E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqata “Antipatrea”: Projekt i ri për rrugën Lushnjë-Berat

 

BERAT – Pas vendimit të KRRTRSH-së për rindërtimin e rrugës nacionale Lushnjë-Berat, anëtarët e shoqatës “Antipatrea, Berati i lashtë” kërkojnë miratimin e një projekti tjetër. Sipas përfaqësuesve të saj, me të njëjtën vlerë prej 32 milionë dollarësh, që parashikohet rikonstruksioni i rrugës së vjetër mund të ndërtohet një tjetër, e cila shkurton 5 km. Investimi, sipas KRRTRSH-së, do të kryhet mbi gjurmën e rrugës aktuale, parashikuar vetëm një by pass pranë qytezës së Urës Vajgurore. “Ne kërkojmë me çdo kusht që segmenti rrugor nga rotondo në dalje të qytetit të Lushnjës, në drejtim të Urës-Vajgurore të ndërtohet në gjurmë të re, jo në gjurmën ekzistuese. Ajo ekzistuese është  25 km e gjatë, kalon nëpër kodra me mbi 70 kthesa, pjesa më e madhe të rrezikshme. Ndërsa rruga e re do të jetë e gjatë 20 km, me shumë pak kthesa dhe në një terren tërësisht fushor. Ky segment rrugor do të shërbejë edhe për rrethet Durrës, Kavajë, Rrogozhinë dhe Lushnjë për t’u lidhur me korridorin qendror jugor Berat-Memaliaj–Gjirokastër-Kakavijë-Sarandë në rrugë me të shkurtër”, pohohet në deklaratën e përgatitur nga kryetari i shoqatës, Pavllo Shkarpa, me profesion inxhinier dhe sekretari i përgjithshëm i saj, Jorgo Zallemi, ekonomist. Sipas projektit të parashikuar prej tyre, rruga e re lidh në udhëtim më të shkurtër Beratin, Kuçovën dhe Skraparin me 10 km; afron banorët e këtij qarku dhe biznesin me Durrësin, Lushnjën dhe rrethe të tjera dhe do të ulë koston e transportit për rajonin dhe të tërheqë turistë në qytetin tashmë pjesë të UNESCO-s. Me këtë rast, shoqata u bën thirrje deputetëve të Beratit për të kërkuar interpelancë me kryeministrin në Parlament për këtë investim jetik për qarkun. Po ashtu, u kërkohet kryebashkiakëve të qarkut dhe prefektit, të mbështesin shoqatën për të realizuar këtë projekt. Sipas shoqatës, investimi në rrugën ekzistuese është i gabuar dhe se koha do ta tregojë këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›