Ankimimi i gjobave, bie në Kushtetuese policia rrugore
Gjykata Kushtetuese rrëzon propozimin e policisë rrugore për masat ndëshkimore ndaj qytetarëve që lëvizin me makina pa dokumente. Vendimi është shpallur ditën e djeshme ndërsa nëntë anëtarët e Kushtetueses janë ndarë 5 pro dhe katër kundër ligjit. Kërkues në këtë proces ishte Gjykata e Apelit Gjirokastër, ndërsa palë të interesuara ishin Kuvendi dhe Qeveria, ku i pari u përfaqësua, ndërsa Qeveria pajisi me autorizim juristen Marsida Xhaferllari. Objekti i gjykimit ishte shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i togfjalëshit “...vendimi i së cilës është i formës së prerë”, në nenin 202 të Kodit Rrugor. Sipas Kushtetueses shkas për këtë gjykim është bërë gjobitja e një qytetari gjirokastrit nga policia rrugore me një mijë lekë gjobë për qarkullim pa dokumentacionin e nevojshëm. Mbi ankimin e shtetasit, Komisioni i Apelimit në Policinë Gjirokastër, e ricilësoi shkeljen e tij si “qarkullim me një targë të një automjeti tjetër” dhe e dënoi me 30 mijë lekë të reja gjobë e me konfiskimin e mjetit. Qytetari iu drejtua Gjykatës së Gjirokastrës, e cila anuloi vendimin e Komisionit për masën e gjobës dhe atë të konfiskimit të mjetit. Gjykata, në përputhje me nenin 202 të Kodit Rrugor u shpreh se vendimi i saj është i formës së prerë. Pas kësaj policia ankimoi vendimin në Apel, por kjo gjykatë pasi çeli seancën gjyqësore arriti në përfundimin se togfjalëshi i nenit 202 të Kodit Rrugor “...vendimi i së cilës është i formës se prerë”, nuk lejon shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative të qarkullimit rrugor nga gjykatat më të larta. Nisur nga ky fakt çështja mbërriti në Kushtetuese, e cila dje shpalli shfuqizimin e këtij togfjalëshi nga ligji, pasi bie në kundërshtim me Kushtetutën. Sipas vendimit, qytetarët e ndëshkuar nga policia rrugore kanë të drejtë ta ndjekin çështjen me ankim deri në Gjykatën e Lartë. fa.ma.
Gjykata: Mjekësia ligjore po na zvarrit proceset
TIRANE – Gjykata e Tiranës cilësoi dje Institutin e Mjekësisë Ligjore si shkaktar të “zvarritjes” së disa proceseve gjyqësore. Problemi u bë i njohur në procesin e një personi të akuzuar për “trafik femrash për prostitucion”. Ky gjykim është në “ngërç” prej dy muajsh, si rezultat i mosparaqitjes në seancë së dy akt-ekspertimeve të kryera nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Gerd Hoxha, relatoi dje një shkresë të drejtuesit të Mjekësisë Ligjore, sipas të cilit “akt-ekspertimet nuk do të paraqiten në gjykatë, pa u bërë pagesa e tyre”. Në vijim gjyqtari pohoi se pagesa ishte kryer, ndërsa ende nuk po paraqiten akt-eksperimentimet. Sipas gjyqtarit Hoxha, me anë të këtij veprimi janë shkelur haptazi të drejtat e të pandehurit dhe se pas disa verifikimesh do të shikohej mundësia e një kallëzimi penal ndaj drejtuesit të Mjekësisë Ligjore. ar.ba