Ansip: Liberalizimi i vizave, Shqipëria jo në bllok me Bosnjën
Kryeministri i Estonisë, Andrus Ansip, deklaroi dje në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Berisha se liberalizimi i vizave është i lidhur direkt me plotësimin e kushteve teknike të secilit vend. I pyetur nga mediat shqiptare nëse Shqipëria e Bosnja janë të lidhura në këtë proces, Ansip tha se çdo vend ka detyrimet e veta. "Liberalizimi i vizave është një fushë, ku blloqet nuk janë të rëndësishme aq sa mënyra e kryerjes së punës. E di që në Shqipëri keni bërë përpjekje të lavdërueshme për sa i përket plotësimit të disa kushteve siç janë pasaportat biometrike, kartat e identitetit dhe me siguri që do arrini aty. Liberalizimi i vizave nuk do të bëhet nga mënyra se si do e bëjnë këtë punë vendet e tjera", tha Kryeministri estonez. Në konferencën për shtyp, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se është në favor të zbatimit të një sistemi të votimit elektronik në Shqipëri, për të rritur besueshmërinë e votës. Berisha propozoi që anëtarë të opozitës dhe maxhorancës mund të shohin nga afër eksperiencën estoneze të votës elektronike, për ta vënë më pas në zbatim në Shqipëri. "Lidhur me votimin elektronik, unë jam plotësisht në favor të tij. Ajo çka do të propozoja, është që anëtarë të komisionit të reformës zgjedhore, nga qeveria dhe nga opozita, të bëjnë një vizitë në Estoni dhe të shohin të gjithë praktikën që është përdorur nga ky vend për zgjedhje elektronike. E vërteta është se këto sisteme po përdoren gjithnjë e më shumë dhe janë më transparente. Ne jemi të gatshëm që së bashku me opozitën të përcaktojmë procedurat më të mira, më transparente", tha Berisha, i cili shprehu besim në një sistem të tillë. Nga ana e tij, Kryeministri estones u shpreh se në vendin e tij, 15 për qind e qytetarëve kishin votuar në internet dhe askush nuk kërkoi rinumërim më pas. Kreu i Qeverisë shqiptare komentoi edhe protestat e opozitës, duke thënë se mbetet për të realizuar transparencën, por pa prekur vendimet e gjykatave. "Protesta janë një e drejtë e patjetërsueshme e opozitës dhe mbarë qytetarëve të një vendi të lirë, e garantuar me Kushtetutë, me të gjitha rregullat", deklaroi Berisha.