E Diel, 1 Nëntor 2026

(Anti)Skënderbeu

14/03/2005  1.Figura më ndërkombëtare e shqiptarëve

Skënderbeu, është nga figurat më me peshë ndërkombëtare që kanë shqiptarët. Të nisemi nga ikonografia e tij aq mahnitëse. Portretet e tij anekënd trojeve europiane, nganjëherë ngjajnë me heronjtë e vendeve nga janë piktorët. Ai mund të duket pak polak në pikturën e një polaku, pak hungarez nën penelin e një hungarezi, etj. Kjo, vërtet është e mrekullueshme. Ai shërbeu si një hero ideal e ashtu, duke u pranuar në një kulturë të caktuar, edhe duhej përvetësuar nga pak. Mbase në këtë rrugë i dha jetë latinishtja e përkryer e Barletit, a mbase se ishte një hero i krishtërimit. Po ja që ai qënkej më me fat se sa në luftë; pas vdekjes ia arriti të bëhet i pranueshëm për papë, mbretër, për filozofë, për strategë a historianë, ashtu si edhe për një artist të operas, të penelit, a për një poet fin të soneteve. Kjo mënyrë e përvetësimit të tij nga kultura evropiane është aq mbresëlënëse dhe do të thoshje aq krenare. Ne nisëm një figurë të tillë në kulturën botërore dhe ajo e pranoi atë. E nisëm atëhere kur nuk ishim gjëkund në mes popujve të tjerë.

Siç është e natyrshme, edhe kur do që të përvetësosh heronj të kulturave të tjera, duhet që t’u japësh atyre diçka tënden pë t’i bërë më të mirëseardhur. Edhe se shqiptarët e kanë pak të vështirë që të marrin heronj të të tjerëve në këngët e tyre, kjo ka ndodhur me shqiptarët e italisë. Ata për Garibaldin thanë se: Këmishëkuqi trim me fletë,/ Skënderbegut tonë i ngjet.

Ai, heroi i një vendi të vogël, mundi të jetë shembulli i parë i këtij lloji, i shkëmbimeve nga këta popuj drejt kulturës ndëreuropiane. Kjo ndodhi, mbase, nga që kërcënimi islamik ottoman vazhdonte të ishte i gjallë, por, siç thotë Tomas Elioti në një ese për poezinë e Dantes, edhe se Europa e atëhershme e latinitetit ishte një areal më europian se sa Europa e mëvonëshme e shteteve me evokim të prerë nacional.

2. Arketipi i luftëtarit

Në një të dhënë, qarkulluar si anekdotë, (mund të jetë dhe reale) thuhet se diku në Vjenë në një mbledhje me dijetarë, në të cilën një historianë serb e një tjetër grek po vërtetonin se Skënderbeu është me origjinë nga historia e tyre, Fan Noli ngrihet dhe u përgjigjet se Skënderbeu nga i ati ishte i krishterë ortodoks, rrethanat e bënë mysliman, por vdiq si i krishterë katolik dhe u varros në një kishë katolike. Më thoni, shton Noli, cili hero me peshë në historinë e secilit prej kombeve tuaja e ka këtë histori, një jetë të tillë?

Për arsye që dihen, në Shqipëri asnjëri nga variantet e krishtërimit nuk u ngulit siç duhet, mbase dhe prej luftës së kishave me njëra tjetrën – vendi herë pushtohej nga klerikë e liturgji bizantine e herë nga klerikë e liturgji romane. Po kështu mund të thuhet se nga ky relativitet besimi, ardhur në shekuj prej rivalitetit liturgjik, më pas shqiptarët nuk u bënë dot as edhe myslimanë aq të ngulur. Shqiptarët nuk ishin italianë që ta ndienin të tyren latinitetin e kishës romane, as grekë që ta ndienin të tyrin variantin bizantin të kishës, përkundrazi, u ndienë si sanduiç nën trysninë e të dyjave. Tharmi i vjetër pagan do të mbetej ende i thellë, si nënshtresë e të gjitha besimeve, edhe te ai mysliman më pas, aq sa ne shohim që sot shqiptarët me traditë myslimane në Greqi lehtësisht konvertohen në ortodoksë dhe po këta shqiptarë, në se u leverdis, në itali konvertohen lehtësisht në katolikë etj…

Kjo që thamë, nuk do të kishte vlerë, po të mos vinim re se figura e Skënderbeut, nuk i ka fyer fare ndjeshmëritë fetare të shqiptarëve, as dje, as sot. Pamja e tij me ato dy brirët e dhisë mbi kokë është gjallë si e një figurë totemike. Ai kurrë në përfytyrimet e njerëzve të popullit nuk qe ndonjë hero i kryqit, pa le i gjysmëhënës. Ajo “beg” mbas emrit të tij sikur u bënte magji shqiptarëve, që në dasma, myslimanë a të krishterë, e donin këtë titull për bijtë e tyre. Mjeda, për Zogën, heroinën katolike të poemës së tij Andrra e jetës, thotë se ajo ëndërronte e i fanitej i fejuari i ardhshëm si një beg, si një princ, do të thoshim ndryshe. “Një beg… mbi një pullali… me një gjashtore e kacatore”. Një princ mbi kalë, i ngjeshur me armë. Një arketip i luftëtarit, i më të madhit ndër shqiptarët, i Skënderbegut.

