, baba i dy vajzave, ka tentuar vetëvrasjen me thikë dhe ka mbetur i plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi dje në mesditë në Lagjen Nr. 4 të qytetit, kur shtetasi H. C. ka tentuar vetëvrasjen në ambientet e banesës së tij, në prani edhe të fëmijëve. Sipas burimeve policore, vajzat e kanë parë dhe kanë tentuar t’i heqin thikën nga dora, por nuk kanë mundur dot, ndërkohë që ai me forcë e ka ngulur atë në pjesën e brinjëve. I plagosuri është dërguar me urgjencë në spital, e më pas si pasojë e hemorragjisë së madhe është transportuar me helikopter drejt Tiranës. Ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarjeje, apo arsyet që e detyruan 48-vjeçarin t’i jepte fund jetës.
5 Gusht 2008