E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: Statusi i vendit kandidat në BE do të përcaktohet në bazë të reformave



Eljona Ballhysa
Prezenca e Komisionit Europian në Tiranë ka komentuar dje vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së për pranimin e kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. Ambasadori i kësaj prezence, Helmut Lohan, shprehet në këtë deklaratë se për të fituar statusin e vendit kandidat Shqipërisë i duhet ende shumë punë për të bërë në drejtim të realizimit të një sërë reformash të rëndësishme. Lohan e thekson të domosdoshme vendosjen e shtetit ligjor, vazhdimin e luftës kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve të pavarura, si dhe rritjen e kapaciteteve administrative. Sipas ambasadorit të Komisionit Europian në Tiranë, marrja e statusit të vendit kandidat në BE do të varet pikërisht nga ecuria e këtyre reformave. Ndërkaq, dy kampet e politikës në Tiranë kanë komentuar sipas mënyrës së tyre, në këndvështrime të ndryshme, vendimi e marrë një natë më parë nga ministrat e Jashtëm të BE-së në Bruksel.
Deklarata e ambasadorit Lohan
“Vendi duhet të ecë përpara, në veçanti përsa i përket vendosjes së shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit, si dhe funksionimit siç duhet të institucioneve shtetërore, veçanërisht pavarësinë e Gjyqësorit. Kapacitetet administrative dhe zbatuese duhet të forcohen më tej”, - është shprehur Lohan. Në deklaratë shkruhet më tej se “Këshilli i Bashkimit Europian vendosi të pranojë aplikimin e Shqipërisë për në Bashkimin Europian dhe ftoi Komisionin Europian të japë një opinion mbi aplikimin. Konkluzioni i miratuar nga Këshilli i Bashkimit Europian risolli në vëmendje konsensusin e rikonfirmuar për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian siç dhe u shpreh në konkluzionet e Këshillit Europian më 2006-n. Në të nënvizohet edhe njëherë se përparimi i secilit vend drejt Bashkimit Europian varet nga përpjekjet individuale për të plotësuar kriterin e Kopenhagës dhe kushtet e procesit të Stabilizim-Asociimit. Shqipëria e paraqiti aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian më 28 prill 2009. Komisioni Europian mirëpriti vendimin e Këshillit të Bashkimit Europian dhe nuk do t’i fillojë menjëherë procedurat për përgatitjen e opinionit. Ky proces do të bëhet në bazë të përgjigjeve që qeveria shqiptare do t'i japë një pyetësori prej më shumë se 2000 pyetjesh mbi aftësinë e vendit aplikues për të përmbushur kriteret e anëtarësimit të Kopenhagës. Në bazë të rekomandimit të Komisionit Europian, Këshilli i Bashkimit Europian do të vendosë nëse do t'i japë apo jo statusin e kandidatit vendit aplikues”, - shkruhet në deklaratën e ambasadorit Lohan.
Komentet
Ndërsa maxhoranca dhe qeveria e kanë cilësuar vendimin e BE-së një arritje të madhe që ka ardhur për shkak të reformave të ndërmarra nga qeveria, si dhe për shkak të zgjedhjeve të lira dhe demokratike të 28 qershorit, opozita e ka cilësuar këtë një vendim të vonuar për Shqipërinë. Në kulmin e protestave antiqeveritare, kryesocialisti Edi Rama thotë se Europa është treguar shumë bujare me Shqipërinë kur ka pranuar aplikimin e Shqipërisë për statusin kandidat në Bashkimin Europian. “Është një lajm i mirë, megjithëse i vonuar”, - është shprehur Rama.

Topalli: “Vendimi i BE-së vërteton plotësimin e standardeve në zgjedhje”

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, përshëndeti vendimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian për të pranuar kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Sipas saj, ky vendim ishte pasojë edhe e standardeve që u arritën në zgjedhjet e 28 qershorit. “Ky miratim nga Këshilli i Ministrave i kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat do të thotë që Shqipëria është përgëzuar, është vlerësuar, në mënyrë të veçante për zgjedhjet e 28 qershorit, si zgjedhje të cilat plotësuan kërkesat thelbësore të OSBE-së. Ky është lajmi më i mirë që unë kam marrë, është një ngjarje historike, një ditë e madhe si për socialistët, ashtu dhe për demokratët”, - është shprehur Topalli. Duke evidentuar rolin që ka Parlamenti për të çuar më tej këtë proces, Topalli ftoi opozitën të thyejë bojkotin parlamentar. “Në Parlament ne kemi arritur kompromise të jashtëzakonshme. Unë besoj se në Parlament do të bëjmë shumë punë të rëndësishme, por në mënyrë të veçante Parlamenti duhet të përcjellë kontratën që secili deputet, i majtë apo i djathtë, ka me qytetarët e tij”, - është shprehur Topalli.

