Qeveria, lehtësi udhëtarëve, vetëm një sportel në kufi
Qeveria u vjen në ndihmë qytetarëve që udhëtojnë jashtë shtetit, duke u krijuar atyre mundësinë e kalimit në kufi vetëm përmes një sporteli. Këshilli i Ministrave vendosi dje krijimin e një sporteli të vetëm për kontrollin e qytetarëve, vendas e të huaj, në pikat e kalimit doganor dhe në porte. Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur se ky vendim do të thjeshtojë dhe lehtësojë shumë punën në pikat tona të kalimit kufitar. “Nga 4-5 ndalime që u bëheshin qytetarëve vendas e të huaj që hynin në pikat tona kufitare, tani do të ketë vetëm një pikë ndalimi. Dogana dhe policia bëhen së bashku në një pikë të vetme dhe kjo e thjeshton punën”, - tha Berisha. Kryeministri Berisha kërkoi nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, që të përcaktohen rregulla të qarta për zbatimin e këtij vendimi, sikundër procesi të mbikëqyret me rigorozitet. “Duhet të përcaktoni rregulla shumë të qarta në zbatimin e tij, në mënyrë që efekti i vendimit të fillojë menjëherë. Në këtë mënyrë, ne nuk po bëjmë asgjë tjetër, vetëm atë që vende të tjera e kanë bërë dhjetëra vite më parë, ndaj ky është një vendim shumë i dobishëm”, - u shpreh z. Berisha.