Ankth duke vizituar Shqipërinë
NGA MIHALLAQ QILLERI
Këto ditë, me ftesë të ish- studentes sime Afërdita Selenica, (Triha), mu dha rasti ta përshkoj Shqipërinë nga Jugu në Veri. Rruga nuk ishte e zakonshme. Do të udhëtoja së toku me një autobus të shoqërisë turistike greke “Action travel” me pronarë bashkëshortët Angjelo e Stavrula Georgandas, e me qendër në Patra të Greqisë. Zonja Afërditë ishte punonjëse aty dhe shoqëruese e grupeve të tilla turistësh. Për herë të parë, veç, i rastiste që klientët e Zyrës t’i udhëhiqte përmes vendit të saj dhe, gjithsesi, ndrojtja se përshtypjet duhet të ishin sa më të mira, e detyroi të më ftonte edhe mua në këtë rrugëtim. Thjesht ne duhet të bashkonim njohuritë tona për historinë, gjeografinë dhe ekonominë e Shqipërisë për t’ia dalë kësaj pune e detyre atdhetare njëherazi.
Më duhet të theksoj qysh në fillim se një grup turistik prej 40 vetash, është një trazim individësh, të cilët rastësia i ka bashkuar në një udhëtim. Binte menjëherë në sy se shijet e tyre, kultura, këndvështrimi për vendet nga kalonin, pse jo edhe idea se duke hyrë në Shqipëri do të shihnin në një vend të Botës së Tretë, qarkulluan sapo kapërcyen kufirin në Kakavije. Vitet e mia në emigracion, ca më shumë të zonjës Afërditë, na kishin mësuar se në përgjithësi qytetarët grekë me nivel nën mesatar kulture, kanë për Shqipërinë një mendim aspak të këndshëm e dashamirës. Vështirësia jonë më e madhe ishte pikërisht thyerja e këtij mendimi.
Kafeja e mëngjesit u pi në tarracën e lokalit të mrekullueshëm të Viroit në të dalë të Gjirokastrës. Këtë qytet fantastik, për shkak të programit, ata nuk e panë veçse nga larg. Megjithatë, ndonjë turist i vëmendshëm nuk mund të mos dallonte shtrirjen epike të lagjes Palorto përmbi katrahurën arkitektonike që është lejuar të ngrihet poshtë këmbëve të saj. Viroi, me liqenin e vet, i cili për shkak të shirave të qershorit ishte ende plotë, por edhe lokali, çmimet e atjeshme, mund të kenë qenë fillimi i thyerjes së keqdashësisë. Por ja tek nisën vështirësitë e autostradës së re deri në Tepelenë. Në rrugë shiheshin fare pak punonjës, madje ndonjë syresh vijonte të punonte me lopatë, sikur kishte ndërmend ta zgjaste këtë arterie të rëndësishme të vendit deri në shekullin e ardhshëm. Ndonjë grek qeshi pikërisht me këtë pamje dembelësh. Kur ngula këmbë se kompania ndërtuese ishte qipriote, kjo nuk ndryshoi asgjë. Donin të dinin se sa vjet po punohej aty. Dhe sa kilometra ishte. Nuk ishte aspak faji ynë për këtë gjendje, por u gëlltitëm sikur të gjendeshim para gjyqit.
RRUGA E FYERJES
U ula ta shkruaja këtë reportazh fill pas një emisioni të “Zërit të Amerikës” ku ministri i fryrë Pango, po deklaronte, ashtu si sekretarët e parë një herë në një kohë, se qeveria e Berishës e ka ndryshuar aq shumë pamjen e Shqipërisë Jugore në këto tri vjet, sa turistët e huaj mund të mahniten. Ja tek nisën kthesat pas Krasit të Tepelenës dhe një rrugë e llahtarshme për këta turistë të Bashkimit Evropian po ia niste. Sidomos kthesat pas Greshicës, shembjet e mëdha të tokës aty dhe përpjekjet mjerane të një shteti dembel e të varfër për të vënë dorë në këtë aks kombëtar, me të vërtetë të fyejnë. Autobusi hidhej sa në një gropë në tjetrën dhe përfytyroja se si duhej ta ndjenin veten udhëtarët e ndenjëseve të fundit. Protesta ia nisi në fillim si mërmërimë, por ja tek u bë ortek. Pronari i kompanisë, zoti Georgandas, nisi të shpjegonte me durim e aspak i saktë se në të vërtetë rruga e hyrjes nga Greqia në Shqipëri nuk ishte kjo, por ajo e Kapshticës, por nga që shoqëria turistike gjendej në Patra, nuk mund të bëheshin aq shumë kilometra deri në Kozan. Zonja Afërditë, ashtu e shkathët, e gjithë intuitë, nisi tu tregonte në mikrofon vizitorëve të shqetësuar barcaleta, t’u recitonte vjersha, të gjente fjalë të urta për miqësinë, por të gjitha këto nuk pinin ujë. Pluhuri, guriçkat, rrezikshmëria e terrenit, sidomos për ata që ishin ulur në krahun e djathtë të autobusit, i bënin njerëzit, me shumë të drejtë, tepër nervozë. Unë u mundova t’u tërhiqja vëmendjen me historinë e vizitës së Musolinit në kodrat e Tri Vezëve në Mallakastër, për frontin italo-grek të vitit 1941, për Malin e Këndervicës në perëndim dhe Amantian e lashtë, pikërisht aty ky gremisej ky masiv shkëmbor, por as këto nuk pinë ujë.
