E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumica rrëzon Presidentin Topi dhe pese dekretet e tij

Kuvendi voton kundër pese prej kandidaturave për anëtarët e Gjykatës së Lartë.

Shaban Sulçe

Maxhoranca rrëzon në Parlament presidentin Bamir Topi, që vetëm një vit më parë u zgjodh prej saj vetë. Kryeministri Berisha është hakmarrë ndaj Topit për nxjerrjen në mënyrë të pavarur të dekreteve për emërimet e 5 anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Kjo hakmarrje është reflektuar gjatë votimit të djeshëm në Parlament, ku 5 prej dekreteve të presidentit nuk janë miratuar nga ana e shumicës parlamentare. Megjithatë brenda një dite të vetme kryeministri Berisha ka arritur dy fitore ndaj tij. E para duke e detyruar Topin që të shkarkojë nga detyra shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, dhe nga ana tjetër duke i rrëzuar në Kuvend dekretet për kandidaturat e emëruara prej tij për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Një leksion force, i hidhur për Topin.

Rezultati

Katër prej 5 kandidaturave të përzgjedhura nga presidenti Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë nuk ka mundur që të kapërcejë barrierën e vendosur nga kryeministri Berisha dhe maxhoranca aktuale. Fati i tyre ka qenë i njëjtë: të gjithë janë rrëzuar me shumicë votash dhe nuk kanë mundur të marrin më shumë se 56 vota.
Kështu kandidatura e parë që është rrëzuar ka qenë ajo e Altina Xhoxhajt, për të cilën ka pasur 56 vota pro, 73 kundër dhe 1 abstenim. Pothuajse me të njëjtin rezultat është rrëzuar edhe kandidatura e Arjan Zenelit, për të cilin ka pasur 56 vota pro, 71 vota kundër, 2 abstenime dhe 1 e pavlefshme. Për Kristaq Trajën rezultati ka qenë më negativ: përkatësisht 76 vota kundër dhe vetëm 52 vota pro. Votat kundër kanë qenë edhe më shumë për kandidaturën e Mehdi Bicit, kundër të cilit kanë qenë plot 86 vota dhe vetëm 40 vota pro. Kandidatura e Zamir Podes, ka marre 66 vota kunder. Nderkohe qe Arian Madhi, beri gafe ne numerim, dhe e nxori fitues.

Votimi
Ashtu si dhe në rastin e votimit për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, edhe dekretet e presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë janë votuar me votim të fshehtë. Është votuar me 5 fleta votimi, ku secila përmbante emrin përkatës të kandidatëve për të qenë anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në qendër të sallës së Parlamentit janë vendosur edhe 5 kutitë e votimit, të cilat përmbanin emrin e secilit prej kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Grupi i PD-së
Para seancës është mbledhur Grupi Parlamentar i PD-së, i cili mori vendimin për rrëzimin e të pesë dekreteve për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga Presidenti i Republikës. Burime nga grupi bënë të ditur për gazetën se kryeministri Berisha është shprehur në këtë mbledhje se dekretet do të rrëzohen për t’i dhënë një mesazh presidentit Topi, i cili nuk u konsultua me maxhorancën paraprakisht. “Do t’i votojmë kundër dekretet për t’i dhënë një mesazh Presidentit të Republikës, i cili nuk i diskutoi kandidaturat paraprakisht me maxhorancën dhe me Kuvendin në tërësi”, - mësohet të jetë shprehur Berisha.

Opozita
Partitë e opozitës i lanë mënjanë mëritë mes tyre dhe dolën në krah të presidentit Topi, pas konfliktit të shpërthyer midis tij dhe maxhorancës për dekretet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim denoncuan situatën bllokuese nga ana e maxhorancës për Gjykatën e Lartë, dhe akuzuan kryeministrin Berisha se po tentonte që të pushtonte edhe një tjetër institucion të rëndësishëm të sistemit gjyqësor në Shqipëri. PS dhe LSI shprehën gjatë javës së kaluar qëndrimin e tyre për të mbështetur presidentin Topi për dekretet e tij për anëtarët e Gjykatës së Lartë, duke deklaruar paraprakisht se do të votonin pro tyre. Megjithatë kjo betejë u humb dje nga opozita, duke qenë se nuk pati asnjë surprizë nga ana e deputetëve të maxhorancës, të cilët votuan duke iu bindur kryeministrit Sali Berisha.

Rezultatet

Kandidatura: Altina Xhoxhaj
Pro: 56 vota
Kundër: 73 vota
Abstenim: 1 vota
Përfundimi: Rrëzohet

Kandidatura: Arjan Zeneli
Pro: 56 vota
Kundër: 71 vota
Abstenim: 2 vota
E Pavlefshme: 1 votë
Përfundimi: Rrëzohet

Kandidatura: Kristaq Traja
Pro: 52
Kundër: 76
Abstenim: 1
Pavlefshme: 1
Përfundimi: Rrëzohet

Kandidatura: Mehdi Bici
Pro: 40
Kundër; 86
Abstenim 4
Përfundimi: Rrëzohet

Kandidatura: Zamir Poda
Pro: 62
Kundër: 66
Përfundimi: Rrëzohet

Meta: Berisha mashtroi me legalizimet

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi pasditen e djeshme një takim me banorët e zonës së ish-Kënetës në Durrës. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Meta u ndal në një nga çështjet më të rëndësishme për banorët e kësaj zone sikurse është ai i legalizimeve. Ai tha se shpërndarja e tapive të pronësisë në javën e fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore, ishte vetëm një demagogji nga ana e Qeverisë. “Sepse nuk besoj, se ka ndonjë banor këtu në zonën e ish-Kënetës, që ka marrë dokumentin e legalizimit të shtëpisë”, tha kreu I LSI-së, I cili akuzoi kryeministrin Berisha se nuk mbajti premtimet që bëri për çështjen e legalizimeve. “Ju të gjithë e dini shumë mire, që Berisha kur u bë ligji në 2006-ën premtoi se brenda 6 muajve do të shpërndante dokumentet e reja të pronësisë bazuar në këtë ligj për legalizimet, sepse shumë prej jush me të drejtë keni këtë problem madhor të legalizimeve dhe i gjithë ky proces u shndërrua në plotësime formularësh që kanë përfunduar në zyrat e ALUIZNI-t, por që nuk janë kthyer në tituj pronësie për të gjitha ata që kanë shpresuar”, - u shpreh Meta.

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›