E Diel, 1 Nëntor 2026

Trojka e BE-së në Tiranë: Indeksi i korrupsionit, lajm i keq për Shqipërinë



TIRANË - Publikimi i raportit të TIA-s, i cili e rendit Shqipërinë 10 vende në poshtë se vitin e kaluar, është konsideruar një lajm i keq për Shqipërinë. Ambasadorët e Trojkës së BE-së në Tiranë, pasi u njohën me Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2009, të publikuar nga “Transparency International”, lëshuan dje një deklaratë, duke thënë njëzëri se ky “është një lajm i keq”. Ata shprehen unanimisht që kjo renditje duhet ta inkurajojë vendin të implementojë masa urgjente. “Rënia në rang ndërkombëtar e Shqipërisë është lajm i keq. Ne shpresojmë se kjo renditje do të inkurajojë fuqishëm Shqipërinë për të implementuar në mënyrë urgjente masa për ndryshimin e kësaj tendence dhe për të treguar rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet. Kjo do të jetë thelbësore për të çuar para integrimin e Shqipërisë në BE dhe për përmirësimin e mjedisit të biznesit për të tërhequr më shumë investime ndërkombëtare të nevojshme”, - thuhet në reagimin e Trojkës së BE-së, e cila përsëriti gatishmërinë e qeverive të tyre për të vijuar mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Deklarata është firmosur nga ambasadori i Suedisë, vend i cili mban presidencën e radhës së BE-së, nga ambasadori i Danimarkës, ai i Francës, i Gjermanisë, Holandës dhe Britanisë.

18 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›