“Të bashkuar kundër komplotit PS-PD”
• Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha dje se koalicioni "E majta për integrim" do të jetë shumë i gjerë dhe do të konkurrojë i vetëm në zgjedhjet e ardhshme.Aristir Lumezi"Për sa i takon koalicionit të ri, i cili do të konkurrojë në zgjedhjet e ardhshme, mbetet një proces që sapo ka nisur. Ne shumë shpejt do të mbledhin forumet më të larta të LSI-së, të gjithë janë të mirëpritur, ata që e ndjejnë se përmes LSI-së dhe nëpërmjet këtij koalicioni të ri të së "Majtës për integrim" të mund të ndjehen të përfaqësuar në problemet dhe shqetësimet e tyre sociale dhe që kërkojnë zgjidhjen tek një forcë e tillë e pakompromentuar nga qeveria aktuale", tha Meta. Por Meta nuk ka përjashtuar nga ky koalicion edhe partitë e djathta, nën qëllimin madhor të integrimit të vendit. "Profili i LSI është një forcë progresive e të majtës dhe synimi madhor i saj është integrimi i vendit në BE. Prandaj është një ftesë drejtuar në radhë të parë forcave politike, aktorëve, individualiteteve, të cilët e kërkojnë zgjidhjen e problemeve të tyre nga alternativat e së majtës, por njëkohësisht ftesa nuk është përjashtuese, përderisa synimi kryesor është integrimi i vendit", tha Meta. Bashkëpunimi i LSI-së për reformën zgjedhore dhe kundër variantit të dy partive, sipas Ilir Metës, përfshin të gjithë deputetët e Kuvendit shqiptar. Kreu i LSI-së, reformën zgjedhore mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike e ka konsideruar komplot ndaj standardeve dhe votës së shqiptarëve. "Kemi të bëjmë me një komplot të dy partive, të cilat në prapaskenë kanë qëllim përfitimin e tyre të pandershëm në kurriz të të tjerëve nga një sistem që synohet të paraqitet si një novitet për politikën shqiptare, por që në fakt është një sistem që s'ka lidhje me Shqipërinë dhe është një deformim i votës së shqiptarëve", tha Meta. Vetëm pak ditë pas shpalljes së shkëputjes së LSI-së nga koalicioni opozitar nën drejtimin e PS-së, Ilir Meta tha dje se marrëdhëniet e partisë së tij me lidershipin e PS-së nuk ekzistojnë. Por ai nuk përjashtoi marrëdhëniet me atë pjesë të socialistëve që kundërshtojnë komplotin e dy partive. "Marrëdhëniet me PS-në duhen parë në dy plane, marrëdhëniet me lidershipin e PS-së pothuaj nuk ekzistojnë, sepse ata kanë zgjedhur bashkëpunimin me Berishën për qëllime politike. Sistemi që ata duan të promovojnë është kundër të majtës, pavarësisht nga qëllimet e ngushta që ata duan të realizojnë, që përmes listave të mbyllura të kontrollojnë grupin e ardhshëm parlamentar të tyre. Por bashkëpunimi ynë me socialistët që nuk kanë qëllime të ngushta mbetet i hapur, socialistët që nuk janë në pushtet sot, por të cilët janë vërtet në opozitë ashtu siç jemi edhe ne", tha Meta. LSI, e cila ka bashkëpunim me PS-në në këshillin bashkiak të Tiranës, do të mbështesë interesat e qytetarëve dhe jo paktet partiake. Meta sqaron se, "Lëvizja Socialiste për Integrim do të ruaj integritetin e saj në Parlament apo edhe në këshillin bashkiak të Tiranës, ku pritet të votohet në mbështetje të qytetarëve të Tiranës dhe në mbështetje të tyre".Leskaj: Të hapur për konsensusKryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, tha dje se, "Partia Socialiste është e hapur për të biseduar me aleatët me qëllim që përcaktimi i sistemit zgjedhor të bëhet me konsensus". "Nuk ka asnjë ndryshim këto ditët e fundit, nuk ka të bëjë me asnjë lloj tërheqje, por ka të bëjë me atë konstante që Partia Socialiste ka mbajtur. Pra, të qenurit e hapur për të biseduar mbi këtë. Unë besoj që kjo ka qenë edhe linja që është ndjekur dhe më përpara edhe në ofertën që i është bërë maxhorancës për të bashkëpunuar për të dy reformat. Ne nuk kemi asnjë paragjykim. Të gjitha opsionet janë të hapura, ne jemi të hapur për të arritur në një konsensus. Natyrisht që konsensuset nuk do të bëhen në kurriz të njëri-tjetrit, përkundrazi duhet të jenë konsensuse, të cilat garantojnë një sistem zgjedhor të lirë", tha Leskaj.Sistemi spanjoll divorcoi LSI-nëMbledhja e kryesisë së LSI-së vendosi divorcin e saj nga koalicioni opozitar i drejtuar nga Partia Socialiste. Pasi është parë që PS-ja kishte hyrë në një pakt të sigurt me PD-në për reformën zgjedhore, për të aplikuar në Shqipëri sistemin spanjoll zgjedhor, LSI u shkëput nga koalicioni. Sistemi spanjoll është një sistem proporcional rajonal, me prag të hapur elektoral, i cili lëviz në vartësi të zonave, duke e çuar nga 5 deri në 25 për qind.