Emigranti peng në Athinë për 20 mijë euro autori në kërkim
TIRANE - Një 35-vjeçar nga fshati Prosek i Mirditës, është vendosur në listën e personave të kërkuar nga Interpoli, pasi akuzohet për “heqje të paligjshme të lirisë” dhe “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”. Gjykata e Krimeve të Rënda, sipas policisë, ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, në mungesë për L.Bliun. Sipas burimeve të policisë, Bliu akuzohet se ka mbajtur peng për shtatë ditë në një shtëpi në Athinë të Greqisë, 35-vjeçarin A.Katirja, i cili prej vitesh ishte emigrant ekonomik në shtetin fqinj. Gjatë gjithë javës që Bliu mbante peng jashtë vullnetit të tij emigrantin nga Tirana, ai akuzohet se ka kontaktuar në telefon me vëllain e tij, të cilit i kërkonte 20 mijë euro në këmbim të jetës së pengut. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, në muajin maj të vitit 2009, A.Katiraj, një biznesmen nga Shkoza e kryeqytetit, është paraqitur për të bërë kallëzim në Komisariatin nr.1, duke pretenduar se një person i mbante peng të vëllain në Greqi dhe i kërkonte 20 mijë euro. Në rast se nuk i dërgonte paratë e kërkuara ai do t’i vriste vëllain. Pas këtij kallëzimi, policia gjurmoi telefonatat që kryheshin nga Greqia në drejtim të biznesmenit Katiraj dhe rezultoi se ato kryheshin nga emigranti L. Bliu. Menjëherë numri i tij u vu në përgjim me konfirmimin e prokurorisë dhe gjykatës. Gjatë kësaj kohë policia dhe biznesmeni A.Katiraj realizuan një shitje të stimuluar, të një apartamenti në Tiranë, duke plotësuar një akt noterial me letër-porosi dhe më pas dokumentet që vërtetonin pronësinë e L.Bliut, iu dërguan në adresën që ai kishte dhënë në Greqi. Katiraj dhe Bliu ranë dakord që në këmbim të jetës së pengut, 35-vjeçari të merrte një apartament në Tiranë, pasi biznesmeni nuk kishte para kesh që t’i dërgonte. Pasi mori në dorë dokumentet Bliu e liroi pengun dhe sipas të dhënave të policisë, pas kontaktimit me familjarët e tij, tashmë ai ndodhet në Itali. Policia ka kryer disa kërkime për të dyshuarin, por ai nuk është gjetur as në banesën e tij në Mirditë dhe as në disa adresa të tjera ku dyshohet se ka qëndruar. Për këtë shkak, pas masës së dhënë nga gjykata është bërë shpallja e tij në kërkim. e.d