E Diel, 1 Nëntor 2026

Anketimi, Shqipëria me një armatë gjigante të papunësh, që shtohet

Niveli i papunësisë për moshat nga 15-64 vjeç, 56.4%. INSTAT-i raporton për mbi 200 mijë të papunë për 2007-n

Ervin Koçi

Niveli i papunësisë në vendin tonë duket se në vitet e fundit ka kapur shifra alarmante, gjë që paraqitet edhe në raportet zyrtare të qeverisë. Këtë situatë e ka konfirmuar dje edhe Instituti i Statistikave, i cili edhe pse u referohej shifrave të deri dy viteve më parë, nuk ka mundur dot që të mohojë faktin e papunësisë së lartë. Kështu, sipas anketimit më të fundit të bërë nga INSTAT-i dhe të publikuar dje, për personat nga mosha 15-64 vjeç që janë dhe krahu aktiv i punës në vend, niveli i papunësisë është 56.4 për qind. E thënë ndryshe, aktualisht në vend ka mbi 185 mijë të papunë, kjo gjithmonë sipas referimeve të INSTAT-it, të bëra në bazë të përllogaritjes së përkufizimit zyrtar të papunësisë. Por nga përllogaritjet që ka dhënë INSTAT-i, në të dhënat zyrtare regjistrohen si të papunë vetëm ata që janë të regjistruar aktualisht si të tillë në zyrat e punës. Nga vetë drejtuesit e INSTAT-it, që kanë paraqitur dje të dhënat zyrtare të raportit, është pranuar se numri i të papunëve mund të jetë më i madh, pasi shumë prej këtyre individëve janë të dekurajuar për t’iu drejtuar zyrave të punësimit. Për rrjedhojë, këta nuk janë të punësuar dhe as figurojnë si të papunë përderisa nuk janë të regjistruar në listat e të papunëve.

Anketimi

Në shkallë vendi rezultojnë rreth 185 mijë të papunë, ose 13.5 për qind e gjithë popullsisë. Ky është përfundimi i anketimit të zhvilluar nga Instituti i Statistikave për forcat e punës në vendin tonë. Drejtuesit e INSTAT-it kanë shpjeguar se për herë të parë ky anketim është zhvilluar sipas standardeve të kërkuara nga Instituti Europian i Statistikave, “Eurostat”. Anketa nuk ka sjellë ndonjë gjë të re përsa u përket statistikave të punësimit në vendin tonë. Kjo pasi të dhënat për nivelin e papunësisë apo sektorët me numrin më të madh të të punësuarve kanë qenë pak a shumë të njëjta me ato që janë publikuar edhe më parë nga Instituti i Statistikave. Gjithsesi, sipas anketës, niveli i punësimit për moshat nga 15 deri në 64 vjeç arrin në 56.4 për qind. Pjesa më e madhe janë të punësuar në sektorin privat bujqësor me 47 për qind, pasuar nga sektori privat jo bujqësor me 38 për qind dhe sektori shtetëror me 15 për qind.

Tregu i punës

Ndërtimi i të dhënave statistikore mbi tregun dhe forcat e punës në të gjithë territorin e Shqipërisë, sipas standardeve ndërkombëtare, ishte objektivi kryesor i anketës "Vrojtimit të Forcave të Punës", që realizoi për herë të parë INSTAT-i, në qershor të vitit të kaluar, me mbështetjen e qeverisë shqiptare. Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT-it, Ines Nurja, në prezantimin e rezultateve të këtij vrojtimi, u shpreh se, "kjo eksperiencë e nevojshme mbi të dhënat e punësimit dhe papunësisë në vend, sipas standardeve që kërkon Eurostat-i, do të zhvillohet për tre vite radhazi, me qëllim ndërtimin e një panorame sa më të qartë mbi forcat e punës dhe dinamikën e saj në Shqipëri". Sipas saj, deri tani informacioni mbi punësimin, papunësinë dhe popullsinë inaktive në Shqipëri bazohet kryesisht në deklarimet e ndërmarrjeve dhe testimeve nga burime alternative si Zyra e Punës, Regjistrimi i Popullsisë etj., por këta tregues janë relativisht të plota vetëm për sektorin publik, pasi nuk mund të thuhet e njëjta gjë për sektorin privat bujqësor dhe jobujqësor.
"Burimet e mësipërme nuk mund të sigurojnë informacion real mbi shkallën e kërkimit aktiv të punës, mënyrat e kërkimit dhe shkallën e inaktivitetit në tregun e punës, të cilat kushtëzojnë direkt hartimin e politikave të duhura mbi punësimin dhe trajnimin e të papunëve", - tha drejtoresha e INSTAT-it. Duke u ndalur në vrojtimin statistikor pranë familjes mbi forcat e punës, drejtoresha e INSTAT-it, tha se, jo vetëm që është burimi që siguron eliminimin e mangësive të përmendura, por njëkohësisht ai ndihmon llogaritë kombëtare në përmirësimin e vlerave të ekonomisë informale si pjesë e ekonomisë së pavrojtuar, e cila bazohet në vlerësimin e të dhënave të punësimit për burimet e ofertës dhe kërkesës.

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›