E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Politika të mbështesë gratë drejtuese të institucioneve



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shprehu dje shqetësimin se gratë drejtuese të institucioneve, sidomos ato të drejtësisë, nuk mbështeten nga politika. Ai kërkoi që dimensioni i emancipimit të femrës të mos shikohet vetëm në zonat e zhvilluara, por në mbarë Shqipërinë. Kreu i shtetit, Bamir Topi, në një konferencë për fuqizimin e rolit të gruas, apeloi që të hiqen paragjykimet për këtë kategori dhe po ashtu një vëmendje më të madhe për femrat e zonave rurale. "Gratë që janë përfaqësuese të institucioneve në sistemin e drejtësisë, kanë vështirësitë e veta, sikurse ka në çdo institucion tjetër, po kanë nevojë dhe për suport shoqëror, sepse problemet në Shqipëri janë edhe pak delikate në sensin e debatit politik dhe paragjykimit", - theksoi z. Topi. Presidenti reagoi edhe për ngjarjen në Maqellarë të Dibrës, ku dy motra kanë jetuar të lidhura me zinxhirë për më shumë se 20 vite. Ai vuri në dukje se vërtet gratë kanë sjellë realizime, por duke sjellë ndërmend rastin e Peshkopisë, për motrat e lidhura me zinxhirë, përgjegjësia bie mbi të gjithë, përfshi këtu edhe Presidentin. “Për rastin e dy grave në një fshat të Peshkopisë, askush nuk mund të justifikohet më, duke filluar nga pushteti vendor, nga Presidenti nga ekzekutivi, pushteti lokal. Është e papranueshme, e papëlqyeshme”, - u shpreh z. Topi. Sipas Presidentit, rasti në Peshkopi bën apel që emancipimi i gruas të mos trumbetohet me zë të lartë vetëm në metropol, por në gjithë Shqipërinë. “E përmenda si shembull rastin në fshatin e Peshkopisë, se dimensionet e emancipimit nuk duhen parë thjesht në qendër të Tiranës, jo thjesht te ndërtesa e Parlamentit, jo thjesht tek ndërtesat e bukura që përshkojnë bulevardin e Tiranës, por duhen parë në gjithë territorin shqiptar”. Topi vuri në dukje se gratë duhet të jenë përcjellëse të mesazheve humane. “Ka ardhur koha që gratë duhet të jenë misionare me fizionominë e Nënë Terezës”, - deklaroi kreu i shtetit. Mbrojtja e grave nga të gjitha format e dhunës dhe integrimi i tyre në jetën sociale e politike ishin pikat kyçe ku u fokusuan të pranishmit në ketë konferencë të organizuar nga USAID-i. Çështjet parësore për arritjen e barazisë gjinore në vend do t’i dorëzohen qeverisë në formën e një dokumenti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›