E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasjet në Shërbimin Civil, Kuvendi “shkarkon” 4 anëtarët



BLEDAR HOTI

Komisioni i Ligjeve merr vendim për shkarkimin në bllok të katër anëtarëve të Komisionit të Shërbimit Civil. Shkak i këtij vendimi janë bërë mosmarrëveshjet dhe mosfunksionimi i këtij institucioni. Përplasjeve disavjeçare mes katër anëtarëve të këtij institucioni, që u pasuan së fundmi me shkarkimin e kryetares Mimoza Hysenaj, zgjedhjen e nënkryetarit Kostandin Kazanxhi, marrjes së vulës së institucionit duket se Kuvendi kërkon t'i japë zgjidhje me shkarkimin e anëtarëve. Në rezolutën e miratuar nga komisioni theksohet se "KSHC ka dëmtuar imazhin publik të institucionit dhe është pengesë serioze në garantimin e të drejtave të njeriut për palët ankimuese. Me episode të shumta dhe të përsëritura të gjithë anëtarët aktualë kanë mbajtur qëndrime, që i bëjnë ata të padenjë për të ushtruar funksionet e ngarkuara me ligj". "Komisioni i rekomandon Kuvendit shkarkimin në bllok të të gjithë anëtarëve të KSHC-së. Deri në bërjen efektive të shkarkimit u kërkon anëtarëve aktualë të KSHC-së që të ndërpresin menjëherë konfliktet e brendshme dhe të risjellin normalitetin në funksionimin e këtij institucioni", thuhet në rezolutën e miratuar. Relatorja e raportit të KSHC-së, Arenca Trashani, i ka cilësuar si një telenovelë të dalë mode marrëdhëniet mes anëtarëve, por për t'i dhënë fund asaj, maxhorancës i duhet patjetër të kërkojë konsensusin e opozitës. Duhen 84 vota nga ana e deputetëve për ripërtëritjen e këtij institucioni, gjë që me mospraninë e opozitës, duket mision i pamundur. Maxhoranca më të lehtë e ka të zgjedhë apo të shkarkojë Presidentin e Republikës, se sa të heqë katër anëtarët e KSHC-së me ¾ e votave të Kuvendit.
Debati në komision
Katër anëtarët, Mimoza Hysenaj, Kostandin Kazanxhi, Shahin Bistri dhe Sajmir Mani janë përplasur përpara deputetëve mbi ecurinë e punës së tyre. Mani akuzoi Hysenajn se e ka kthyer institucionin në një ndërmarrje private dhe veprimi për shkarkimin e saj si kryetare dhe caktimin e zv/kryetarit të Kazanxhiut i ka dhënë frymëmarrje institucionit dhe ia kthyer autoritetin. "E them me plot gojën se ishte kthyer një institucion jo vetëm në një rrugë paligjshmërie, por në një ndërmarrje të rëndomtë private dhe duhet shkojë deri në përgjegjësi penale për bllokimin e këtij institucioni. Institucioni tani drejtohet nga juristë dhe jo nga kimistë dhe biokimistë si Hysenaj", tha Mani. Ndërsa kryetarja e shkarkuar, Hysenaj, nga ana e saj i ka cilësuar veprimet e anëtarëve si të paligjshme, duke bërë të ditur se i ka bërë kallëzim penal për marrjen e vulës dhe i është drejtuar gjykatës për shkarkimin nga posti që mbante. "Në mars të vitit 2010, pas shumë tentativash dhe përpjekjesh, është bërë një veprim ligjor, i cili ka synuar zhbllokimin e institucionit përmes vendimmarrjes, duke shkarkuar kryetaren Mimoza Hysenaj. Pra, ne bëmë një zgjidhje jo zgjedhje, duke larguar Hysenajn dhe duke zgjedhur nënkryetarin deri në momentin kur komisioni do të zgjedhë një kryetar tjetër. Pas këtij momenti, ne kemi bërë një raport shtesë, ku pasqyrohet puna përgjatë kësaj periudhe", - tha Kazanxhi.