Natyrisht kishte edhe syresh që tregonin interes. Një zonjë vinte vazhdimisht në krye të autobusit për të mësuar diçka më shumë se sa ato që tregoja. Befas, po aty u gjend një çift, i cili e kishte vizituar Shqipërinë në mesin e viteve ’80, tani kërkonin të dinte në se e gjithë kjo pamje mund të kishte qenë më e mirë atëherë.
Nuk mund të thosha se rruga e re për në Tepelenë qe shtyrë e stërshtyrë për shkak të hasmërive politike, se ajo tani mund të kishte mbaruar po qe se drejtuesit e Shqipërisë nuk do të donin të monopolizonin edhe rrugët, edhe ujëra të zeza, në mënyrë që pastaj të mburren shesheve me taksat e popullit.
Por edhe turistëve grekë nuk u shpëtonte asgjë. Befas, në një nga shtëpitë e reja që ndërtoheshin, diku afër Patosit të Vjetër, panë të habitur se në krah të flamurit shqiptar valëvitej edhe një flamur turk. Armiqësia ballkanike ngriti krye. Debati u ndez. Si ishte e mundur, po ngulte këmbë njeri prej tyre që, ndonëse në Greqi punojnë afro shtatëqind mijë shqiptarë dhe këto banesa thuajse ngrihen me kontributin e tyre, të mos shihej edhe një flamur grek këtu?! Debati zgjati ca. Pastaj po ky individ vuri re se shtyllat prej betoni të tensionit të lartë ishin shtrembëruar e gati në të rënë. Nuk mund të nervozohesha, por zonja Afërditë e skuqur në fytyrë nga sikleti, më qetësoi. Ne ishim thjeshtë shërbyes të këtyre njerëzve, të cilët kishin paguar për atë udhëtim dhe duhej t’u respektonim pikëpamjet. Derisa kaluam Qafën e Patosit. Hapësira që hapej s’ andejmi sikur të mbushte me frymë. Thashë gjithë entuziazëm se tani, deri në kufirin malazez, nga do të dilnin për më tej, nuk do të shihnin më rrugë si ajo që kaluan. Dhe nuk kishin udhëtuar pak, por plotë tri orë.
KËSHTJELLA
Kështu e kanë emëruar një kompleks madhështor në hyrje të qytetit të Fierit. Zonja Afërditë e kishte përzgjedhur këtë restorant madhështor si për t’i surprizuar turistët e saj. Vërtetë gjithçka aty ishte e bukur. Shërbimi, pronari që denjoi të na tregonte gjithë kompleksin e tij të pamatë, sallat e sipërme e oborrin e pasëm. Gratë greke, sidomos, u mrekulluan. Fierit do t’i kalonim anash dhe, me gjithë premtimin tim se tashmë mundimet kishin mbaruar, nuk mund të mos rifillonin kthesat matanë Urës së Semanit. Edhe pas tri vjetëve punimesh, edhe pas dhjetëra premtimeve të Berishës e ministrit të tij, Olldashi, rruga Fier-Lushnjë nuk po mbaron e nuk po mbaron. Ngushëllimi ishte që, herë pas here, t’u tregoja trasenë e zhavoruar, një mekanizëm aty e një atje, një dembelizëm e indiferentizëm i paparë, një shtet që zvarritet nëpër lumin e milionave që reklamon se hedh përditë, por që në të vërtetë ritmet e ndryshimit të vendit janë si ato të breshkës.
Pas Lushnjës gjithçka ndryshon. Unë e zonja Afërditë morëm frymë të lehtësuar. Ndërtimet e shumta nëpër kodra e në fushë, arkitektura e vilave private, hapësira e gjerë pranë bregdetare e, mbi të gjitha, rruga me dimensione të pranueshme, i bënë grekët të heshtin. Thashë me humor se këtu edhe shtyllat e tensionit të lartë nuk janë më të shtrembra. Në Durrës hymë ndaj të ngrysur. Ndërtimet e pasosura në breg të Adriatikut, vet hoteli po me këtë emër ku u sistemuan të gjithë, sikur kishin lidhje tashmë me atë kështjellë-restorant që pamë në hyrje të Fierit. Shqipëria këtej ngjante krejtësisht tjetër, krejtësisht evropiane. Shumë prej udhëtarëve tregonin se vila të tilla madhështore nuk mund të gjeje as në vendin e tyre. Hotel “Adriatiku” i kënaqi shumë. Pamja e detit që shihej nga ballkonet e dhomave, pastërtia e mjedisit, shërbimi korrekt e dinjitoz, thelloi më tepër atë kënaqësi te këta banorë të Evropës, komshinj tanë të përjetshëm, por që na kanë parë shpesh me syrin e të huajit, e të largëtit, me syrin e një vendi e populli të pakulturuar, të varfër sa s’bëhet. Pastaj restoranti “Belvedere” i Agronit, shërbimi i mrekullueshëm atje, një çmim që i habiti grekët, por edhe kuzhina italo-shqiptare me midhjet e servirura në pilaf, ishin gjithçka mbyllte atë ditë të lodhshme.
