E Diel, 1 Nëntor 2026

Sali Shehu: “Të sanksionohet në ligj që të zgjidhet president dhe kryeministër grua”



Deputeti i Partisë Demokratike, Sali Shehu, ka propozuar dje që të sanksionohet në ligj mundësia e zgjedhjes së femrave në postin e kryeministrit dhe të presidentit. Ky propozim i tij është bërë gjatë diskutimit të projektligjit për mosdiskriminimin e gruas në shoqëri dhe krijimin e shanseve të barabarta. Projektligji në fjalë është diskutuar dje nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve, ku e pranishme ka qenë dhe zëvendësministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Marieta Zaçe. Deputeti i Partisë Demokratike, Sali Shehu, u shpreh në komision se në kuadër të vendosjes së shanseve të barabarta midis meshkujve dhe femrave, duhet të vendoset në ligj dhe një nen që parashikon zgjedhjen e grave në postin e presidentit dhe të kryeministrit. Propozimi i Shehut u prit me hilaritet në sallë, ndërkohë që ai theksoi se këtë propozim e kishte të menduar mirë dhe se do t’ia paraqesë me shkrim dhe kryetares së Kuvendit. Përsa i përket projektit të Ministrisë së Punëve Sociale, në parim palët janë shprehur pro miratimit të ligjit, ndërkohë që kanë shfaqur objeksione për normën prej 30% të parashikuar në ligj për përfshirjen e grave në politikë. Kështu, deputetët e PS-së kanë vënë në dukje se vendosja e detyrueshme e kësaj norme prej 30% në përpjekje për të sjellë barazi gjinore, sjell diskriminim. Ndërkohë që zëvendësministrja Zaçe ka shpjeguar se kjo normë është e vendosur dhe në vende të tjera europiane. Ajo arsyetoi se Shqipëria ka shumë kapacitete femra. Sipas saj, shumica e popullsisë në Shqipëri janë të seksit femër, po kështu dhe më të arsimuarat janë femrat, ndërkohë që në administratën publike 60% e punonjësve janë femra. Sipas saj, norma prej 30% është për përfshirjen e grave në politikë, në listat për kandidate për deputete dhe për pushtetin vendor. Norma prej 30% sipas saj është për partitë e mëdha, ndërsa për të voglat, që nuk kapin pragun prej 10%, është 20%. Zaçe bëri të ditur se aplikimi i kësaj norme bëhet më i lehtë me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Deputeti i PS-së, Bashkim Fino, vuri në dukje se PS-ja e ka të sanksionuar në statut dhe të zbatueshëm normën prej 30% të përfshirjes së grave në politikë.
E. Ballhysa

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›