E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, i pasigurtë në parti, pas dështimit të grevës

Kryetari i PS po ndjen revoltën që po i shpërthen brenda strukturave dhe po kërkon ta përdorë afatin dyjavor për të shkatërruar çfarëdolloj opozite brenda partisë. Duke përdorur njerëz pa vota si Veliaj e Ngjela, Edvini po kërcënon deputetët socialistë, se s’e kanë të gjatë, nëse nuk e mbyllin gojën, pas turpërimit të fundit, që ai pësoi në Strasburg


Dështimi i grevës së urisë dhe shuplakat e dhëna nga ndërkombëtarët në “darkën e Strasburgut” e kanë vënë seriozisht në dyshim lidershipin e Edi Ramës në Partinë Socialiste, prandaj edhe afati dyjavor i paracaktuar për skicimin e marrëveshjes dypalëshe për hetimin e zgjedhjeve, po shfrytëzohet prej kryetarit të PS për të fashitur çfarëdolloj opozicioni brenda radhëve të partisë. Lëvizja e parë e ulët ka nisur me përjashtimin de facto të të gjithë deputetëve që kishin shprehur rezerva për grevën e urisë, duke mos i thirrur më në mbledhjet e grupit parlamentar, bile duke u çuar fjalë në mënyrë indirekte se nuk u garantohej integriteti fizik, në rast se ata do të guxonin të vinin në audiencat ku flet kryetari. Pas spastrimit të audiencës, ka ardhur radha për të marrë përsipër edhe pastrimin e imazhit, dhe kjo po vjen përmes përpjekjeve mjerane për të bindur socialistët se kutitë zgjedhore do të hapeshin, edhe pse s’dihej nëse menjëherë, me faza, apo vetëm kutitë e materialeve zgjedhore. Edi Rama u mundua ta shndërronte dështimin e Strasburgut në një fitore që do të maturohet pas dy javësh, duke nxjerrë kasnecët e tij më të pabesueshëm, Spartak Ngjelën e Erion Velinë, për të deklaruar se ky ishte një ultimatum, e nëse institucionet shtetërore nuk do t’u nënshtroheshin, pas tij do të vinin revoltat. Kërcënimet bajate bëhen për të mbajtur të ndezur tensionin politik e për të arritur një marrëveshje politike pa maturimin e kërkuar prej ndërkombëtarëve, si e vetmja mënyrë për të fashitur çfarëdolloj rebelimi politik brenda radhëve të PS-së. Krerët e PS-së në rrethe si dhe ata të bashkive plasën duke u ankuar këto ditë, se s’mbushnin dot më as dy autobusë me mitingashë, edhe në rast se do të shtonin pagesat, prandaj edhe çfarëdolloj aventure tjetër nëpër rrugë, do të ishte vetëvrasje. Por kërcënimi i ri për revolta është një kërcënim kartoni dhe jo një kërcënim real. Ai është thjesht një produkt mediatik, për të rikthyer lidershipin në krye të PS-së, i cënuar mjaft rëndë nga pozita jopolitike që Edvini mbajti në takimin e Strasburgut. Edhe më karikaturesk bëhet kërcënimi, kur mendon se ai u shqiptua në tryezën me “aleatët”, në tryezën me njerëz që s’kanë më vota, por janë thjesht rekrutë të paguar për të kuruar interesat e Edi Ramës. E nëse ai ndihet i kërcënuar në radhët e strukturave partiake, e ku më mirë sesa me veglat e tij politike ai mund të lëshojë ultimatume, që më së pari janë të drejtuar kundër opozicionit brenda partisë. Kastriot Islami e tha qartë dje se s’mund të pritej hapja e kutive. Këtë ia ka thënë prej kohësh edhe Edi Ramës, por ai ka nevojë edhe për dy javë kohë, që të rikthehet si kryetar partie, prandaj edhe i duhet kohë për nxemjen e dialogut politik. Fatkeqësisht, Edvini e ka këtë kohë-tampon për të rivendosur autoritetin, veç nëse LMN-istët apo ndonjë forcë tjetër opozitare në PS do ta paraprijë me ndonjë lëvizje tjetër, por që siç duken bathët, ka pak gjasa të ndodhë. Fakti/Aleatët e blerë të Ramës i japin ultimatume, ultimatumit të Brukselit për marrëveshje politike Edi Rama mblodhi dje aleatët e opozitës, thuajse pas një jave shpërfytyrimi, që nga mbyllja e grevës dhe ndalimi i protestave. Vendimi i grupit parlamentar të PS-së për të thyer zyrtarisht bojkotin dhe për të nisur ndjekjen e plotë të seancave plenare, ka krijuar krisjet e para në kampin e majtë teksa Spartak Ngjela, Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo, kanë kërkuar “llogari” për lëvizjet e fundit, të cilat kanë qenë jashtë çdo parashikimi. Dhe kjo duket qartë, nëse iu rikthehemi deklaratave anarkiste të Ngjelës dhe Gjinushit për rrokadë shtetërore kundër qeverisë dhe rendit demokratik dhe mos’heqje dorë prej protestave dhe grevës së urisë. E vërteta është e kundërta. Që prej javës së kaluar, Gjinushi, Ngjela, Veliaj dhe Milo etj,. s’janë parë më gjëkundi, duke mos analizuar konsumimin e kotë të tyre, përmes disa protestave që nuk sollën asgjë. Mbyllja e rrufeshme e grevës së urisë dhe ndalimi i paparashikuar i protestave, kanë çuar në rritjen e tensionit në radhët e opozitës, teksa mësohet se Ngjela, i njohur për deklaratat e tij kokëforta dhe jashtë çdo konteksti realist, do të vazhdojë i vetëm betejën për ‘votat’ që atij i kanë dalë nga kutia. Skena bëhet akoma edhe më qesharake, në një kohë kur këta s’përfaqësojë asgjë dhe kanë qenë thjesht të zgjedhur listash apo fitues të ‘Dushkut’, pretendojnë për të drejtat e votuesve të tyre, gjë kjo e cila është e barabartë me zero, sepse nuk kanë votues. Funksioni i tyre real në skakierën politike, është ai i ‘kamikazit’ që vepron atëherë kur jep urdhrat Edi Rama. Por, këtë herë Edi Rama ka dështuar, ka humbur betejën, çka do të thotë se ‘ushtarët’ si Ngjela dhe Gjinushi, të struken në llogoren e turpit që u bënë gazi i botës, pas një karikature politike, në pritje të një shërbimi të ri, që s’dihet se kur do të vijë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›