SHQIPËRIA
Në Tiranë qëndruan vetëm një orë. Enkas i kalova nga “Zogu i Zi, te “21 Dhjetori” te “Vasil Shanto” për të dalë afër Presidencës e më pas para Universitetit. Aty qëndruan. Përpiqesha që gjithçka ta shihja me syrin e tyre. Padyshim duhej të ishin të kënaqur. Arkitektura e vjetër italiane e kompleksit të sheshit “Nënë Tereza”, qetësia e së dielës aty, pylli përmbi kodër, sikur u shkulën edhe paragjykimin e fundit. Një pushim të shkurtër u bë edhe në sheshin “Skënderbej”. Mjerimi i pllakave të atij sheshi, sikur më ndrydhte shpirtin. Po të ishte e mundur të niseshim sa më parë. Tirana kishte hijen e një metropoli evropian, me gjithë lulishten e shëmtuar prapa Pallatit të Kulturës, e cila nuk po mbarohet edhe kjo për shkak të konfliktit politik Bashki-Qeveri.
Te Kthesa e Kamzës ngurova. E luta pronarin-shofer, zotin Angjelo Georgandas, i cili i kishte të shënuara të gjitha rrugët përmes një aparati satelitor, që të vijonin ca më tej sepse aty punohej. Dhe vërtetë shmanga një Greshicë të dytë, - ( sepse ky emër ka ngjashmëri me Gërdecin), - dhe i kalova nga rruga e aeroportit. Vetëm në kthim do ta kuptoja se sa mirë veprova. Pas Kamzës-qytet fillonte përsëri një ferr rrugor.
Historitë për Krujën dhe Skënderbeun mbaruan. Autobusi po përgjumej. Zonja Afërditë ia nisi atëherë tregimeve të saj të mrekullueshme, fjalëve të urta që miqësinë dhe dashurinë, ndërsa shoferi-pronar nuk përtoi të tregonte barcaleta banale. Këtej ndërtimet nëpër fshatra nisin të zvogëlohen, të rrallohen, ndonëse fusha është po aq e gjerë sa edhe në Myzeqe. Nuk kishte sesi të mos binte në sy ky fakt. Shpjegova se shumë veriorë tanimë preferonin të ndërtonin në periferi të Tiranës dhe se kjo ishte një sëmundje e shumë kryeqyteteve.
Shkodra u ngjau e zymtë. Statuja gjigante e Isa Buletinit, e vetmuar dhe e trishtuar nën një mjedis të pistë, me sfond pallatet e viteve ’70, kazanët e plehrave po aty, të shqyera e të shtrembra, me qentë rrugaçë të rrëmonin pa pushim, nuk kishte sesi të mos më bënin të fyhesha edhe një herë. Një restorant i vogël, aty në krah, me emrin entuziast për grekët “Athina”, i bëri të suleshin aty për të ngrënë diçka. Por shërbimi ishte aq i primitiv sa e detyroi zonjën Afërdita t’u hynte pa ndrojtje punëve të kuzhinës vetëm e vetëm që grekët të mos thërrisnin e, mbase u zvogëlohej disi zemërimi i Akilit.
Në kufirin me Malin e Zi na priste një e papritur tjetër. Doganieri kërkoi të paguhej një taksë për udhëtimin nëpër Shqipëri. Aq kilometra herë..aq.. U mundova t’i sqaroja se këta turistë e kishin paguar një taksë të tillë sapo kishin hyrë në kufirin shqiptar në Kakavijë. Por, sipas tij kjo ishte e gabuar. Taksa paguhej në dalje. Doganieri i Kakavijës i kishte mashtruar. Ishte e pamundur ti mbushje mendjen. Pronari pagoi, ashtu qetë-qetë, natyrisht pa qenë i sigurt në se këtë e mësoi gjithë autobusi. Në Shqipëri të vjedh edhe vet shteti..
U uruam rrugë të mbarë nëpër shtetet përgjatë bregdetit dalmat me shpresën e ligë se ndoshta u rastiste ndonjë hotel i keq dhe kujtonin për mirë Shqipërinë, sepse për rrugët isha i sigurt se të tilla si tonat, në një shtet të dytë evropian, nuk do të gjenin. Megjithatë u treguan tepër njerëzorë, sidomos me shërbimet e zonjës Afërditë. Kjo grua ishte një copë Shqipëri dhe ja tek na kishte shpëtuar edhe një herë me mirësinë e saj, me zgjuarsinë, me kulturën e saj. Ashtu, duke u përshëndetur, dëgjova një grua t’i thoshte të birit në celular se lavdi Zotit po kapërcenin kufirin me Shqipërinë dhe ajo ishte e lumtur që nuk kishte parë aq varfëri sa e kishte menduar, sepse ndryshe do t’i këputej shpirti…
24 Qershor 2008