debati ne komision e ligjeve

Kostandin Kazanxhi, KSHC: KSHC ka pasur një nivel pune jo normale për vitin 2009 dhe shpeshherë ajo ka qenë e bllokuar për vendimmarrjen kolegjiale, në frymën e së cilës ky komision është ndërtuar. Në mars të vitit 2010, pas shumë tentativash dhe përpjekjesh është bërë një veprim ligjor, i cili ka synuar zhbllokimin e institucionit përmes vendimmarrjes, duke shkarkuar kryetaren Mimoza Hysenaj.
Sajmir Mani, KSHC: Ne kemi arritur deri aty sa të akuzojmë se ai institucion është kthyer në një ndërmarrje private. E them me plot gojën se ishte kthyer në një institucion jo vetëm në një rrugë paligjshmërie, por në një ndërmarrje të rëndomtë private dhe duhet shkojë deri në përgjegjësi penale për bllokimin e këtij institucioni.
Enkelejd Alibeaj, PD: Pse nuk ka funksionuar parimi i kolegjialitetit?
Mimoza Hysenaj, KSHC: Faktor tjetër i rëndësishëm për mosfunksionimin e këtij institucioni është se z.Kazanxhi ka munguar për më shumë se 6 muaj e gjysmë për arsye të papërligjura. Për këto arsye, unë u detyrova që gjatë muajit dhjetor të bëj ndërprerje të rrogës të anëtarëve që nuk merrnin pjesë në komision.Ky veprim solli edhe revoltën e këtyre anëtarëve, të cilët arritën kulmin me rrëmbimin e vulës dhe kalimin e institucionin në anarki.
Sajmir Mani: Zj.Hysenaj trajtoi disa çështje, për të cilat unë nuk jam absolutisht dakord. Kjo nuk e njeh kolegjialitetin dhe mendoj se nuk e ka njohur mbi këtë institucion. Kjo ka qenë gjithmonë pika ku janë bërë debate.
Ilir Rusmajli, PD: Ti nuk mund të marrësh të drejtën që të transformosh ato që tha zonja. Ajo tha se vendimet që janë me tri firma, janë marrë në mbledhje të thirrura në mënyrë të kundërligjshme, prandaj edhe janë nul. Ajo tha që mbledhja është thirrur në mënyrë të paligjshme.
Shahin Bistri: U bë një pyetje nga zoti Paloka këtu, se 'ku është vula'?
Ilir Rusmali, PD: S'ka nevojë të bësh ndërhyrje, zoti Paloka bëri një pyetje retorike?
Shahin Bistri: Komisioni duhet të funksionojë, sepse tani është vënë në një punë të mbarë me zgjedhjen e nënkryetarit, që është jurist dhe me përvojë. Ku është vula? Ajo ruhet në institucion, sipas të gjithë rregullave që parashikohet në legjislacion.
Sajmir Mani: Mendoj që ne aktualisht, pikërisht se ishim kthyer në qesharakë, e kthyem institucionin këtu, duke ia rikthyer autoritetin. Në lidhje me funksionimin e institucionit, unë, zoti Rusmali dhe nëpërmjet zonjës Topalli...
Ilir Rusmali: Unë jam kryetar i komisionit dhe për sa kohë e ushtroj këtë funksion, më pëlqen të më thërrasin.
Sajmir Mani: Më fal, zoti kryetar. Unë mendoj se të kaluarën e kaluam, e riparuam dhe kemi ardhur në një gjendje jo normale, por tepër normale dhe funksionale. Në fund të fundit po punojmë me profesionistë juristë dhe jo me kimistë dhe biokimistë. Sepse ky institucion, u katandis kështu, sepse shumë gjëra nuk kuptohen, pasi zonja Hyseni ka mbaruar për Kimi dhe nuk kupton konceptin e institucioneve dhe të funksionimit të saj.
Ilir Rusmali, PD: Zoti Mani kjo ishte një kritikë ndaj Kuvendit, që ka bërë me zgjedhjen e zonjës Hysenaj në detyrë. Nuk plotëson kriteret ligjore për të ushtruar funksionin.
Sajmir Mani, KSHC: Unë do të thosha, më vjen keq që gabimi është i yni, ose i atyre që e votuan si kryetare të komisionit. Ju i dhatë vetëm mandatin e saj.
Mesila Doda, PD: Përse nuk është kërkuar shkarkimi i anëtarëve komisionit?
Mimoza Hysenaj, KSHC: Problemi i shkarkimit është një pak i komplikuar, sepse duhen 3/5 e votave për t'i shkarkuar.
Ilir Rusmali, PD: Zonja Doda nuk ju pyeti se pse nuk i keni mbledhur votat, por pse nuk e keni kërkuar ju?
Mimoza Hysenaj, KSHC: Aha, nuk e kam kërkuar, jam mjaftuar vetëm për informim, s'kam bërë propozim. Në momentin që u njoftova për vulën, atëherë unë bëra dhe padi penale dhe iu drejtova gjykatës.
Edi Paloka, PD: Po them vetëm një batutë, meqenëse nuk është një situatë humori, por tragjikomike, po them të keqen e Ruzhdies!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›