E Diel, 1 Nëntor 2026

Anti-Suedia, 31 fakte për KombëtarenPërpara sfidës me Suedinë, Albania-sport paraqet 31 fakte e statistika në lidhje me Kombëtaren tonë gjatë këtyre eliminatoreve, por dhe historike

Rrjetet sociale:

Shqipëria është gati kundër Suedisë, takimi i fundit në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010, ku Kombëtarja jonë merr pjesë për herë të parë, qysh nga kualifikueset e Botërorit të vitit 1966 (Angli), me ndeshjen e humbur 2-0 kundër Holandë, më 24 maj 1964.

Trajneri kroat Josip Kuzhe – i 24-ti në historinë e Kombëtares shqiptare, i pari është serbi Ljubisha Broçiç (1946) – është përpara provës së parë në transferte me përfaqësuesen tonë, pasi të katërta ndeshjet e Shqipërisë nën drejtimin e pasuesit të holandezit Ari Han, janë zhvilluar që të gjitha në “Qemal Stafa”, si dy zyrtaret me Portugalinë (1-2) e Danimarkën (1-1), ashtu dhe miqësoret me Gjeorgjinë (1-1) e Qipron (6-1).

Suedia është një sfidë më shumë personale e bashkatdhetarit të Oto Bariçit, pasi Ari Han barazoi 0-0 më skandinavët në ndeshjen hapëse të eliminatoreve. Edhe pse rezultati nuk ka ndikim direkt në renditjen e grupit tonë – Shqipëria është e fiksuar përfundimisht në vendin e pestë, duke lënë pas vetëm Maltën – një pikë e marrë do të influenconte jo pak në grupimin e skuadrave të vazos së katërt, ku mbi bazën e së cilës do të hidhet edhe shorti i eliminatoreve të Kampionatit Europian 2012.

Grumbullimi tetë ditor në Gjermani, ku përfaqësuesja jonë zhvilloi edhe dy ndeshje miqësore – fitoi 2-0 me amatorët e FC Hasloh e humbi 2-1 me Greuther Fyrth të Bundesligës 2 – i shërbyen trajnerit Kuzhe për të marrë informacionet e nevojshme për të ndërtuar formacionin startues anti-Suedi, ku risia është prania e Altin Haxhit.

Në fakt, Kuzhe është shfaqur me imazhin e një trajneri të suksesshëm me Shqipërinë. Bilanci i tij në dy ndeshjet zyrtare është një humbje në minutën e fundit me Portugalinë (1-2) dhe një barazim me Danimarkën (1-1), kryesuesen e grupit tonë. Dy miqësoret flasin tërësisht në favor të ish-trajnerit të Dinamos së Zagrebit: 1-1 me Gjeorgjinë, e që kulmon me fitoren 6-1 kundër Qipros, fitorja më e thellë në historinë e Kombëtares sonë, 235 ndeshje të luajtura.

Përpara sfidës me Suedinë, Albania-sport paraqet 31 fakte e statistika në lidhje me Kombëtaren tonë gjatë këtyre eliminatoreve, por dhe historike.

31 fakte mbi Kombëtaren

1
Suedia – Shqipëria i nisi eliminatoret e Botërorit 2010 me ndeshjen hapëse kundër Suedisë, në barazimin 0-0 në “Qemal Stafa”, më 6 shtator 2008, dhe po i mbyll po me Suedinë në “Rasunda Stadium”, më 14 tetor. Nëse Suedia nuk do të kualifikohet për në finalet e Botërorit, një nga “fajtorët” për të mos parë Zlatan Ibrahimoviçin në Afrikën e Jugut është dhe Kombëtarja jonë. Shqipëria renditet e 93-ta në FIFA, Suedia e 41-ta.

2
Katër ndeshje – Kundër Suedisë, Shqipëria ka zhvilluar katër ndeshje historike, tre zyrtare dhe 1 zyrtare. Bilanci: 1 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje. Golat: 4-9. Ndeshja e 14 tetorit është e pesta midis dy vendeve.

