E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Koeficientet e maturës, çështje ditësh

• Shumë shpejt do të miratohen koeficientet e lëndëve me zgjedhje dhe shkollës së mesme. Këtë bëri me dije dje drejtoresha e Politikave të Arsimit të Lartë në MASH, Elida Hoxha.Sipas  informacionit u është dërguar tashmë universiteteve dhe u është kërkuar atyre përcaktimi i koeficienteve, si për lëndët me zgjedhje, ashtu edhe për llojin e shkollës së mesme. "Në universitete është dërguar një shkresë, ku është kërkuar që këto institucione të sjellin propozimet e tyre për koeficientet. Disa i kanë sjellë tashmë, si Akademia e Fizkulturës, Universiteti Bujqësor, Universiteti i Korçës, ndërsa Universiteti i Tiranës do t'i sjellë nesër", sqaroi Hoxha. Ajo shprehu besimin se brenda këtyre dy ditëve do të merret i gjithë informacioni që do të shpërndahet në Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe më tej në shkollat e mesme. "E rëndësishme për nxënësit tani është të njihen me të, me koeficientet e lëndëve me zgjedhje dhe të llojit të shkollës së mesme. Në bazë të tyre ata do përcaktojnë lëndët që do japin në provimet me zgjedhje, të përputhshme me degët e universiteteve që ata duan të ndjekin", tha Hoxha. Ajo shtoi gjithashtu se MASH e AVA do të botojnë disa fletë-palosje apo broshura që do të përmbajnë tabelën e koeficienteve, në mënyrë që ky informacion të shkojë deri te maturanti. Këtë vit në listën e lëndëve me zgjedhje, krahasuar me vitin e kaluar, ka lëndë që janë ndarë ose shtuar, p.sh., histori-gjeografi, tashmë janë dy lëndë, ose është frëngjishtja që është një lëndë e re me zgjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›