3. Skënderbeu si mit apo si vision i një kulture

Por mund të thuash, se në nivelin e shkrimit, në letra, ka dy Skënderbej. Njëri, i ndërtuar nga historianët, dhe, tjetri, ai i poetëve, i shkrimtarëve. Kjo ngjet paksa me përfytyrimet e ndryshme që kanë sot shkenca dhe arti mbi origjinën e krijimit të botës e të jetës. Shkencëtarët kanë hipotezat e tyre logjike mbi shkakun fillestar të ekzistencës së planeteve… teoria e Big bengut është e fundit. Arti, piktorët dhe poetët, këmbëngulin te ideja e lindjes së fëmijës së shenjtë, te fryma, te krijimi me origjinë shkëndijën ndriçuese.

Shkencëtarët me fakte dhe dokumente, me argumente shkencore i janë dejtuar e vazhdojnë t’i drejtohen figurës së Skënderbeut. Dhe kjo është puna e tyre. Vepër e rëndësishme, më e fundit me këtë temë, është Historia… e prof. K. Frashërit.

Edhe përfytyrimi shkencor mbi Skënderbeun ka qenë i ndikuar nga shkollat e mendimit të kohëve, kur kanë shkruar historianët. Interpretimi i parë i kësaj figure me tezat e humanizmit europian, të ringjalljes së tipareve të heroit të antikitetit, të frymës së lirisë e të besimit te forcat e njeriut, u bë nga Barleti. Pastaj erdhën dhe ato me ngjyrime të majta që e shihnin Skënderbeun si përfaqësues të klasës së fshatarëve të lirë shqiptarë të kohës. Sot po shohim dhe një variant do të thoshim me ngjyrime islamike të qasjes ndaj kësaj figure. Këto e pasurojnë skënderbegologjinë, megjithëse ndaj këtij pikëvështrimi të fundit do të ndalemi në vijim.

Ndryshe nga Skënderbeu i shkencëtarëve, që të çon drejt lashtësive mesjetare, pena e krijuesve dhe e vizionarëve tanë ndërton një Skënderbe që të çon nga e ardhmja. Vizioni i shkencëtarëve ka të bëjë me kërshërinë e dijes, ai i shkrimtarëve është ende i gjallë dhe në përpunim e sipër. Skënderbeu mbetet guri më i rëndë i themelit në ndërgjegjen tonë kombëtare, por edhe model për vizionin e ardhmë të një populli. Kështu vizioni i ndërtuar nga rilindasit, kur figura e tij u thirr nga historia për t’u bërë e gjallë në bashkimin dhe ngritjen për luftë e liri në kohën kur po përgatitej pavarësia e Shqipërisë, vazhdon të jetë në këmbë për t’u mbushur me përmbajtje dhe ide të reja. Kjo jo vetëm për atë se shqiponja e tij ka provuar të përflaket e të laget me gjak ende të freskët te shqiptarë këtu përqak nesh. Projekti rilindas i Skënderbeut për një Shqipëri të bashkuar, evropiane, pas rënies së komunizmit, është në përtëritje e ripërtëritje të paprerë. Kështu Skënderbeu del nga miti. Midis të dy vizioneve, atij të shkencëtarëve dhe atij të shkrimtarëve, në Tiranë dhe në Prishtinë (mendoni simbolikën e lëvizjes reale nëpër male të një miti në formë statuje) është nga një Skënderbe i fiksuar në bronz. Kjo mbetet emblema jonë kombëtare. Por, tej fiksimit të tij në bronz a në librat e shkencëtarëve, më duket se ka pasur të drejtë Naimi kur thoshte se “Skënderbeu është i gjallë/ rron e do të rrojë përjetë”. Në çastet tona më të vështira, në kthesat dramatike që fati nuk na i ka kursyer, ne e thërasim atë. Dhe ai është frymë. “Hija e Skënderbegut.. frymë të re tuj shprazun” (Mjeda).