3
Katër trajnerë - Kroati Josip Kuzhe është trajneri i katërt i përfaqësueses sonë, që përballet me Suedinë, qysh nga takimi i parë kundër tyre, më 5 nëntor 1988, një ndeshje për eliminatoret e Kupës së Botës “Italia 1990”. Më parë janë ndeshur me nordikët trajneri shqiptar Shyqyri Rreli (2 ndeshje, 2 humbje), gjermani Hans Peter Brigel (1 ndeshje, 1 fitore) dhe holandezi Ari Han (1 ndeshje, 1 barazim).

4
Fituesi Brigel – Trajneri gjerman Hans Peter Brigel, është i vetmi që ka fituar me Suedinë, edhe pse bëhet fjalë veçse për një ndeshje miqësore. Shqipëria fitoi 2-1, më 18 shkurt 2004, me golat e Ervin Skelës dhe Adrian Aliajt.

5
7 pikë - Pas nëntë ndeshjeve të para, Kombëtarja jonë ka grumbulluar vetëm 7 pikë, duke pasur në bilancin e saj, 1 fitore, 4 barazime dhe 4 humbje. Golaverazhi: 5-8.

6
1 fitore – Në eliminatoret e Botërorit 2010, Shqipëria ka arritur vetëm një fitore, ajo kundër Maltës me rezultatin e pastër 3-0. Shqipëria ka shënuar 5 gola në 9 ndeshje, ose mesatarisht, 0.56 gola për ndeshje.

7
4 barazime – Shqipëria ka regjistruar katër barazime në këto kualifikuese, tre prej tyre të konsideruara të mëdha: 0-0 me Suedinë, 0-0 me Portugalinë, 0-0 me Maltën dhe 1-1 me Danimarkën.

8
4 humbje – Kuqezinjtë kanë regjistruar katër humbje në grupin 1 kualifikues, përkatësisht me Hungarinë (2, 2-0 në Budapest; 0-1 në Tiranë), Danimarkën (1, 3-0 në Kopenhgen) dhe Portugalinë (1-2, në Tiranë). Shqipëria ka pësuar 9 gola në 9 ndeshje, ose mesatarisht 1 gol për ndeshje.

9
2 trajnerë – Kombëtaren shqiptare gjatë eliminatoreve të Kampionatit Botëror 2010 e kanë drejtuar dy trajnerë, holandezi Ari Han dhe kroati Josip Kuzhe, aktualisht në detyrë.

10
Bilanci i Hanit – Trajneri holandez Ari Han e drejtoi Shqipërinë në shtatë ndeshje, duke pasur këtë bilanc: 1 fitore (me Maltën, 3-0), 3 barazime (me Suedinë, 0-0; Portugalinë 0-0 e Maltën, 0-0), 3 humbje (dy me Hungarinë, një me Danimarkën).

11
Bilanci i Kuzhes – Trajneri Josip Kuzhe, kroati i dytë pas Oto Bariçit, që ka fatin të drejtojë përfaqësuesen tonë, në dy ndeshje me Kombëtaren ka arritur një barazim (me Danimarkën, 1-1) dhe një humbje (me Portugalinë, 1-2).

12
25 lojtarë –Shqipëria ka aktivizuar në këto eliminatore 25 lojtarë gjatë nëntë ndeshjeve të zhvilluara. Më shumë ndeshje të luajtura, Debatik Curri, Ervin Skela dhe Klodian Duro, nga 9, ose në të gjitha takimet. Më shumë minuta ka nga këta të tre, Debatik Curri, 810 minuta ose 100%. Më pak minuta ka luajtur sulmuesi i Tiranës, Migen Memelli, gjithsej 5 minuta.

13
Nëntë shtete –Lojtarët aktualë të thirrur nga Kuzhe luajnë në nëntë shtete të ndryshme, të shpërndarë sipas kësaj gjeografie: Shqipëri (5, Elvin Beqiri, Jetmir Sefa, Franc Veliu, Endri Vrapi, Maringlen Shoshi); Ukrainë (4, Isli Hidi, Debatik Curri, Armend Dallku, Ervin Bulku); Gjermani (4, Ervin Skela, Jahmir Hyka, Besart Berisha, Edmond Kapllani); Itali (2, Erjon Bogdani, Samir Ujkani); Qipro (2, Altin Haxhi, Klodian Duro), Angli (1, Lorik Cana); Kroaci (1, Emiljano Vila), Austri (1, Hamdi Salihi) dhe Turqi (1, Gilman Lika).

