E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edukimi ekonomiko-financiar, përfundon projekti i BSH-së



Në punën e Bankës së Shqipërisë, vitet e fundit, ka zënë gjithmonë e më shumë vend përpjekja për krijimin e një kulture të re ekonomiko-financiare në publikun shqiptar. Me këtë qëllim u ideua programi “Banka Qendrore në jetën e përditshme”, i cili përveç masave dhe veprimeve konkrete për të arritur objektivat edukativë, përcaktoi edhe grupet e interesit në të cilët do të fokusohet puna edukuese e programit. BSH-ja përzgjodhi ato grupe, të cilat për nga natyra e formimit të tyre funksionojnë si përçues të ideve dhe kulturës, ose si ndërmjetës për pjesën tjetër të shoqërisë. Grupet e para të prekura nga programi kanë qenë ato të gazetarëve ekonomikë të medias së shkruar dhe asaj vizuale, mësuesit e ekonomisë së shkollave të mesme, nxënësit dhe studentët dhe së fundi janë përzgjedhur edhe punonjësit socialë. Siç paraqitet edhe në literaturën bashkëkohore të fushës, grupi i punonjësve socialë, për nga profesioni që kryen ka kontakte relativisht të shpeshta me përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore. Për këtë ai mund të formojë një urë lidhëse komunikimi me një pjesë relativisht të madhe të shoqërisë tonë. Ndaj, BSH-ja organizoi një seminar trajnues në fushën ekonomiko-financiare, i cili kishte për qëllim t’i ndihmonte ata të kuptonin dinamikat e funksionimit të ekonomisë së tregut dhe rolin e bankës qendrore në të. Ky aktivitet i ndjekur nga rreth 60 punonjës socialë, u zhvillua për disa të hëna rresht dhe u finalizua dje, më datë 16 qershor me ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit.

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›