Anketa e bizneseve europiane, Shqipëria, vend i vështirë për të investuar
Albert Gjoka
BRUKSEL - Shqipëria mbetet vendi më i papëlqyer për të investuar nga kompanitë e BE-së. Një konstatim i tillë ka dalë nga anketat që janë bërë me sipërmarrje që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë. Korrupsioni dhe një kuadër ligjor jo i besueshëm janë faktorët që pengojnë zhvillimin ekonomik jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë Ballkanit Perëndimor. Këto elemente janë vënë në dukje në një raport të përgatitur nga Shoqata Europiane e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë (Eurochambers) në bashkëpunim me Partnerët për Promovimin e Investimeve, i cili është publikuar më 13 nëntor. "Mbi të gjitha, dy faktorë pengojnë krijimin e një mjedisi të shëndetshëm për investimet e huaja në rajonin e Ballkanit Perëndimor. I pari ka të bëjë me praktikat ekzistuese të korrupsionit dhe i dyti me pasigurinë apo paparashikueshmërinë e kuadrit ligjor dhe rregullator”, - vëren raporti 40-faqesh, i bashkëfinancuar nga Komisioni Europian.
Shqipëria
Për përgatitjen e këtij anketimi janë marrë në pyetje shumë kompani europiane që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendet e Ballkanit. Në rreth 500 biznese të pyetura se ku do të dëshironin të investonin në rajon, vetëm 25 prej tyre kanë përcaktuar Shqipërinë. Preferencat më të mëdha janë për Serbinë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Ndërsa në lidhje me lehtësirat fiskale dhe aplikimin e tyre në mënyrë transparente, vetëm 15% e bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë janë shprehur të kënaqura, ndërsa 74 për qind kanë dhënë vlerësime jopozitive. Ndër problemet e renditura prej tyre si më shqetësuese në aktivitetin e një biznesi janë ndryshimet e shpeshta ligjore, e drejtat e përdorimit të tokës, korrupsioni, çështjet e konkurrencës etj.
Problemet
"Pavarësisht vlerësimit pozitiv të klimës së përgjithshme për investimet e huaja në rajon, mbeten mangësitë domethënëse mes gjendjes aktuale dhe potenciale për investime", - thekson dokumenti. Sipas një studimi të kryer nga autorët e raportit, 52% e sipërmarrësve të Ballkanit Perëndimor janë të pakënaqur me kuadrin ligjor ekzistues në vendet ku punojnë, duke pretenduar se ai nuk ka provuar një mekanizëm të besueshëm për zgjidhjen e konteksteve midis bizneseve dhe autoriteteve publike. Investitorët në rajon janë gjithashtu skeptikë në lidhje me aftësitë në dispozicion të tregut të punës dhe ata ankohen për mungesën e konsultimit me sektorin privat në procesin e reformës arsimore.
Megjithatë, problemi kryesor për investime në rajon mbetet korrupsioni. 54% e ndërmarrjeve të BE-së e shohin këtë si pengesë kryesore të konkurrencës. Sipas Dirk Vantyghem, drejtor i çështjeve ndërkombëtare në Eurochambres, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor "duhet të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre me qëllim për të luftuar mungesën e transparencës dhe pasigurisë në një kontekst ligjor dhe rregullativ. Nga ky veprim do të përfitonin ekonomitë në të dyja blloqet". Vantyghem gjithashtu theksoi se vendet që kanë bërë përpjekje më të mëdha janë ato ku reformat ishin më emergjente, si Shqipëria dhe Mal i Zi, "të cilat, në të njëjtën kohë, janë vendet që kanë sfidat më të gjata për të realizuar". Raporti përfundon duke theksuar shqetësimet rreth "njohurive të kufizuara në lidhje me mundësitë e biznesit dhe investimeve që ekzistojnë në Ballkanin Perëndimor" nga ana e BE-së. "Ky rezultat, qartësisht bën thirrje për një strategji komunikimi të përforcuar në pjesën e aktorëve relevantë në lidhje me të gjithë faktorët që gjykohet se ndikojnë në tërheqjen dhe mbajtjen e investimeve të huaja direkte në rajon".
ANKETA
A janë të kënaqura kompanitë për sigurimin e strukturave ligjore ekzistuese, si mjete për zgjidhjen e konflikteve midis bizneseve të tyre dhe autoriteteve publike në mënyrë të ndershme dhe eficiente?
41% Po
52% Jo
7% Abstenim
A janë të kënaqura kompanitë me shërbimet e ofruara nga Agjencia e Promovimit të Eksporteve?
42% - Jo
39% Po
19% Abstenim
A konsultohen Dhomat në përgatitjen e Strategjive Kombëtare të Trajnimit dhe të Edukimit?
44% - Jo
25% - Po
31% Abstenim
A ka kompania që kanë marrë lehtësira nga qeveria për të ofruar trajnime dhe edukim në lidhje me punën?
75% - Jo
17% - Po
8% - Abstenim
Në kompanitë e intervistuara, a nxiten konsultimet mes komunitetit të biznesit dhe të zgjedhurve në parlament për draftet ligjore?
65% - Jo
24% - Po
11% - Abstenim
A kanë mundësi kompanitë që kanë nevojë për të pasur akses në marrjen e kredive në banka?
34% - Jo
55% - Po
11% - Abstenim
A e ndiejnë kompanitë se garantohen lehtësira fiskale dhe menaxhohen në mënyrë të ndershme, transparente dhe eficiente (Shqipëria)?
15% - Po
74% - Jo
1% - Abstenim
Në cilat vende të Ballkanit Perëndimor do të dëshironi që kompania juaj të ushtronte aktivitet
Maqedoni – 70 të anketuar
Mali i Zi – 75 të anketuar
Serbi – 120 të anketuar
Bosnje – 74 të anketuar
Kroaci – 110 të anketuar
Shqipëri – 25 të anketuar
VLERËSIMI I PENGESAVE
Telekomunikacioni 15%
Transporti 20%
Energjia 20%
Përdorimi i tokës 13%
Rregullat e Punës 2%
Legjislacioni doganor dhe Tregtar 12%
Aftësitë e punonjësve 12%
Krimi, kaosi 17%
Licencat dhe lejet 16%
Zgjidhja e konflikteve 18%
(Sistemi ligjor)
Antikonkurrenca 27%
Aksesi në financime 18%
Administrimi i taksave 20%
Korrupsioni 33%
Kostot e financimit 15%
Politikat rregullatore dhe ekonomike të pasigurta 20%
Niveli i taksave 10%
Stabiliteti makroekonomik 15%
A mendoni se mjedisi makroekonomik në Ballkan po ecën drejt stabilizimit të mëtejshëm krahasuar me vitet e kaluara?
86% - Po
14% - Jo
IFC dhe Ministria e Ekonomisë, konferencë rajonale për biznesin
Dje nisi në Tiranë konferenca dyditore rajonale për reformat e biznesit në Europën Juglindore, e cila organizohet nga IFC dhe Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës.
Ky aktivitet bashkon politikëbërësit kryesorë, përfaqësuesit e sektorit privat dhe akademikët nga i gjithë rajoni, për të diskutuar përparimin dhe sfidat e reformave që lidhen me të. Këto çështje do të shtrohen edhe në aspektin e zhvillimeve të sotme, në kuadër të krizës ekonomike dhe financiare që po kalon aktualisht e gjithë bota.
Sot pritet të flasë edhe ministri i Ekonomisë, zoti Dritan Prifti, në lidhje me reformat që ka ndërmarrë Shqipëria për të përmirësuar klimën e biznesit në vendin tonë.
18 Nentor 2009