E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anti-Holanda, statistika të varfëra të “Bariçëve” kuqezinj

Humbja me Rumaninë në "Qemal Stafa", pas atij barazimi të pa gola të pjesës së parë (por dhe barazimit zyrtar me Bjellorusinë në Minsk 2-2), i ka të gjitha gjasat të përsëritet në "Amsterdam Arena" kundër portokallinjve të Holandës. Një humbje e pritshme (ose e menduar si e tillë) nga një Kombëtare kuqezi, që duket se si për retorikë të simbolit kombëtar, është e përbërë nga dy kokë: Shqipëria dhe Kosova (pesë lojtarë kosovarë luajtën dje në miqësoren e fituar 8-0 kundër amatorëve të VPV Purmersteijn). Një ballafaqim në Holandë, i fundit për vitin 2006, ku do të presim gjashtë muaj deri sa të vijë ndeshja e 24 marsit 2007, ajo kundër Sllovenisë, që për momentin ndodhet poshtë Shqipërisë, ende pa asnjë pikë.
Eksperienca ndërkombëtare është shumë e rëndësishme në ndeshje të nivelit të lartë. Shqipëria jo pak herë është ndëshkuar në fillim dhe në fund të takimeve, kur kemi pësuar gola në minutën e dytë të takimit me Turqinë, por kemi humbur barazimin edhe në minutën e fundit me Gjermaninë. Pas fitores së bujshme me kampionen e Europës, Greqinë (2-1), Shqipëria zhvilloi një ndeshje shumë të mirë me Gjeorgjinë, por që e humbëm 2-0, pikërisht nga një mungesë përvoje. Përballë një ekipi si Holanda (i gjashti në botë, sipas renditjes së FIFA-s), përvoja e lojtarëve është një nga parakushtet për të shpresuar një rezultat të mirë.
Le të zbardhim disa statistika të përfaqësueses sonë.
Futbollisti më me eksperiencë dhe me më shumë ndeshje ndërkombëtare është kapiteni Igli Tare, që ka zhvilluar 66 ndeshje me fanelen kuqezi, duke shënuar 10 gola, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë brenda grupit që ka thirrur Baric në skuadrën anti-Holandë.
Një tjetër veteran është Altin Haxhi, që ka në arkivin e tij 55 ndeshje (2 gola), për t'u ndjekur më pas nga shqiptaro-gjermani Altin Lala me 52 ndeshje (3 gola). Me 40 ndeshje e sipër janë 3 lojtarë: Ervin Skela (41, 8 gola), Edvin Murati (45, 4), Besnik Hasi (41, 2). Sulmuesi i Sienës, Erjon Bogdani, golashënuesi më i mirë shqiptar në fushatën kualifikuese Gjermani 2006 (4 gola), ka zhvilluar 33 ndeshje duke shënuar në total 7 gola. Kapiteni i SK Tirana, Devi Mukaj ka të regjistruar 31 ndeshje, por nuk ka mundur të shënojë asnjë gol në ndeshjet që zyrtarisht njihen nga FIFA dhe UEFA.
Në portë 31-vjecari Arjan Beqaj me 19 ndeshje lë pas 26-vjecarin Ilion Likën me 14 takime ndërkombëtare.
Futbollisti me më shumë pëvrojë në repartin e mbrojtjes është Adrian Aliaj: 28 ndeshje, 8 gola ( i vetmi mbrojtës golashënues). Pas tij, një repart modest mbrojtje në kritetin e statistikave: Dede (15 ndeshje), Dallku (12), Osmani (3), Curri (3), Xhafa (2) dhe Pisha (2).
Sulmi pa Taren dhe Bogdanin është një varfëri frikësuese: as Edmond Kapllani (11 ndeshje), as Salihi (1) dhe as Berisha debutues nuk kanë në skedën e tyre personale një gol të shënuar. Gjithsesi kundër amatorëve të VPV Purmersteijn (8-0), coi te goli Hamdi Salihin, Besart Berishën dhe Devi Mukën.
Franc Hoxha

NDESHJET DHE GOLAT
1. Ilion Lika 14 ndeshje-0 gola
2. Arjan Beqaj 19-0
Mbrojtës
3. Armend Dallku 12-0
4. Erion Xhafa 2-0
5. Arjan Pisha 2-0
6. Adrian Aliaj 28-8
7. Nevil Dede 15-0
8. Debatik Curri 3-0
9. Tefik Osmani 3-0
Mesfushorë:
10. Ervin Skela 41-8
11. Edvin Murati 45-4
12. Devi Mukaj 31-0
13. Altin Lala 52-3
14. Altin Haxhi 55-2
15. Besnik Hasi 41-2
16. Ervin Bulku 1-0
Sulmuesë
17. Erion Bogdani 33-7
18. Igli Tare 66-10
19. Edmond Kapllani 11-0
20. Besart Berisha 0-0
21. Hamdi Salihi 1-0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›