Vdes i moshuari nga djegia e pallatit, mbi 20 familje mbeten pa strehë
KORÇË - Një zjarri i shkaktuar nga një bombol gazi, ka shkaktuar një viktimë, si dhe ka shkatërruar pjesën më të madhe të një pallat trekatësh banimi në qytetin e Korçës, duke lënë pa strehë rreth 40 familje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se zjarri ka shpërthyer rreth orës 13.00 të ditës së hënë në katin e tretë të një pallati të lagjes Nr. 4 , në rrugën “Partizani" të qytetit të Korçës. Sipas, shtetasi Theodhori Trasha ka gjetur vdekjen si pasojë e djegies së ndërtesës. 80-vjeçari ishte i paralizuar dhe në kohën e rënies së flakëve, ai nuk ka mundur të lëvizë. I moshuari vuante nga sëmundja e zemrës dhe pasi është nxjerrë nga rrënojat e djegura, ka gjetur vdekjen në spital, teksa po merrte ndihmën mjekësore. Si pasojë e gjendjes së shkaktuar edhe disa gra janë shoqëruar në Spitalin Rajonal, pasi ndodheshin në gjendje depresive. Për të shuar flakët kanë shkuar në vendngjarje 6 mjete zjarrfikëse. Sipas kryebashkiakut Niko Peleshi, pjesët anësore e banesës në katin e tretë, në të dy anët e pallatit, janë shembur. Nga ana e KESH-it është shkëputur energjia elektrike në zonë për të evituar shpërthimet. Dëmet materiale janë ende të pallogaritshme, por të gjitha apartamentet janë përfshirë nga flakët.
Kryetari i Bashkisë, Niko Peleshi pohon se është shkatërruar plotësisht kati i sipërm i pallatit. Sipas tij, "po kryhen përgatitjet e nevojshme dhe po merren masa për të siguruar strehimin paraprak të banorëve të dëmtuar nga zjarri. Mbrëmë në darkë u mblodh shtabi i emergjencës, i drejtuar nga Prefektja Elfrida Zefi. Nga të dhënat e para, rezulton se të paktën 6 apartamente kanë dalë plotësisht jashtë funksionit. Ndërkaq rrezikohen edhe 6 apartamente të tjera të katit të dytë të pallatit. Familjet e pastreha u akomoduan në konviktin e shkollës së mesme bujqësore në Korçë, ku do të strehohen paraprakisht 8-10 familje. Prefektja Zefi bëri të ditur se ka kërkuar ndihmën e komunitetit të biznesit për t'u ardhur në ndihmë banorëve të dëmtuar nga rënia e këtij zjarri. Për neglizhencë në detyrë, ajo pushoi nga detyra shefin e Sektorit të Emergjencave Civile në Prefekturë, shefin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe shefin e Shërbimit Zjarrfikës.
24 Qershor 2008