E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen, morën peng adoleshentët për një biçikletë



SHKODËR – Dy adoleshentë kanë vjedhur një biçikletë, por më pas janë marrë peng dhe keqtrajtuar nga dy persona, të cilët janë arrestuar më pas nga forcat e rendit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se të dielën pasdite, rreth orës 18.00, u bë prangosja në flagrancë i shtetasve, Edmond M. dhe Ridvan B. që të dy këta lindur dhe banues në qytetin verior. Ndalimi i tyre u bë menjëherë pas keqtrajtimit të dy adoleshentëve; R. K., 17 vjeç dhe E. T. 15 vjeç, që të dy nga qyteti i Shkodrës. Prindërit e tyre kanë bërë denoncimin në polici, gjë që i ka hapur rrugën verifikimeve dhe më pas ndalimit të autorëve të pengmarrjes nga forcat e rendit.
Arrestimi
Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës bëri të ditur se të dielën në mbrëmje u organizua operacioni për arrestimin e shtetasve Edmond M., 29 vjeç, dhe Ridvan B., 36 vjeç. Sipas Fatbardha Celepisë, dy personat e lartpërmendur ditën e dielë, rreth orës 10.00, në lagjen “Vojo Kushi”, ata kanë marrë forcërisht dy adoleshentët R. K., 17 vjeç dhe E. T. 15 vjeç. Dy adoleshentët janë dërguar në një banesë të braktisur në periferi të qytetit të Shkodrës dhe aty ata i kanë keqtrajtuar fizikisht.
Dy të rinjtë pasi janë keqtrajtuar, janë lënë të lirë pas rreth 5 orësh. 17-vjeçari dhe 15 vjeçari kanë shkuar në shtëpi me hematoma dhe plagë të ndryshme në trup. Ata iu kanë treguar prindërve për ngjarjen dhe kaq ka mjaftuar që të bëhet denoncimi.
Edmond M. dhe Ridvan B.
Policia bëri arrestimin e dy autorëve të pengmarrjes dhe keqjtratimit. Sipas burimeve policore, Edmond M. dhe Ridvan B., pretendojnë se e kanë bërë një veprim të tillë pas dy adoleshentët dyshohet të kenë vjedhur të shtunën pasdite biçikletën në pronësi të shtetasit Ridvan B. Ky është motivi i dhënë në komisariatin e Policisë së Shkodrës nga dy të ndaluarit. Burimet policore pohojnë se “materialet në ngarkim të Edmond M. Dhe Ritvan B., i kaluan prokurorise së rrethit të Shkodrës, pasi ata akuzohen për veprën penale të “heqjes së paligjshme të lirisë”.

Plagoset rëndë tekniku i minierës, ra masivi i kromit

BULQIZE – Sërish një tjetër aksident ka ndodhur në galeritë e krimit në rrethin e Bulqizës, ku kësaj radhe ka mbetur i plagosur një teknik miniere. Burimet zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se pak ditë më parë është plagosur aksidentalisht gjatë kryerjes së detyrës shtetasi Myslim Dagja. Ai ka marrë plagë të shumta në trup teksa po kontrollonte një nga frontet e punës brenda në minierë. Një masiv kromi është shkëputur duke rënë mbi trupin e 35-vjeçarit Dagja. Minatorë të tjerë e kanë marrë të plagosurin duke e dërguar në spital. Për shkak të plagëve të shumta dhe frakturave që kishtet tekniku i minierës, ai është dërguar për trajtim të specializuar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Sipas burimeve në minierën e Bulqizës, Dagja po kryente punime në zonën D të minierës, pikërisht në vendin ku ndodhi rrëshqitja. Kjo zonë njihet si tejet e rrezikshme dhe është bërë shkas për aksidentimin e disa minatorëve të tjerë. Në fakt ministri i Ekonomisë, Industrisë dhe Energjetikës Genc Ruli kishte urdhëruar pezullimin e punës në zonën D të minierës së Bulqizës, por pavarësisht kësaj, minatorët ishin urdhëruar të punonin nga koncesionarët e huaj. Zona D njihet si më e rrezikshmja në minierën e Bulqizës. Plagosja e Myslim Dagjës vjen pas një sërë aksidentesh të ndodhura në minierat e këtij rrethi gjatë këtij viti. Të paktën 8 persona kanë gjetur vdekjen vetëm gjatë vitit 2008 dhe shumë të tjerë janë lënduar në aksidentet e ndodhura gjatë punës. Ministri Ruli paralajmëroi disa ditë më parë operatorët e licencuar se do t’iu hiqej e drejta e aktivitetit nëse nuk firmat nuk respektojnë kushtet e sigurimit teknik.

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›