Patozi i bën thirrje opozitës të ndërpresë bojkotin

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i bëri thirrje dje opozitës që të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend për hir të procese integruese të Shqipërisë. “Ndaj ne sot e ftojmë opozitën që të bashkëpunojmë sërish në Parlament dhe kudo tjetër, duke garantuar sërish se do të trajtojmë me seriozitetin maksimal çdo kërkesë ligjore të saj. Të kryejmë detyrimet tona në të mirë të vendit dhe të ndajmë meritën dhe përgjegjësitë për çdo stad të rrugëtimit tonë drejt Brukselit. Procesi i integrimit të vendit, si vullnet politik i shumicës dërrmuese të shqiptarëve, është vërtet i pakthyeshëm, por askujt nuk i falet përgjegjësia, qoftë edhe për ngadalësimin disaditor apo disaminutësh të tij”, - është shprehur Patozi, i cili përshëndeti vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së. “Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dëshiroj të përshëndes vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, që pranoi me unanimitet kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit. Duke e konsideruar atë si një nga momentet më të rëndësishme të procesit jetik dhe të pandalshëm të integrimit të vendit, gjejmë rastin të vlerësojmë se ky vendim shënon një rekord të ri pozitiv dhe një arritje të re impresionuese në kalendarin e sukseseve politike të kësaj maxhorance”, - është shprehur Patozi.

Meta: “Vendimi i BE-së shënon një etapë të re për Shqipërinë”

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, e ka cilësuar vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së historik për të ardhmen europiane të vendit tonë. Ai u shpreh dje për mediat se ky vendim shënon një etapë të re për Shqipërinë. “Do ta konsideroja historik vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së për t’i hapur rrugë aplikimit të Shqipërisë, pasi kjo shënon një fazë të re, shënon një etapë të re në rrugën e vendit tonë për t’u anëtarësuar në BE dhe ashtu sikurse pritet, ky veprim është një inkurajim konkret për reformat e ndërmarra nga vendi ynë, për reformat dhe angazhimet e ndërmarra edhe nga qeveria jonë. Pa asnjë diskutim, është edhe një moment kur bëhet një ftesë për gjithëpërfshirje të të gjithë aktorëve në këtë proces që është i një rëndësie kombëtare, për këtë proces ku Parlamenti ka një rol shumë të rëndësishëm, ku opozita ka një rol të pazëvendësueshëm, ku shoqëria civile është e mirëpritur dhe ne do të bashkëpunojmë në mënyrë më të hapur dhe gjithëpërfshirëse me të për të ushtruar të gjitha kapacitetet e saj në kontributin për të përshpejtuar këtë proces”, - është shprehur ministri i Jashtëm, Meta.

Bregu: “Brenda një viti marrim statusin e vendit kandidat”

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë raportimit në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Integrimit, u shpreh se statusi i vendit kandidat do të merret brenda një viti. “Ajo që ka rëndësi është cilësia e procesit, pasi në fund të fundit, të meritosh anëtarësimin në BE do të thotë konsolidim i demokracisë në vend dhe shtetit të së drejtës. Qëllimi ynë kryesor është të mos lëmë asnjë ditë bosh për të bërë të mundur marrjen sa më shpejt të statusit të vendit kandidat”, - është shprehur Bregu. Përsa i përket radhës së procedurave teknike, ministrja sqaroi se Komisionit i duhet rreth 1 muaj kohë të përpilojë pyetjet, pra pyetësori do të mbërrijë brenda muajit dhjetor, ndërkohë që administrate shqiptare do të nisë menjëherë punën për përgjigjet. “Pas dorëzimit të përgjigjeve nga qeveria jonë, Komisioni do të vlerësojë informacionin e dhënë. Ky vlerësim pritet të bëhet brenda vitit që vjen”, - është shprehur bregu, ndërsa i bëri thirrje sërish opozitës të hyjë në Kuvend. “Unë nuk besoj që qytetarët shqiptarë që kanë votuar Edi Ramën, e kanë votuar që ai të dalë të flasë për një rrugë të vjetër, dhe jo për atë të sigurtën dhe pa kthim prapa, drejt Bashkimit Europian. Shpresoj që kjo të kuptohet nga eksponentët brenda PS-së që arrijnë të logjikojnë se përmbushja e reformave ka nevojë për pjesëmarrjen e opozitës”, - është shprehur ministrja e Integrimit.

18 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›