Bogdani: Rrugët, me fondin e buxhetit të shtetit
PD-ja kundërshton sërish akuzat e opozitës për mungesë të investimeve në infrastrukturën rrugore me argumentin se projektet e qeverisë kanë ndryshuar rrugët e vendit. Por duke pohuar se çdo projekt është bërë brenda tavaneve buxhetore. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, duke iu përgjigjur akuzave pa bazë të z.Braçe, tha dje se “i tërë segmenti Gjirokastër-Tepelenë është ndërtuar në çdo kilometër me fonde të përfshira brenda tavaneve buxhetore të qeverisë dhe maxhorancës, që me punën e saj po ndryshon sot Shqipërinë”. Në vijimësi të deklaratës së nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe se “rruga Gjirokastër-Tepelenë është bërë me paratë e qeverisë socialiste”, z.Bogdani vuri në dukje se “i tërë segmenti ka filluar ndërtimin pas dëbimit me votën e shqiptarëve nga pushteti të regjimit kleptokratik të qeverisë së tij”. Sipas tij, z. Rama, çdo ditë po u fakton shqiptarëve se politika e tij e re është thjesht epidemi mashtrimesh dhe trillimesh. “Sërish ai nxori yllin shkëlqyes të kësaj politike, z. Erion Braçe, që të vjellë vrer ndaj rrugës së shekullit të shqiptarëve, Durrës-Morinë, duke dëshmuar se interesat antikombëtare, korruptive të tyre, qëndrojnë mbi të gjitha interesat e tjera", - deklaroi z.Bogdani. Ai shtoi se “ç’do bënte z. Rama apo qeveria socialiste me rrugët e Shqipërisë, qytetarët shqiptarë kanë mundësi ta shikojnë në Tiranë, ku çdo 500 m rrugë i inauguron 3 herë dhe i shtron për 4 vjet”.