E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohen ndërtuesit: KRT na la një vit pa punuar

Sipas ndertuesve, moszhvillimi i mbledhjes se KRRT ka sjellë si pasojë blokimin e ndertimit te apartamenteve si dhe rritjen e çmimit të banesave dhe ngrirjen e parave me të cilat ata kanë blerë troje të paluajtshme 

TIRANE-Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës bllokon ndërtimet në kryeqytet. Kjo është ankesa më e re që vjen nga Shoqata e Ndërtuesve. Sipas tyre, moszhvillimi i mbledhjes ka sjellë si pasojë rritjen e çmimit të apartamenteve dhe ngrirjen e parave me të cilat ata kanë blerë troje të paluajtshme. "KRRT-ja ka tre muaj pa u mbledhur e si pasojë, e gjithë puna e ndërtuesve është paralizuar. Në bazë të ligjit, Këshilli duhet të mblidhet jo më pak se një herë në muaj", - thotë Arben Dervishaj, një prej ndërtuesve të njohur dhe drejtuesve të shoqatës. Duke iu referuar Dervishajt, paratë e shumë firmave janë bllokuar, pasi ata kanë blerë troje për të ndërtuar, por i duhet shumë për të marrë një leje nga KRRT-ja. Praktikisht sipas Shoqatës së Ndërtuesve, e gjithë kjo situatë ka sjellë dhe rritjen e çmimit të apartamenteve në Tiranë. Zëra të tjerë brenda Shoqatës së Ndërtuesve pohojnë faktin se kanë aplikuar që prej një viti në Bashkinë e Tiranës për të marrë leje ndërtimi, dhe ende nuk kanë mundur ta kenë atë. Shkak për këtë sipas tyre janë burokracirat e mëdha dhe një lloj neglizhence e anëtarëve të Këshillit të Rregullimit të Territorit për t'i dhënë atyre që i kanë dokumentet në rregull të drejtën për të ndërtuar.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›