E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohet, përplasi me makinë të moshuarin



TIRANË – Një 58-vjeçar aksidentoi një person, por më pas është arrestuar nga policia. Burimet zyrtare të komisariatit të Kavajës bëjnë të ditur se dje u arrestua shtetasi Xhevat Allushi, banues në Kavajë, me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor". Sipas burimeve zyrtare, 58-vjeçari Allushi akuzohet se duke drejtuar automjetin tip “Benz” me targa KJ 6984 A, në superstradën Kavajë - Rrogozhinë, ka aksidentuar për vdekje shtetasin Demir Shuli, 72 vjeç, banues në Shkozet të Durrësit.
Policia tha se materialet hetimore të siguruara për këtë ngjarje, iu deleguan për hetime të mëtejshme prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Kavajë.

Rrëzohet nga pema, bie mbi kangjellat e hekurit 13-vjeçarja

DURRËS – Teksa po hante fiq, një 13 vjeçare është rrëzuar dhe rënë mbi disa shufra hekuri të një gardhi që ndodhej poshtë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 19.00, është dërguar e dëmtuar në spitalin shtetasja L. Zh., lindur dhe banuese në lagjen Nr. 15 në qytetin bregdetar. Nga hetimet e kryera rezultoi se kjo shtetase, ditën e dielës, rreth orës 18.30 ka rënë nga pema prej një lartësie rreth 1 metër dhe ka marrë dëmtime në bark nga një shufër hekuri. “E dëmtuara ndodhet e shtruar në spital, jashtë rrezikut për jetën”, - bëjnë të ditur burimet zyrtar të policisë.

Zë korrenti 16-vjeçarin, po ndizte gjeneratorin

SHKODËR - Një 16 vjeçar nga Shkodra humbi jetën mesditën e djeshme në plazhin e Velipojës si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike, teksa po ndizte gjeneratorin në kioskën e tij ambulante që shërben në këtë plazh. Burime nga policia e Shkodrës bënë të ditur se "16 vjeçari Artan Ograja, lindur e banues në komunën Bushat, të rrethit të Shkodrës, humbi jetën në orën 12:00 si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike, teksa po ndizte gjeneratorin në kioskën e tij ambulante në këtë plazh". Sipas policisë, grupi hetimor që ka shkuar menjëherë në vendngjarje, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.

Rinis fshesa greke, kthehen 25 emigrantë në Qaf Botë

SARANDË – Gjatë ditëve të fundit policia greke ka kryer një sërë kontrollesh ndaj shtetasve të huaj, duke kthyer një numër të konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë. Burimet policore të pikës së kalimit kufitar të Qaf Botës në Sarandë raportojnë se vetëm përmes kësaj pike, vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë riatdhesuar 25 persona. Klandestinët shqiptarë që synojnë tokën greke për të gjetur punë u kthyen përmes Qaf Botes nga policia greke pasi u zbuluan në zonat veriore të Greqisë gjatë udhëtimit në brendësi të vendit. Sipas Enver Muçës, komandant i Qaf Botës, nga të kthyerit nuk kanë rezultuar të inkriminuar por vetëm persona me nevoja sociale. Zona e Qaf Botës, shumë pranë Konispolit është ndër më të rrahurat nga njerëzit që kalojnë kufirin si klandestinë shtigjeve të maleve.

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›