E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohet qytetari, Berisha: Çmimet e tokës do të rishqyrtohen



E-mail-i i një qytetari nga Gjirokastra, përmes së cilit ankohej për çmimet e larta të tokës, duke i sjellë rastin e tij konkret, detyroi Kryeministrin Sali Berisha që të ndërhynte dhe të kërkonte rishqyrtimin e çmimeve. Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, Berisha kërkoi nga ministritë e linjës që të mbërrijë sa më parë në qeveri harta e çmimeve të tokës, pasi ajo aktualja, sipas tij, nuk është reale. “Çmimet e tokës janë jo mbi baza reale dhe do të ketë një rishqyrtim të tyre”, - pohoi Berisha lidhur me një fakt të tillë. Kreu i qeverisë iu referua një rasti konkret të një qytetari nga Gjirokastra që ankohej se çmimet referuese që ka caktuar qeveria për trojet dhe ndërtesat mbi to në rrethe, për efekt të taksave janë shumë të larta.

“Agjentët tatimorë në mbarë Shqipërinë do të ndërmarrin hetimin e çmimeve të tregut dhe harta e çmimeve të tokave do të dalë mbi bazën e një hetimi serioz me përgjegjësi të plotë. Unë ju garantoj ju se për fatin jo të mirë, akoma në disa rrethe toka nuk shitet as edhe me një euro, ndërsa po të shohësh hartat tona, çmimet janë stratosferike", - tha Kryeministri Berisha. Sipas tij: "Çështja e çmimeve të tregut nuk mund të bëhet pengesë as për investime dhe as për tregun e tokës". "Çmimet e tregut për tokat do të jenë në një hetim periodik. Organi hetimor do të bëjë hetimin e tyre dhe mbi këtë bazë do të përcaktohet harta e çmimeve të tokave", - tha Kryeministri Berisha. Në të njëjtën kohë, kreu i ekzekutivit kërkoi që "mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave të paraqitet ligji në të cilin përcaktohet se investitori i huaj ose vendas që ka blerë pronën mbi bazën e dokumenteve të rregullta shtetërore të miratuara në përputhje me ligjet e vendit, është i lirë të bëjë të gjitha ndërtimet në të, pas aktit të blerjes". "Çdo parregullsi tjetër do të jetë çështje mes palëve dhe shteti do të qëndrojë në mes, sepse po krijohet grupi i ri i falsifikatorëve dhe gjobëvënësve të investitorëve. Investitorët duan mbrojtje absolute dhe shteti shqiptar do t’u dalë për zot", - deklaroi z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›