14
Më i riu – Lojtari më i ri në moshë është Samir Ujkani, i datëlindjes 5 korrik 1988, saktësisht 21 vjeç e 75 ditë në prag të ndeshjes me Suedinë, më 14 shtator 2009.

15
Më i moshuari – Altin Haxhi është dhe lojtari më i vjetër në moshë, i datëlindjes, 17 qershor 1975, 34 vjeç e 105 ditë në prag të ndeshjes me Suedinë, më 14 shtator 2009.

16
Të paktën një gol – Dymbëdhjetë lojtarë të thirrur nga trajneri Josip Kuzhe e kanë shijuar kënaqësinë e të shënuarit me përfaqësuesen. Bogdani (12 gola), Skela (12), Kapllani (6), Duro (5), Haxhi (3), Berisha (2), Cana (1), Dallku (1), Curri (1), Salihi (1) Hyka (1) dhe Vila (1). Në këto eliminatore Bogdani ka shënuar 3 gola, ndërsa Klodian Duro e Armend Dallku, të dy nga 1.

17
Vetëm 2 – Nga katërshja sulmuese e thirrur nga trajneri Kuzhe për ndeshjen kundër Suedisë, vetëm dy kanë mundur të shënojnë në kampionatet e vendeve ku ata aktivizohen: Hamdi Salihi, 6 gola ( 4 me Rapidin, 2 me Riedin në Austri) dhe Erjon Bogdani (1 gol me Kievon në Serinë A në Itali). Kapllani e Berisha ende nuk kanë shënuar me ekipet e tyre.

18
235 ndeshje – Kombëtarja shqiptare ka luajtur deri tani 235 ndeshje në tota, duke përfshirë këtu ndeshjet zyrtare, eliminatore të kampionateve botërore dhe europiane, miqësore dhe në turne ndërkombëtarë. Ndeshja e fundit është ajo kundër Danimarkës (1-1), më 10 shtator 2009.

19
49 fitore - Kuqezinjtë kanë regjistruar deri tani 49 fitore. Fitorja e fundit në ndeshje zyrtare është ajo kundër Maltës (3-0), më 10 shtator 2008. Në ndeshjet miqësore është ajo kundër Qipros (6-1), më 12 gusht 2009.

20
49 barazime – Përfaqësuesja ka barazuar në 49 takime ndërkombëtare në 235 ndeshje të zhvilluara. Barazimi i fundit në ndeshjet zyrtare është ai me Danimarkën (1-1), më 9 shtator 2009. Barazimi i fundit në një ndeshje miqësore, është ai me Gjeorgjinë (1-1), më 10 qershor.

21
137 humbje – Shqipëria ka humbur 137 takime, më shumë se 58 për qind të ndeshjeve të luajtura. Takimi i fundit i humbur në një ndeshje zyrtare është ai me Portugalinë (1-2), më 6 qershor 2009. Në një ndeshje miqësore, Shqipëria nuk humbet prej 27 majit të vitit 2008, kur humbi 1-0 me Poloninë.

22
Rekordi i Bogdanit – Sulmuesi Erjon Bogdani ka shënuar 12 gola gjatë 52 ndeshjeve me Kombëtaren. “Er-Bomber” është dhe shënuesi më i mirë i Shqipërisë në këto eliminatore, 3 gola. “Princi i Epirit” ëhtë realizuesi më i mirë i të gjithë kohërave në eliminatoret e kampionateve botërorë: 7 gola.

23
Rekordi i Bushit- Sulmuesi Alban Bushi mban rekordin absolut përsa i përket shënimit të golave me fanellën kuqezi. 14 gola të tij në 59 ndeshje, dy më shumë se Erjon Bogdani dhe Ervin Skela, të dy nga 12 gola. Gjithsesi, si sulmuesi Bogdani ashtu dhe mesfushori Skela janë ende në aktivitet.