4. Sinteza e laikes me shpirtëroren

Gati të gjitha figurat e mëdha të kulturës sonë i janë drejtuar atij. Që nga De Rada me Skënderbekun e pafanë, te Dara, te Skiroi e arbëreshë të tjerë që shpikën Motin e Madh, kohën e artë të shqiptarëve me Skënderbeun, një kohë mitike që duhej të rilindej në të ardhme. Kristoforidhi këngën e tij e vë të këndohet nga shqiptarët e bashkuar në malin e Tomorrit. E kështu do të vazhdohet me Naimin, Konicën që lexoi Barletin dhe flamurin e Skënderbeut e propozoi si flamur të shtetit të shqiptarëve.

Noli që u mor tërë jetën e tij me Skënderbeun, në rini me panegjerikët dhe historinë shkruar në prozë peotike e deri te vepra shkencore historike mbi Skënderbeun, mbrojtur si disertacion doktorature në Harvard, po edhe më pas. Ajo çfarë e veçon Nolin në vizionin e tij të përgjithshëm mbi Skënderbeun është sinteza e të dy vizioneve, të shkencëtarëve dhe të krijuesve. Në rini, kur figura e Skënderbeut u ideologjizua në favor të çështjes kombëtare ai qe poeti dhe vizionari, në pjekuri qe shkencëtari. Por, mendoj, ka diçka më shumë. Ai që nga fëmijëria krahas Krishtit, kish zgjedhur si hero të tijin dhe Skënderbeun. Një hero të frymës dhe një të veprimit. E këtu vjen përgjasimi me shën Konstandinin, në sintezën e këtij të fundit të krishtërimit me perandorin. Përgjasim që i shkon Skënderbeut, por edhe Nolit. Dhe njëri vdes në buzë të Adriatikut me fytyrë nga Perëndimi, tjetri në Amerikë, prej nga në vitet ‘30 deshi të sillte në Shqipëri diçka nga idealet anglosaksone. Por Noli i ideve nuk qe dhe aq burrë i veprimit.

Si të gjithë, Noli i dha figurës së Skënderbeut diçka nga vetja, nga thellësitë më tipike të personalitetit të tij. Kështu kultura shqiptare në rrekjen për të njohur Skëndebeun, është thelluar për të njohur vetveten, identitetin e saj, atë se kush është ajo, por dhe për të përmirësuar vizionin e saj nga deformimet që nuk munguan në rrjedhë të kohëve, deri tani më së fundi.

Mjeda i soneteve neoklasike te “Liria” e bën frymë vepruese që “ksollë më ksollë shëtit” dhe ngre njerëzit në luftën për liri. Por te “Lisus” Skënderbeu shënjtërohet, me vdekjen e tij ëngjëjt e ngrenë në parajsë. Është një poemë e bukur që ka shkarë nga vëmendja jonë.

5. Ideali i shtetarit

Në një plan tjetër, mbase dhe si refleks i problemeve të kohës, na e jep Skënderbeun tragjedia e E. Haxhiademit. Mes dy rrugëve për mbajtjen e kurorës, të pushtetit ai di të zgjedhë mëshirën dhe shmangien e gjakut. Skënderbeu kështu nuk është bir i kohës së tij. Mund të këmbëngulte në ndëshkimin, në derdhjen e gjakut të secilit që e tradhton, po aq sa këmbëngul në rrugën morale

