Tritol shtëpisë së kreut të Qarkut, Bruka: Zbatoj ligjin
Lëndë plasëse tek dera e shtëpisë së kryetarit të Qarkut Kukës.
Një sasi tritoli është vënë në hyrje të banesës së Shefqet Brukës, por fatmirësisht pa shënuar të lënduar në njerëz. Sipas policisë, lënda shpërthyese ka qenë e pakët, duke regjistruar dhe dëme të vogla materiale. Ngjarja ndodhi në orën 03:30 të së mërkurës. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, duke shoqëruar disa persona, por ende nuk dihet emri i autorit që realizoi shpërthimin në banesën e një prej pushtetarëve me karrierë më të gjatë në administratën vendore dhe partiake të PD-së.
Familja e Shefqet Brukës jeton në një pallat në lagjen 2 të qytetit të Kukësit, tek agjencia e autobusëve. Shpërthimi i tritolit është dëgjuar fuqishëm, për shkak të orës së vonë në të cilën ndodhi. Të gjithë banorët janë zgjuar të tronditur nga zhurma, të cilën nuk e kishin kuptuar se nga erdhi. Paniku ka mbërthyer më tepër familjen e kreut të Këshillit të Qarkut, në hyrjen e shtëpisë së të cilit u panë dhe dëmet e para. Menjëherë u lajmërua policia, e cila mbërriti me shpejtësi, pasi dhe godina e saj ndodhet rreth 700 metër larg shtëpisë së Brukës. Ngjarja, falë dhe pozicionit që mban Bruka është vlerësuar maksimalisht, duke u nisur hetimet dhe nga ekspertët e kriminalistikës të ardhur nga Tirana. është bërë rrethimi i vendit të ngjarjes dhe nga hetimet e para ka rezultuar se sasia e lëndës plasëse është vënë afër pragut të derës së Brukës dhe nga shpërthimi nuk ka pasur dëme, pasi dera ishte e blinduar. Në tokë kanë rënë copa gëlqereje nga muret. Më tepër nga shpërthimi është dëmtuar dera e fqinjit, e cila ishte dhe më e vjetër. Ekspertët kanë marrë në pyetje familjarët dhe fqinjët menjëherë pas ngjarjes si dhe gjatë ditës. Tetë persona u shoqëruan në komisariat, më tepër në cilësinë e dëshmitarit. Vetë ekspertët kanë përcaktuar se sasia e lëndës plasëse nuk ka qenë e madhe. Ndonëse ende nuk ka emra autorësh, po hetohet për të zbardhur dhe motivet që i shtynë ata drejt këtij akti. Për shkak të detyrës që ka aktualisht dhe ka mbajtur më parë Bruka, policia dyshon se pikërisht prej saj është marrë shtysa nga protagonistët.
Vetë kreu i Qarkut, Shefqet Bruka ka deklaruar se nuk ka asnjë problem personal me njeri. “Unë jam drejtues i rangut të lartë në qeverisjen vendore të Kukësit dhe nuk di shkaqet dhe autorët. Në gjithë aktivitetin tim dhe postet që kam pasur gjithnjë kam zbatuar ligjet e shtetit. Kërkoj nga organet kompetente zbardhjen e kësaj ngjarjeje”, ka deklaruar ai pas vendosjes së eksplozivit.
Një prej banorëve të pallatit tregon se një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur dhe në kohë më të vështira, e jo më sipas tij, ndaj një qytetari, mjeku dhe pushtetari model. Përballë këtij akti, i cili dyshohet se ka ndodhur në formë presioni ndaj kreut të Qarkut, policia është ende larg autorëve. Ajo po mbledh dëshmi në lidhje me ditët e fundit të veprimtarisë së Shefqet Brukës, nëse ka pasur probleme apo debat me ndokënd, që mund ta ketë çuar deri në përgatitjen e një veprimi ekstrem.
Bruka, prej ’92-it drejtues vendor
Shefqet Bruka, i diplomuar për stomatologji, ka qenë një ndër aktivistët e parë të PD-së në Kukës. Gjatë viteve 1992-1996 ishte kryetar i degës së Partisë Demokratike në këtë qark, më pas për 4 vite kryetar i Këshillit të Rrethit Kukës. Në këtë detyrë ishte ndër kontribuesit kryesorë për strehimin e mbi 200 mijë refugjatëve shqiptarë nga Kosova. Pas vitit 2000 ai u largua nga politika për t’u angazhuar me organizata të huaja që veprojnë në vendin tonë. Në vitin 2007 iu rikthye politikës dhe unanimisht, me votat e së djathtës në pushtet dhe së majtës në opozitë u zgjodh kryetar i Qarkut Kukës. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2005, 2007 dhe 2009 ishte drejtues i fushatës së PDSH-së për Kukësin, në të cilat demokratët fituan bindshëm.