24
Rekordi i Kushtës -  Ish-sulmuesi i Flamurtarit e Partizanit, dhe një numri të konsiderueshëm ekipesh në Greqi, Sokol Kushta, mban rekordin shqiptar përsa i përket raportit të golave të shënuar me ndeshjet e aktivizuara: 10 gola në 31 ndeshje, ose 0.32 gola në ndeshje. Bogdani ka këtë raport: 12 gola në 52 ndeshje, ose 0.23 gola për ndeshje. Po 0.23 gola për ndeshje ka shënuar edhe Bushi (14 gola/59 ndeshje). Skela e ka 12 gola për 62 ndeshje, ose 0.18 gola për ndeshje, Rraklli ndodhet në koeficientin 11 gola për . Tare: 10 gola në 64 ndeshje, ose 0.15 gola për çdo ndeshje.

25
Rekordi i Canës – Mesfushori Lorik Cana mban një rekord origjinal te lojtarët e Kombëtares. Është i vetmi që luan në kampionatin më të fortë e më të ndjekur në botë, Premier League në Angli, por njëhërësh është edhe i vetmi lojtar që mban shiritin e kapitenit, te Sanderlëndi.

26
Rekordi i Jahmir Hykës – Mesfushori i Mainc 05, 21-vjeçari Jahmir Hyka mban edhe rekordin e golit më të shpejtë të gjitha kohërave të realizuar nga një futbollist i Kombëtares. Hyka shënoi pas 46 sekondave lojë në miqësoren kundër Lihtenshtejnit, të fituar 2-0, më 20 gusht 2008.

27
Mbi 50 ndeshje – Në grupin e lojtarëve të thirrur për ndeshjen kundër Suedisë janë tre lojtarë që e kanë kaluar kufirin e 50 ndeshjeve ndërkombëtare. Altin Haxhi ka luajtur 65 ndeshje, Ervin Skela, 62 ndeshje dhe Klodian Duro, 59 ndeshje.

28
40 ndeshje, Lorik Cana – Nëse do të luajë kundër Suedisë, zëvendëskapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana do të plotësojë numrin 40 të ndeshjeve me Kombëtaren e Shqipërisë. Ish-kapiteni i Marsejës në Francë dhe kapiteni aktual i Sandërlendit në Angli, ka shënuar vetëm një gol në ndeshjen miqësore kundër Azerbajxhanit, të fituar 2-1, më 17 gusht 2005 (golin tjetër e ka shënuar Alban Bushi). Lorik Cana është aktivizuar për herë të parë me Shqipërinë, më 11 qershor 2003, në ndeshjen e humbur 3-2 kundër Zvicrën, për eliminatoret e Euro 2004.

29
35 ndeshje, Armend Dallku – Nëse do të jetë në fushë kundër Suedisë, mbrojtësi Armend Dallku do të plotësojë numrin 35 të ndeshjeve ndërkombëtare. Kosovari i Vorskla Poltavës në Ukrainë ka debutuar me fanellën e përfaqësueses, më 9 shkurt 2005, në ndeshjen e humbur 0-2 me Ukrainën në “Qemal Stafa” nën urdhrat e trajnerit Hans Peter Brigel, por si lojtar i Elbasanit.

30
25 ndeshje, Edmond Kapllani- Nëse do të luajë qoftë edhe një minutë, sulmuesi Edmond Kapllani do të regjistrojë ndeshjen e tij të 25-të me përfaqësuesen. Kapllani është aktivizuar për herë të parë, më 31 mars 2004, në ndeshjen miqësore të fituar 2-1 me Islandën.

31
3 kapitenë – Shqipëria ka luajtur gjatë këtyre eliminatoreve dhe miqësorëve tre kapitenë, Altin Lalën, Ervin Skëlën dhe Elvin Beqirin.

Eliminatoret Boterori 2010

NDESHJET E SHQIPËRISË
Shqipëri-Suedi 0-0
Shqipëri-Maltë 3-0
Hungari-Shqipëri 2-0
Portugali-Shqipëri 0-0
Maltë-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Hungari 0-1
Danimarkë-Shqipëri 3-0
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 1-1
Suedi-Shqipëri 14.10

Ndeshjet e fundit
14 tetor 2009

Suedi-Shqipëri
Hungari-Danimarkë
Portugali-Maltë

RENDITJA E GRUPIT 1
1.Danimarka 21
2.Portugalia 16
3.Suedia 15
4.Hungaria 13
5.Shqipëria 7
6.Malta

Numri i klikimeve - 1465
  E Marte, 13 Tetor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›