E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ky është mandati i ndryshimeve të mëdha”

Autori i Lajmit: red.
Ky mandat është mandati i ndryshimeve më të mëdha të Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë. Kështu pohoi nga Durrësi kryeministri, Sali Berisha ku inauguroi dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e unazës së re të qytetit, investim me vlerë 120 milion lekë. Ai e vlerësoi këtë projekt si një nga veprat më të rëndësishme të transportit të këtij qyteti, duke theksuar se në Durrës janë edhe një seri projektesh të mëdha, si nyja moderne e Shkozetit që është në ndërtim e sipër, unaza, parku energjetik, parku industrial, etj. Kryeministri siguroi se qeveria do të punojë për të shndërruar çdo ditë premtimet në vepra. Ai garantoi durrsakët se në kohën më të shkurtër do të fillojë ujësjellësi i ri i Durrësit dhe ky qytet në një hark kohor të shkurtër do të marrë ujë 24 orë. “Ky mandat është mandati i ndryshimeve më të mëdha të Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë. Ju dhe mbarë shqiptarëve që votuat ndryshimin, ju garantoj se ndryshimi do të ketë shpejtësinë më të madhe në historinë e këtij vendi. Në Durrës janë një seri projektesh të mëdha. Është në ndërtim e sipër nyja moderne e Shkozetit, unaza, parku energjetik, parku industrial. Në këtë katër vjeçar, Durrësi do të njohë një fuqi që nuk e ka pasur kurrë më parë në rrafshin industrial, në rrafshin turistik, në rrafshin energjetik dhe në të gjitha aspektet” – pohoi kreu i qeverisë. Ai shtoi më tej se vota e shqiptarëve më 28 qershor ishte votë për Shqipërinë evropiane. “Shqiptarët më 28 qershor firmosën projektin e Durrësit evropian, Shqipërisë evropiane. Nga ky projekt nuk ka të humbur. Nga ky projekt ka vetëm të fituar. Në këtë projekt, të gjithë ata, që kanë si ëndrrën më të mirë të jetës së tyre Shqipërinë e integruar në Bashkimin Evropian, lëvizjen e lirë, punësimin, shkollimin dhe kujdesin shëndetësor të standardeve evropiane, do ta gjejnë të realizuar. Ndaj le të vazhdojmë të shndërrojmë çdo ditë premtimet në vepra”, - pohoi ai. Kreu i Ekzekutivit shqiptar garantoi më tej se në kohën më të shkurtër do të fillojë ujësjellësi i ri i Durrësit dhe ky qytet në një hark kohor të shkurtër do të marrë ujë 24 orë. Sipas tij tashmë që janë bërë dhe studimet e nevojshme asgjë nuk do ta pengojë qeverinë dhe cilido që të jetë investimi i nevojshëm do të bëhet dhe ky qytet do të furnizohet 24 orë me ujë.
Ky lajm është publikuar: 20/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›