Anri Sala me 7 filma në muzeun e artit bashkëkohor në Majami
Muzeu i Artit Bashkëkohor, MOCA, në Majamin verior, prezanton deri në datën 1 mars, performancën më të madhe artistike në Amerikë të Anri Salës. Paraqitja e artistit shqiptar përbëhet nga 7 filma të orkestruar si një cikël muzikor, nën titullin “Purchase not by the moonlight”. Videot nuk shfaqen njëkohësisht, por njëra pas tjetrës. Të bukura, nostalgjike dhe absurde. Kështu janë konsideruar nga kritika krijimet e Anri Salës. Ato prodhojnë një gjendje të çuditshme mendore. Në projektin e tij “Përgjigjmu” zhvillohet në një kullë roje, mes Berlinit Lindor komunist dhe Berlinit Perëndimor të lirë, ku një grua përpiqet t’i japë fund marrëdhënies me mikun e saj. Arsyetimet e saj mbyten nga jehona e tambureve të mikut të saj, duke krijuar një absurditet politik dhe emocional. “Kohë pas kohe” tregon një kalë të plakur dhe të dobët në një rrugë malore në Tiranë. Kali ecën ngadalë dhe trupi i tij ndriçohet vetëm nga dritat e makinave që kalojnë. Sala nuk ofron një arsye pse kafsha e gjorë gjendet në atë situatë. Është thjesht atje, duke ngritur këmbët e prapme sa herë që makinë kalon aty pari. Videoja duket si një metaforë për vetminë dhe dhunën në qytetet moderne. Sala i kushton vëmendje kohës dhe hapësirës, në mënyrë të veçantë kur ato lidhen në ambientet e një muzeu. Filmat e tij janë programuar të hapen e të mbyllen, duke i shtyrë shikuesit të riorientohen pa nevojën e hapësirës, duke vendosur lidhjen mes pranisë njerëzore dhe të filmit. Muzika është shumë e rëndësishme në punët e tij. Ndjesia e së bukurës dhe e ritmit në videot e Salës, më shumë se absurditeti dhe kundërshtitë e tyre, të krijojnë një ndjesi që nuk të shqitet, që mbështjell punët e tij.