E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret në vend, digjen sipërfaqe të mëdha pyjore

Zjarre të fuqishme kanë përfshirë zona të tëra në vend. Në Lezhë 4 shtëpi u dogjen dhe mbi 300 ha sipërfaqe pyjore u shkrumbuan. Zjarri dogji ullishtet në Levan të Fierit dhe linjën hekurudhore Lezhë-Tiranë. 

LEZHE- Zjarret e fuqishme që kanë përfshirë dsa zona në vend gjatë 24 orëve të fundit po kërcënojnë banesa dhe masive të tërë pyjore. Situata më problematike ishte në qarkun e Lezhës ku në komunën Kolsh janë shkrumbuar sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe u dogjën plotësisht 4 banesa. Ndërkohë për shuarjen e flakëve u angazhuan dhjetra forca zjarrfikëse, shtabe emergjente dhe forca ushtarake të ardhura edhe nga rrethet fqinje. Era e fuqishme favorizoi përhapjen e flakëve në një sipërfaqe të konsiderueshme ndërkohë që banorët u shpërngulën nga banesat e tyre. Situata e pazakontë vuri në vështirësi forcat zjarrfikëse, të cilat e patën shumë të vështirë të vinin nën kontroll flakët për shkak të erës së fortë, intensitetit të madh të flakëve dhe terrenit malor. Vetëm në këtë komunë, autoritetet flasin për një sipërfaqe të djegur prej 300 hektarësh, ndërkohë që varta të tjera zjarri, jo shumë aktive, vazhdojnë të jenë edhe ditën e sotme.
Edhe në Levan , një zjarr i fuqishëm shkrumboi të paktën 10 hektarë sipërfaqe ullishte duke rrezikuar edhe zonën e banuar. Për më tepër se 3 orë forcat zjarrfikëse kanë luftuar me flakët në zonën e quajtur Ullishtet e Levanit, përgjatë rrugës nacionale Fier-Vlorë. Policia po heton shkaqet e zjarrit dhe dyshohet për një zjarrvënie të qëllimshme. Flakët nuk kanë kursyer as linjat hekurudhore. Në të dytin rast brenda kësaj jave, një vatër zjarri është shfaqur në linjën hekurudhore Shkodër-Tiranë , në vendin e quajtur Tresh, duke djegur një pjesë të traversave dhe duke ndërprerë transportin hekurudhor në këtë linjë. Nuk dihet saktësisht shkaku i zjarrit por dyshohet se ai mund të jetë shkaktuar si pasojë e djegies së mbeturinave nga banorët e zonës.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›