Ankesë për diskriminim, përjashtohet nga gjyqtarja Xhaxho
Gjykata nuk tregon respekt për shtetasit e saj, i diskriminon ata dhe mendon se, kërkuesi z.Matt Hito është njeri pa vlerë. Për pasojë Hito mendon se, gjyqtarja Manjola Xhaxho nuk mund ti garantojë një proces të rregullt ligjor dhe nuk ka besim se, do të jetë e paanshme. Kjo është njëra nga tri arsyet që ka shtyrë gjyqtarin Gerd Hoxha, të pranojë kërkesën e shtetasit shqiptaro-amerikan z.Matt Hito për përjashtimin e gjyqtares Xhaxho nga shqyrtimi i çështjes së tij, ku ka paditur organin e akuzës për pushimin e një çështje panele. Sipas burimeve pranë togave të zeza, mësohet se Hito, prej vitesh sorollatet nëpër dyert e prokurorisë dhe Gjykatave, duke kërkuar marrjen e pronave të tij, të trashëguara nga familja. Për shkak të pengesave të ndryshme për marrjen e pronave që i takojnë, z.Hito është detyruar të bëjë disa herë kallëzim penal në prokurori, duke kërkuar që organi i akuzës ti detyrojë uzurpuesit ti lirojnë pronën.
Por, për njërin nga kallëzimet, ku z.Hito ka paditur një notere dhe disa persona të tjerë, për marrjen e pronës së tij me anë të falsifikimit, prokuroria kishte vendosur mos fillimin e çështjes. Shkak për këtë vendim, sipas akuzës, është bërë fakti që një nga firmëtarët e kësaj kontrate, që z.Hito pretendon se është e falsifikuar, nuk ndodhet në Shqipëri dhe nuk mund të kryhet ekzaminimi daktilografik e krahasues i nënshkrimeve. Por, për këtë vendim të prokurorit, z.Hito nuk ishte dakord duke ankimuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë. Me anë të shortit elektronik, është caktuar gjyqtarja Manjola Xhaxho për gjykimin e kësaj çështje. Gjyqtarja Xhaxho, sipas vendimit që Shekulli disponon një kopje, nuk ka arritur të filloi shqyrtimin gjyqësor edhe pas tri seancave gjyqësore. Duke bërë që z.Hito të kërkoj përjashtimin e saj.
Gjyqtarja që në seancën e parë është treguar e paangazhuar për mbarëvajtjen e procesit gjyqësor edhe pse, ka rënë në dijeni të fakti se, kërkuesi është i moshuar, i sëmurë dhe jeton jashtë shtetit. Gjyqtarja për dy seanca rresht nuk ka marrë mundimin të njoftojë prokurorin dhe ka filluar seancat me 20 minuta vonesë. Si dhe nisur nga sa më sipër, gjykata nuk tregon respekt për shtetasit e saj, i diskriminon ata dhe mendon se, kërkuesi është njeri pa vlerë. Për pasojë kërkuesi mendon se, gjyqtarja Manjola Xhaxho nuk mund ti garantojë një proces të rregullt ligjor dhe nuk ka besim se, do të jetë e paanshme, – thuhet në kërkesën e përjashtimit të përpiluar nga z.Hito, që u pranua nga gjyqtari Hoxha, i cili vendosi përjashtimin e gjyqtares Xhaxho nga gjykimi i kësaj çështje. Tashmë z.Hito po vazhdon gjykimin e çështjes kundër prokurorisë me gjyqtarin Altin Abdiu, i zgjedhur edhe ky me short elektronik. F.Vezaj