E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anti-rezoluta

Pa u ftohur ende entuziazmi i disa zyrave diplomatike te Bashkimit Europian per Rezoluten e Parlamentit te Serbise i cili më 31 mars gjeti më në fund guximin të dënojë pas 15 vjetësh masakrën e Srebrenicës, parlamenti i Serbisë ndërmori menjëherë hapin tjetër të hartimit të një anti-rezolute, e cila në thelb është përgënjeshtrim i rezolutës së duartrokitur. Më 1 prill, Kolegji parlamentar i Parlamentit të Serbisë u mblodh për të diskutuar një rezolutë të re për të dënuar krimet e kryera, sipas tij, kundër serbëve. Kryetarja e parlamentit, Sllavica Gjukiç-Dejanoviç, që kryesonte debatin e përfaqësuesve të partive parlamentare, deklaroi se rezoluta e re do të miratohet brenda pranverës dhe se diskutimi kryesor është nëse do të përmenden veç e veç “krimet e bëra kundër serbëve” në Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci dhe në Kosovë,(!), apo do të thuhet vetëm “krimet e bëra kundër serbëve në ish-Jugosllavi”.
Rezoluta e re që po përgatitet të miratohet, është në fakt një anti-rezolutë, e cila hedh poshtë edhe atë pranim me gjysmë zëri dhe me gjysmë zemre, që u bë në rezolutën e parë. Anti-rezoluta bazohet në kursin e njohur të të gjitha qeverive të Serbisë, që nga viti 1995, se konfliktet në ish-Jugosllavi ishin luftë e të gjithëve kundër të gjithëve, dhe nuk ka një fajtor dhe përgjegjës konkret, sepse të gjithë qenë fajtorë. Sipas përmbajtjes së anti-rezolutës, del se nuk është fajtore Serbia, e drejtuar nga krimineli i njohur ndërkombëtar i luftës, Sllobodan Millosheviç, që ndërmori katër luftëra të përgjakshme në ish-Jugosllavi kundër popujve jo serbë, kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, por janë popujt e këtyre katër shteteve, të cilët luftuan dhe i shkaktuan viktima forcave ushtarake serbe.
Nuk është rastësi që edhe në rezolutën 31 marsit, e duartrokitur nga Brukseli, parlamenti i Serbisë nuk vë as emër dhe as përgjegjësi se kush e shkaktoi Srebrenicën. Sepse mund të thuash fare lehtë pas 15 vjetësh se “na vjen keq” apo “i dënojmë krimet”, por nëse nuk përcaktohen e nuk dënohen shkaqet dhe fajtorët, noton brenda ujërave të apologjisë së drejtpërdrejtë apo të tërthortë të krimit. Ka arsye kryetari i Partisë Liberal Demokrate të Serbisë, Cedomir Jovanoviç, kur i kërkoi parlamentit që të bëjë një hap serioz, “duke thënë të vërtetën për shkaqet e vuajtjeve të popullit serb dhe përgjegjësia për këtë”.
Por parlamenti i Serbisë, jo vetëm që nuk emërton shkaqet dhe shkaktarët e genocidit të Srebrenicës, por menjëherë ndërmerr hapin e përligjjes së konflikteve dhe agresioneve, që Serbia shkaktoi në dekadën e fundit të shekullit të kaluar kundër popujve të tjerë të ish-federatës jugosllave. Anti-rezoluta synon të barazojë agresorët me viktimat, kriminelët me të pafajshmit. Nuk është rastësi që anti-rezolutën, e cila u diskutua në kolegjin parlamentar, e ka hartuar Partia Socialiste e Serbisë, e cila është partia e Sllobodan Millosheviçit, autori i gjithë veprës kriminale të konflikteve të përgjakshme në ish-Jugosllavi, i cili vdiq në Gjykatën e Hagës. Kjo parti ende nuk e ka dënuar politikën kriminale të ish-kryetarit të saj. Kjo parti me prirje nacionaliste është pjesë e rëndësishme e qeverisë së sotme, të drejtuar nga Partia Demokratike e presidentit Boris Tadiç, duke e mbajtur në këmbë me votat e saj këtë qeveri, dhe natyrisht, duke injektuar dozat e nacionalizmit të saj klasik në politikat e zbehta “proeuropiane” të qeverisë.
Hartimi i anti-rezolutës është një lëshim dhe kompromis i forcave të ashtuquajtura proeuropiane ndaj forcave radikale dhe nacionaliste. Edhe miratimi i rezolutës së parë të 31 marsit, e cila me zor kaloi me një diferencë vetëm prej dy votash, u bë me kushtin e vënë nga socialistet dhe nacionalistet e tjerë, që të miratohej shpejt një rezolutë tjetër, ku do të merreshin në mbrojtje veprimet ushtarake të ushtrisë dhe të policisë serbe në shtetet, që dolën nga ish-Jugosllavia. Presidenti Boris Tadiç u pat premtuar që në fillim atyre se do të ketë dy rezoluta. Dhe tani Partia Socialiste e ish-presidentit Sllobodan Millosheviç, po drejton procedurën parlamentare për anti-rezolutën.
