“Koha e Kometës” konkurron në Beograd
Alma Mile
“Koha e Kometës” përballet me kinemanë botërore. Nga data 20 shkurt deri në 1 mars, në Beograd zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Filmit, ku filmi me regji të Fatmir Koçit do të konkurrojë në seksionin “Europe out of Europe” (“Evropa jashtë Evropës”). Një kategori ku konkurrojnë 9 filma, prodhime të vendeve që nuk përfshihen në Bashkimin Evropian, nga Ballkani, vende të ish-Bashkimit Sovjetik, por edhe Azia e Lindja e Mesme. Parashikohet një vit plot emocione e garë të fortë. Edhe këtë herë do të konkurrohet në kategoritë tradicionale “Europe out of Europe”, “Horizons” (me më të mirët nga festivalet e Kanës, Venecias, Berlinit, Torontos …), “Discoveries”, “Facts and puzzles” dhe “FantAsia”, një program special të titulluar “New argentinian film”. Filmat do të shfaqen në kinematë më të njohura të Beogradit si “Sava Centar”, “Belgrade Cultural Center”, kinemaja e arkivit të filmit Jugosllav, “Balkan”, duke e vënë gjithë qytetin në shërbim të këtij festivali, një ndër më të rëndësishmit në llojin e vet, në Evropë. Gjatë ditëve të festivalit, do të zhvillohet edhe edicioni i katërt i takimit të industrisë së kinematografisë, B2B, ku marrin pjesë kineastë, të cilët i takojnë vendeve, që garojnë në seksionin “Europe out of Europe”. B2B fokusohet në prodhimin, autorët dhe filmat me origjinë gjeografikisht në Evropë, por që ende nuk janë integruar në të. Gjithsesi, kanë një ndikim të fuqishëm evropian dhe trashëgimi kulturore evropiane si Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Gjeorgjia, Izraeli, Kazakistani, Kirgistani, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Serbia, Rusia, Taxhikistan, Turqia, Turkmenistani, Ukraina dhe Uzbekistani. Gjatë fundjavës, B2B do të kthehet në një vend takimi mes regjisorësh, producentësh, distributorësh e sponsorësh nga e gjithë Evropa. Gjatë edicionit të tretë, 12 autorë-producentë patën mundësinë të prezantonin projekte nga 11 vende. Tre projektet më të mira përfituan nga 7.000 euro secili. Ndërsa këtë vit vijnë 12 projekte nga 20 vende të rajonit, të cilat do prezantohen në tre seksione: Evropa Lindore (Armenia, Azerbajxhan, Bjellorusi, Gjeorgjia, Moldavia, Rusia dhe Ukraina), Euro-Azia (Izrael, Kazakistan, Kirgistan, Taxhikistan, Turqi, Turkmenistan dhe Uzbekistan) dhe vendet e Ballkanit (Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia). Një shumë prej 5.000 eurosh do t’i jepen projektit më të mirë në çdo seksion.
Filmi
I bazuar në romanin “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë, filmi me regji të Fatmir Koçit, prodhim i “LARA Enterprises”, i vendos ngjarjet në vitin 1914, kohë kur në Shqipëri zbarkoi, Princ Vidi, i komanduar nga Fuqitë e Mëdha si mbreti i shqiptarëve. Është ky lajm që vë në rrugë një grup shqiptarësh, të cilët vendosin që të luftojnë në emër të tij. Nisen të armatosur për t’iu falur mbretit e për të gjetur luftën, por është një kërkim i pafat. Si ka ndodhur në historinë e shqiptarëve, ata përfunduan duke luftuar me çeta kusarësh, po shqiptarë, duke mos e gjetur askund armikun e vërtetë. Interpretojnë Blerim Destani, Çun Lajçi, Marsela Lusha, Xhevdet Jashari, Adem Karaga, Xhevdet Ferri, etj.
Marrin pjesë
Emra të mëdhenj të kinemasë botërore marrin pjesë në këtë edicion të 37-të të Festivalit të Beogradit. Ndër ta regjisori Laurent Kante, fitues i Palmës së Artë në Kanë, vëllezërit Darden, Ken Loach, për të vijuar me yjet e kinemasë së të gjitha kohërave, si Catherine Deneuve, Sean Penn, Benicio del Toro, Angelina Jolie, John Malkovich, Ralph Fiennes, Gwyneth Paltrow, Kira Knightley, etj.