Antinomitë e Fatos Tarifës për Amerikën
Prof. Dr. Ali Jashari
Ditët e fundit doli në qarkullim nga Shtëpia botuese “Ombra GVG” një libër i ri i sociologut dhe studiuesit të mirënjohur të çështjeve ndërkombëtare, profesor Fatos Tarifa, me titull “Amerikanofobia dhe antiamerikanizmi evropian”, i 25-ti libër i këtij studiuesi të njohur shqiptar. Shënimet për këtë libër i kam titulluar “Antinomitë e Fatos Tarifës për Amerikën” sepse, në thelb, i gjithë materiali faktik dhe përsiatjet e autorit mbi këta fakte mbështeten në konceptin e antinomisë, një term ky i përdorur së pari dhe më së shumti në fushën e filozofisë (anti-kundër dhe nomos-ligj). Burimi i antinomive është “Amerika”, nga e cila kanë dalë dy krahët e antinomisë: antiamerikanizmi dhe anti-antiamerikanizmi. Po ta kundrosh me vëmendje, koncepti i antinomisë përfaqet qysh në emërtimin e kapitujve të librit: denigrimi dhe vlerësimi (i Amerikës); sentimente pro-amerikanë dhe antiamerikanë, deri në trajtimin e këtyre dy krahëve të kundërt. Dy kapitujt kryesorë të librit të profesor Tarifës “Denigrimi i Amerikës” dhe “Vlerësimi i Amerikës” shtëlliten përmes citimeve të autorëve të ndryshëm, të cilët gjithashtu, kanë në thelb qëndrime antinomike: moderniteti dhe konservatorizmi; tradita dhe antitradita; zhvillimi dhe kundërzhvillimi; humanizmi dhe dehumanizmi etj. Në kapitullin “Denigrimi i Amerikës” lexuesi mund të marrë një informacion mjaft interesant për fakte të shumtë, të cilët të shkaktojnë njëherësh habi dhe keqardhje, siç janë qëndrimet antiamerikane të personaliteteve të tillë, si: Sigmund Freud, Martin Heidegger, Jean-Paul Sartre, Jean Baudrillard, Alan de Benoist, shkrimtari nobelist gjerman Günter Grass, ish-presidenti francez Jacques Chirac. Përfundimi i profesor Tarifës për këtë dukuri është se antiamerikanizmi jo vetëm vazhdon të ekzistojë, por është bërë një tipar i përhapur në shumë pjesë të botës dhe kjo buron nga një impuls i përgjithshëm dhe universal për të kërkuar fajin jashtë vetes, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara për gabimet, mungesat dhe anomalitë e vendeve të tjerë. Edhe kapitulli “Vlerësimi i Amerikës” ka në pikënisje të tij një antinomi, e cila buron nga të qenit evropian: largësia dhe familjariteti me të dy anët e Atlantikut. Por në ç’argumente e mbështet autori vlerësimin, pra anti-antiamerikanizmin, si krahun “më të fortë” të antinomisë? Më poshtë rendis vetëm disa: letërsia amerikane e përkthyer dhe e lexuar në Evropë; universitetet amerikanë, të cilët janë në avangardë të arsimit dhe të shkencës botërore; besimi i palëkundur i amerikanëve në të ardhmen; vlerësimi i lartë që kanë amerikanët për lirinë; fakti që amerikanët janë kritikë dhe të pavarur në mendimet e tyre; pragmatizmi amerikan etj. Në parathënien që ka shkruar për këtë libër sociologu i njohur amerikan Jay Weinstein, vihet në dukje se “Profesor Fatos Tarifa është i kualifikuar në një mënyrë që jo shpesh e gjen ndër intelektualët e sotëm evropianë për të diskutuar dhe gjykuar mbi perceptimet, që kanë evropianët dhe ai vetë për shoqërinë amerikane”. Kjo cilësi e spikatur e autorit, bën që ai ta vlerësojë Amerikën dhe ta shpjegojë atë për lexuesin si shoqëria “me diversitetin më të madh etnik dhe religjioz” dhe që ofron “më shumë alternativa mënyre jetese se çdo shoqëri tjetër moderne, përfshirë edhe Evropën Perëndimore”. Ashtu si edhe shumë intelektualë të tjerë evropianë, është i bindur se “ëndrra amerikane” nuk është venitur, ndaj ai shkruan: “Ashtu si në të kaluarën, Amerika vazhdon të joshë miliona njerëz nga të gjitha anët e botës. Ajo vazhdon të tërheqë më të mirët dhe më të shquarit, duke u krijuar atyre mundësinë të ngrihen në krye të klasës së tyre brenda një gjenerate”. Për lexuesin mendoj se ngjall interes të veçantë kapitulli i titulluar “Si ta kuptojmë antiamerikanizmin?”. Me antiamerikanizëm profesor Tarifa kupton “një predispozicion negativ, apo një lloj ambiguiteti (i cili në më të shumtën e rasteve nuk ka bazë, apo përmbajtje objektive) si edhe një qëndrim të caktuar”. Sipas tij, duke qenë ajo që është, “Amerika nuk lë askënd indiferent, por stimulon një gamë të gjerë ndjenjash dhe sentimentesh: admirim të madh, simpati, mirënjohje, por edhe zili, irritim, nevojë për mbrojtje dhe gjithashtu nevojë për pavarësi”. Profesor Tarifa me të drejtë thekson se është shumë e rëndësishme të dallojmë dhe të ndajmë antiamerikanizmin prej kritikave të justifikuara ndaj politikave të caktuara të Shteteve të Bashkuara. Kjo, sipas tij, sidoqoftë, nuk është kurdoherë e lehtë, përderisa kritikat e justifikuara ndonjëherë bëhen një, apo konvergojnë, me predispozicione antiamerikane, të cilat nuk janë plotësisht racionale. Dëshiroj ta mbyll me një thënie të poetit romak Terencit: “Habent sua fata libelli” (librat kanë fatin e tyre). Pra, librat, si njerëzit, lindin disa të vdekur, të tjerë fillojnë të vdesin nga dita e lindjes, ndërsa pak kanë një jetë të qëndrueshme dhe të lulëzuar. Besoj se libri i profesor Tarifës bën pjesë ndër këta të fundit, ndaj dhe dëshiroj ta lexoni.