Kjo që po ndodh në parlament, sjell një pamje më reale të raportit të forcave në skenën politike në Beograd. Shihet qartë se sa pozita të fuqishme kanë forcat nacionaliste e radikale, forcat e lidhura me të kaluarën e errët të konflikteve të përgjakshme, të shkaktuara nga Serbia. Disa zyra në Bruksel mund të shtiren sikur nuk e shohin këtë raport real forcash, duke u udhëhequr nga filozofia e Nastradinit në fabulën e njohur me kokrrat e rrushit, që gjoja nuk ishin lagur. Por, politika e indulgjencës nuk i ka dobësuar forcat nacionaliste dhe as po i forcon realisht forcat proeuropiane.
Në Serbi vazhdohet të mbahet zyrtarisht ndaj konflikteve të përgjakshme në ish-Jugosllavi qëndrimi i adoptuar nga Millosheviçi mbi “simetrinë e fajit”, ku barazohet krimineli me viktimën. Ky barazim sjell mbulimin e fajit dhe të fajtorit, madje dhe glorifikimin e kriminelëve. Sepse nuk mund të trajtohen njësoj forcat ushtarake dhe policore serbe, që ndërmorën masakrat kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, me popujt e këtyre shteteve, që mbrojtën lirinë dhe pavarësinë e tyre nga agresori. është njësoj sikur të barazohen nazistët me popujt viktima të agresionit nazist. është njësoj sikur parlamenti i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore të miratonte një rezolutë, ku të dënonte vrasjet, që ushtritë aleate u kishin shkaktuar ushtarëve gjermanë në frontet e pushtimeve naziste. Kjo është përmbajtja dhe qëllimi i anti-rezolutës që po pret të miratojë parlamenti i Serbisë.
është për të ardhur keq që në çarkun e simetrisë së fajit kanë rënë herë pas here edhe përfaqësues të ndryshëm diplomatikë në Europë, të cilët kanë iluzionin se duke profesuar simetrinë e fajit, do ta mbyllin më shpejt kapitullin e errët të konflikteve në ish-Jugosllavi. Në këtë linjë gjykimi dëgjohen herë pas here zyrtarë të diplomacisë europiane që bëjnë thirrje për kërkesë faljeje reciproke apo për pranim të bashkëfajësisë. Nuk ka gjë më të gabuar. Duhet pranuar se ky qëndrim i lëkundur europian ka pasur ndikimin e vet që në Beograd të mos arrihet të pranohet realisht faji i Serbisë dhe as të dënohen zyrtarisht kriminelët. Nuk po shkojmë më tutje dhe të përmendim se Beogradi ka 15 vjet që tallet dhe fsheh kriminelin urdhërues të Srebrenicës, Ratko Mlladiçin.
Sepse edhe rezoluta e parlamentit serb për Srebrenicën, e duartrokitur në Bruksel, nuk dënon krimet në Bosnjë, ku u vranë nga forcat serbe mbi 200 mijë boshnjakë, nuk dënon krimet në Kroaci, ku u vranë nga forcat serbe mbi 20 mijë kroatë, nuk dënon krimet në Kosovë, ku u vranë nga forcat serbe mbi 10 mijë shqiptarë. Duhet pranuar se është qëndrimi indulgjent europian që e trimëron Serbinë të kërkojë që edhe parlamentet e shteteve të tjera që dolën nga ish-Jugosllavia, të dënojnë popullin dhe luftëtarët e tyre të lirisë, që u rezistuan me armë agresorëve serbë. Duket ekziston edhe një presion i nëndheshëm i disa segmenteve të diplomacisë europiane në këtë drejtim, derisa përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë, Valentin Inzko, deklaroi më 2 prill se “unë nuk kam ndër mend të ftoj parlamentet e Bosnjës dhe të Kroacisë, të adoptojnë rezoluta të tyre për krimet ndaj serbëve”.
Anti-rezoluta e parlamentit të Serbisë, si një apologji e krimit ndërkombëtar, do të jetë një hap në drejtim të gabuar, i cili nuk e bën as më europiane e as më stabilizuese politikën e Serbisë. Ajo është në të njëjtën kohë edhe një sinjal për diplomacinë europiane, që të mos ngutet në entuziazmin e saj ballkanik, sepse europianizimi, qetësimi dhe pajtimi i Ballkanit nuk shkojnë përpara duke barazuar kriminelët me viktimat. Lidhur me këtë, Lufta e Dytë Botërore është një model i madh historik edhe sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›