E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankimimet, Kolegji Zgjedhor nis nesër shqyrtimin e ankesave

Autori i Lajmit: red.
Kolegji Zgjedhor do të nisë nesër të shqyrtojë ankesat e partive politike lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit. E para në listën e ankimimeve është ankesa e Partisë Demokratike dhe Partisë për Drejtësi dhe Integrim lidhur me qarkun e Fierit. Po për këtë qark ka kërkesë ankimore edhe nga Partia Socialiste. PD ka bërë ankimime për Fierin, ndërkohë që socialistët kanë ankimuar edhe Beratin Tiranën e Shkodrën. Ankesat e mbërritura tashmë në zyrat e Kolegjit Zgjedhor presin ditën e shqyrtimit. Sipas Kodit Zgjedhor, vendimet e Kolegjit janë të formës së prerë. Kolegji përbëhet nga 8 gjyqtarë të gjykatave të Apelit të zgjedhur me short, të cilët betohen para Presidentit. Ata e ushtrojnë detyrën e tyre deri në përfundim të legjislaturës së ardhshme.
Ankimimet
Seanca e parë e Kolegjit Zgjedhor do të nisë nesër paradite në orën 10. Në njërin prej ankimimeve të tyre, demokratët kërkojnë që KQZ të shpallë të pavlefshme zgjedhjet në tre qendra votimi të Fierit ku nuk u votua fare me 28 qershor. Ankimimi tjetër i demokratëve kundërshton vendimin e KQZ-së për shpalljen e rezultatit të përgjithshëm për Fierin. Kërkesë të njëjtë ka bërë edhe partia e çamëve, për Demokraci dhe Integrim. Kërkesat e PD-së dhe PDI-së që kundërshtojnë rezultatin e Fierit, janë bashkuar. Relator ka qenë gjyqtarja Entela Prifti dhe pritet që ky proces të fillojë të martën më datë 21 korrik, në orën 10 paradite. Rezultati i shpallur nga KQZ i dha Partisë Socialiste mandatin e 9 në Fier. Ky mandat u prodhua kur diferencës së votave iu shtuan 147 vota më shumë në favor të Partisë Socialiste. Por sipas selisë rozë, e cila priste një diferencë më të thellë, kjo erdhi prej numërimit të kutisë 3052 të Ruzhdies. Aty votimi më 28 qershor ishte bërë pa praninë e komisionerëve socialiste. Partia Socialiste e kishte kundërshtuar fort në KQZ përfshirjen e kësaj kutie në numërim. Për rrjedhojë, PS ka depozituar edhe ajo një ankimim në Kolegj, kundër përfshirjes se kutisë së Ruzhdies në rezultatin përfundimtar të Fierit. Relatore për kërkesën e Partisë Socialiste ka qenë gjyqtarja Dhurata Haveri, që është njëkohësisht anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Socialistët kanë ankimuar edhe Beratin dhe një kërkesë e ngjashme pritej të depozitohej edhe nga G99. Në çdo rast, data për shqyrtimin e ankesës së Partisë Socialiste për Beratin është fiksuar për të mërkurën 22 korrik, në orën 10 paradite. Edhe këtu, relatore ka qenë gjyqtarja Haveri. Socialistët kanë dorëzuar tashmë animimin edhe për Tiranën. Kërkesa për Tiranën ka në thelb të saj disa nënpika, ku së pari parashtrohen një sërë argumentesh, të cilat, sipas socialistëve, bënë të pamundur zhvillimin e një procesi të rregullt votimi dhe më pas numërimi. Nisur pikërisht nga këto parregullsi të pretenduara, PS-ja bënë të ditur në kërkesën e saj se rezultati i zgjedhjeve, i pasqyruar në tabelën përmbledhëse për qarkun e Tiranës, nuk është real dhe nuk reflekton vullnetin e zgjedhësve të kësaj zone. Për rrjedhojë, PS-ja kërkon nga Kolegji Zgjedhor që të shpallë së pari të pavlefshëm vendimin e KQZ-së për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për këtë qark dhe së dyti të shpallë të pavlefshme vendimin e këtij institucioni për rrëzimin e kërkesës së socialistëve, për rinumërim dhe rivlerësim të votave në 6 ZAZ-të, 55, 56, 57, 58, 59 dhe 60 në këtë qark. Pjesë e këtij ankimimi është dhe një kërkesë e veçantë me të cilën PS-ja godet vendimin e KQZ-së, për të rrëzuar kërkesën ligjore të dy anëtarëve të këtij komisioni (Subashit dhe Lazajt) për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në këto 6 KZAZ. Të dyja forcat e mëdha, PS dhe PD, kanë dorëzuar dhe kërkesat ankimore për qarkun e Shkodrës, ku PD-ja kërkon të shpallë të vlefshme numrin e votave të dala nga numërimi i kutisë së votimit me numër 0342, ndërsa PS-ja kërkon rinumërim dhe rivlerësim të votave për 4 KZAZ-të e këtij qarku. Një kërkesë tjetër për këtë qark kanë depozituar edhe demokristianët që kërkojnë pavlefshmërinë e procesit zgjedhor për të gjithë këtë zonë. Një kërkesë ka mbërritur në kolegj edhe nga Partia Konservatore, e cila ka ankimuar rezultatin e dalë në qarkun e Durrësit.

Ankimimet për Fierin
PD kërkon që KQZ të shpallë të pavlefshme zgjedhjet në tre qendra dhe kundërshton vendimin e KQZ-së për shpalljen e rezultatit të përgjithshëm
PDI kërkon që KQZ të shpallë të pavlefshme zgjedhjet në tre qendra dhe kundërshton vendimin e KQZ-së për shpalljen e rezultatit të përgjithshëm
PS ka depozituar një ankimim në Kolegj, kundër përfshirjes se kutisë së Ruzhdies në rezultatin përfundimtar të Fierit
Për Beratin
PS konteston vendimin e KQZ-së për rrëzimin e kërkesës ankimore të saj për rinumërim dhe rivlerësim të votave në KZAZ-të e këtij qarku
Për Tiranën
PS kërkon rinumërimin e votave në disa qendra votimi të shpërndarë në KZAZ të ndryshme të këtij qarku ku sipas saj ka pasur probleme dhe parregullsi
Për Shkodrën
PD kërkon të shpallë të vlefshme numrin e votave të dala nga numërimi i kutisë së votimit me numër 0342
PS kërkon rinumërim dhe rivlerësim të votave për 4 KZAZ-të e këtij qarku
Për Durrësin
PKSH a ankimuar rezultatin e dalë në qarkun e Durrësit.
Ky lajm është publikuar: 20/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›