Xhuveli inspektim për pyllëzimin
VLORE - Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli inspekton punën e bërë nga Drejtoria e Pyjores në Vlorë. Në vizitën e tij të djeshme ai ka shkuar në fshatin Bishan, Llogara dhe në Karaburun. Në zonën e parkut të Llogarasë dhe në komunën e Novoselës, Xhuveli ka inspektuar fidanët e akacies dhe të pishave të mbjella rreth një muaj më parë, ndërsa përgëzoi punën e bërë nga ana e Drejtorisë së Pyjeve në Vlorë. Xhuveli theksoi se në gjithë vendin do të mbillen rreth 1 milion fidanë, ndërsa vetëm në Vlorë ky numër është 30 mijë, për të kompensuar prerjen e pishave në zonën e Pyllit të Sodës. Xhuveli tha se pishat e prera në zonën ku po ndërtohet TEC-i do të zëvendësohen në raportin 3 me 1. Ai theksoi se për mbrojtjen e zonave pyjore që dëmtohen nga persona të ndryshëm do të ketë penalizime sikundër është proceduar, ndërsa duhet një punë më e madhe e të gjitha strukturave, duke përfshirë edhe median. q.b