E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, PD sulm Kushtetueses

 ADI SHKEMBIPartia Demokratike sulmon ashpër Gjyk-atën Kushtetuese një ditë pas publikimit të lajmit, se ky institucion ka rrëzuar me 9 vota pro dhe asnjë kundër ligjin për hapjen e dosjeve. Deputetja e maxhorancës, Mesila Doda tha një konferencë për shtyp se vendimi u mor falë presionit të kreut të opozitës Edi Rama, teksa shtoi se hapja e dosjeve mund të bëhet edhe përmes një referendumi popullor. "Shtypi shqiptar njoftoi sot se gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar, kjo edhe falë presionit politik të opozitës dhe personalisht të Edi Ramës ndaj kësaj trupe gjykuese. E cilësoj këtë, si aktin më të rëndë në mbështetje të krimeve të rënda kundër njerëzimit të sistemit komunist, krime të cilat janë kryer sistematikisht në këtë vend për 50 vjet rresht", tha deputetja e PD-së. Por sipas saj Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e projektligjit të propozuar nga qeveria për hapjen e dosjeve në një kohë që vetë anëtarët e saj janë në konflikt interesi. Doda theksoi se "vendimi i Gjykatës Kushtetuese është në dhunim flagrant të direktivës së 23 qershorit 2008 të Gjykatës së Strasburgut mbi konfliktin e interesit të trupave gjykuese dhe të parimit universal të konfliktit të interesit. Gjykatësit që votuan për abrogimin e ligjit janë po ata që kanë marrë vendime për vrasje njerëzish të pafajshëm deri në vitin 89', janë po ata mbi të cilët rëndojnë krimet më të rënda kundër njerëzimit". Ajo bëri të ditur se shumica parlamentare po konsulton tre variante, që shkojnë nga hartimi i një ligji të ri deri në mbajtjen e një referendumi. "Për të realizuar këtë do konsiderohen disa opsione: së pari, paraqitja e një ligji të ri në Parlament, për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar. Së dyti, dërgimi i këtij ligji në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ju bëj me dije gjithashtu, se së bashku me kolegë të tjerë nuk do të ngurrojmë që të ndërmarrim nismën e një referendumi popullor për këtë çështje madhore", theksoi më tej deputetja e qarkut të Fierit.“Kushtetuesja certifikoi atentatin e 17 të Berishës”Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese reagoi dje edhe Partia Socialiste, sipas të cilës ky ishte atentati i 17-të i kryeministrit Berisha. Në një konferencë për shtyp deputetja e selisë rozë, Shegush Ligori tha se "sot, në më pak se një javë, Sali Berisha shënoi një tjetër rekord të turpshëm në historinë e demokracisë shqiptare, një rekord të denjë për një vend si Venezuela, por jo për Shqipërinë që kërkon të integrohet në Evropë. Sot Gjykata Kushtetuese certifikoi atentatin e 17 të Sali Berishës ndaj Kushtetutës, duke hedhur poshtë në unanimitet ligjin për pastërtinë e figurave, një ligj ky, i kundërshtuar jo vetëm nga Partia Socialiste, por edhe nga Komiteti i Helsinkit dhe nga Këshilli i Evropës", tha Ligori. Në të njëjtën kohë ajo konfirmoi qëndrimin e PS-së se kjo forcë është e gatshme të japë kontributin e saj në hartimin e një drafti që nuk bie ndesh me ligjin themeltar të Shtetit. "Dosjet duhet të hapen, por përmes një ligji të ri, për të cilin Partia Socialiste është e gatshme të japë kontributin e saj; një ligj i ri i cili  në radhë të parë duhet të respektojë Kushtetutën dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias", tha deputetja e PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›