Urso, Berishës: Shqipëria, vendi ideal për investime
Sekretari italian i Shtetit për Tregtinë Ndërkombëtare, z. Adolfo Urso, mbetet i impresionuar me ndryshimet e mëdha të Shqipërisë në këto 4 vitet e fundit dhe se edhe kompanitë italiane që tashmë investonin me sukses në Shqipëri, ishin të një niveli shumë të lartë dhe kualitativ. Kryeministri Sali Berisha takoi dje Sekretarin italian të Shtetit për Tregtinë Ndërkombëtare, z. Adolfo Urso, së bashku me delegacionin që e shoqëronte. Z. Berisha nënvizoi se ishte inkurajuese për Shqipërinë që investimet italiane në vend rriten çdo muaj dhe se të dyja qeveritë kanë vullnetin më të mirë për ngritjen e tyre në një nivel ekselence, duke qenë se janë të gjitha potencialet në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Gjatë bisedimit u ra dakord për një promovim të vazhdueshëm tek biznesi italian të masave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për lehtësimin e biznesit si uljen e taksave, nismën “1 euro”, One Stop Shop për lejet dhe licencat dhe për regjistrimin e biznesit, dhe së shpejti për energjinë dhe minierat etj. Z. Urso theksoi interesin e madh të kompanive italiane në parqet industriale, në energji, në fushën e hoteleri-turizmit, në fushën e prodhimeve bujqësore etj.