E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Anti-diskriminimi”, Berisha kundër ministrave

 Kryeministri Sali Berisha del kundër propozimit të tre ministrive të Financave, Integrimit dhe të Punës për mos krijimin e një komisionieri të posaçëm për mbrojtjen nga diskriminimi, duke ia lënë këtë të drejtë Avokatit të Popullit. "Ka qenë mendim i grupit parlamentar që mbikëqyrja, monitorimi i procesit të antidiskriminimit t'i besohej Avokatit të Popullit, si institucioni më i konsoliduar në vend, në mbikëqyrjen e lirive dhe të drejtave njerëzore. Po këtu duket se ka një kufizim ligjor. Kufizimi ligjor qëndron në objektin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit dhe meqenëse ndryshimi i këtij ligji do të kërkonte 3/5, mendoj të procedojmë me variantin që adaptojnë një seri vendesh, duke ngritur një trupë të veçantë, të varur nga Parlamenti që të mbikëqyrë zbatimin e këtij ligji. Edhe kjo praktikë është përdorur, madje mund të jetë edhe më e këshillueshme në aspektin që të mos konceptohet si një lloj mbingarkese për institucionin e Avokatit të Popullit", deklaroi Berisha. Tri ministrisë Financave, Integrimit dhe të Punës propozuan dje që të mos caktohej një komisionier i posaçëm, por t'i lihet kompetenca Avokatit të Popullit. Por juristja Vjollca Meçe, një nga hartuesit e p/ligjit, e kontestoi duke theksuar se Avokati nuk ndërhyn në çështjet e privatit, për të kontrolluar nëse diskriminohen apo jo punonjësit. Kjo ka qenë edhe arsye që vetë kryeministri hodhi poshtë propozimet e tre ministrive, pasi dhënia e kompetencës Dobjanit kërkon një votim me shumicë të cilësuar votash. Në një kohë që kjo është e pamundur pasi mungon opozita në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›