E Diel, 1 Nëntor 2026

Betohen në KLD pesë gjyqtarët e rinj në rrethe



TIRANE - Betohen në KLD pesë ish-inspektorët e këtij institucioni që u emëruan gjyqtarë dy javë më parë. Kështu Elda Vrioni e cila u emërua në Tiranë dhe Alma Brati, Astrit Faqolli, Lazër Sallaku dhe Petraq Curri të emëruar në Durrës bënë betimin ditën e djeshme para KLD-së, si procedurë e fundit për ta për fillimin e punës si toga të zeza. Ndërkohë burime nga Gjykata e Tiranës pohojnë se në këtë institucion janë bërë gati zyrat për 12 gjyqtarët e rinj të emëruar nga KLD. 9 prej tyre pritet që t’i shtohen seksionit të çështjeve civile dhe 3 seksionit penal. Menjëherë pas emërimit të tyre, në fillim të këtij muaji dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, Gjykata iu drejtua me shkresë Ministrisë së Drejtësisë për shtimin e numrit të sekretareve në këtë institucion. Gjykata pohon se ende nuk ka mbërritur përgjigja e kësaj shkrese, pas të cilës pritet fillimi i punës nga gjyqtarët e rinj, që kanë filluar të paguhen si gjyqtarë të kryeqytetit që nga momenti i emërimit të tyre nga KLD dhe dekretimit nga kreu i shtetit. KLD pohoi dje se pasi diskutoi në lidhje me projektvendimin “Për vlerësimin e aftësive profesionale dhe etike të gjyqtarëve”, duke marrë në konsideratë dhe sugjerimet e anëtarëve, në përfundim vendosi të miratojë “Sistemi i vlerësimit të gjyqtarëve”. Po kështu KLD pasi diskutoi në lidhje me projektligjin, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, në përfundim vendosi të ngrejë një grup pune të përbërë nga anëtarët Lefteri Lleshi, Neshat Fana dhe Shkëlqim Miri, të cilët do të përgatisin materialin përkatës, për ta diskutuar më pas në një mbledhje të ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›