Për ne njerëzit e sotëm shtrohet një pyetje: kur sundimtarët tanë të shekullit të njëzetë silleshin ndryshe, sidomos diktatori i Partisë Komuniste i zhdukte kundërshtarët politikë, disa dhe ndër miqtë e bashkëpunëtorët e tij më të afërt, i vriste pa prova vetëm e vetëm se dyshonte tek besnikëria e tyre, ky Skënderbe i Mesjetës pse është kaq i përmbajtur e i moralshëm? Jeta politike është e ashpër edhe sot. Me mënyra të tjera, po eleminimi i kundërshtarëve brenda një grupimi politik vazhdon. Skënderbeu pajtohet me Moisiun, me Lek Dukagjinin. Hamzanë e kap dhe e dëbon. Mos vallë përvoja e jetuar nën oborrin e Sulltanit i kish dhënë njohje të thellë mbi intrigat e pusitë që përherë e rrethojnë një njeri në krye të pushtetit, mos vallë zotëronte një njohje të thellë mbi thelbin e njeriut? Ai nuk priste gjë tjetër: në luftën për pushtet ka tradhti, lakmi e pabesi, edhe gjaku yt të tradhton, edhe gruaja jote të shtyn në vrasje. Shtetari i mirë duhet ta dijë këtë gjë. Ai duhet të ruajë veten, shtetin; tradhëtitë e lakmitë janë në natyrën e punëve të shtetit, ndaj duhet t’i trajtojë me gjakftohtësi dhe vetëparmbajtje, jo me hakmarrje e zemërim, jo me gjak, po, mundësisht me marrëveshje e pajtim në interes të shtetit. Por dhe kjo deri te një kufi i pranueshëm. Kur bëhen të rrezikshëm, ato duhen mënjanuar. Mënjanim nuk do të thotë domosdo eleminim fizik. Në qoftëse nuk do ta mendonim brenda kësaj pkëpamjeje, Skënderbeu shtetar do të na dilte një përjashtim nga rregulli, do të mbetej i pabesueshëm. Kjo, për më tepër, kur ne e propagandojmë Skënderbeun, por pa e shpjeguar gjithmonë atë. Mundet ne të zakonshmëve na duken të pavërtetë, të pabesueshëm njerëzit e mëdhenj. Ata bëjnë veprime që mendja jonë nuk i rrok. Ata, mbase, dalin jashtë logjikës së kohës dhe përtej të gjithë kohërave, pikërisht se janë gjeni. Të gjithë historianët thonë se ai i fal, i ndëshkon, por nuk i asgjëson fizikisht tradhtarët. Dhe ai ishte në gjëndje të përhershme lufte. Nuk është e kohës një rrugë e tillë, por ja që ndodh. Ndodh që një Aleksandër i Madh pa i mbushur 30 vjeç pushton botën. Po të mos ta shpjegonim Skënderbeun ai do të ishte një mit, një rast i jashtëzakonshëm. Dhe një çudi, sado e bukur e mahnitëse të jetë, mbetet vetëm kaq, pa ndonjë vlerë të përgjithshme. Edhe prof. Rexhep Qosja vëren se ai si figurë përherë e ka një “pse”. Skënderbeu mit, Skënderbeu vision është pranuar, Skënderbeu real, historik duhet gjetur dhe njohur edhe më tej. Është tjetër që ç’kanë lënë mangut shkencëtarët e kanë plotësuar poetët. Është tjetër që poetët i kanë mëshuar më fort seç duhet anës morale në fjalë, por në tërësi figura e Skënderbeut historik përputhet me vizionin artistik të poetëve.

6. Një vizion themelor për shtetin

Nga të gjitha ç’u shkruan për Skënderbeun më e përhapura dhe ajo më me ndikim në kohë ka qenë Historia e Skënderbeut e Naimit. Vendi ishte në ethet e pavarësisë dhe një poemë e tillë erdhi kur duhej. Ai një jugor i këndon një veriori. Por për Naimin kjo as që përfillej dhe jo nga që ai e shikonte Shqipërinë nga një qendër kozmopolite, kryeqytet perandorie. Ai kishte një projekt: donte bashkimin e shqiptarëve, ecjen e tyre përpara drejt Perëndimit, andej nga, sipas tij, lindte dielli. Më mirë se kushdo këtë mund ta bënte ringjallja e një heroi si Skënderbeu. Një mysliman, në ato ditë të ardhjes së pavarësisë brohoret për mbretin e Shqipërisë, kthimin e tij si një mbret i krishterë. Jo vetëm ky, por gjithë poema është e mbushur me lavde për emra të ndritur të krishterësh si Moisi, Muzakë, Angjelinë, Perlat, Kaman, Gjon etj. dhe me mallkimet si egërsira të Azisë për emra myslimanësh otomanë a shqiptarë. Naimi me ato këngë e kthime heronjsh të krishterë gati sikur po kërkonte dhe kthimin te një fe e lashtë. Dhe një ide e tillë shpesh është diskutuar nga Konica e të tjerët.

Ajo çfarë mbeti me rëndësi themelore nga kjo punë e Naimit dhe e rilindasve të tjerë ishte projekti i tyre për fytyrën e Shqipërisë së ardhshme. Ky project qe më jetëgjatë dhe se veprat e tyre, mund të thuash. Elita shqiptare në kohën e shkëputjes së vendit nga Turqia e përcaktoi me dorë të sigurtë drejtimin europian të këtij shteti të ri. Mbi ndërtimin e këtij themeli, të imazhit të Skënderbeut, u mor shqiponja e tij për flamurin e shtetit të ardhshëm, flamur pa asnjë shenjë myslimanizmi, u morën shkronjat latine për alfabetin e gjuhës. Kjo ndikoi që dhe, më pas, mbreti Zog do ta shpallte atë hero kombëtar, do të pagëzonte me emrin e tij sheshin qendror të kryeqytetit, do të shpallte se shteti shqiptar nuk do të kishte fe zyrtare, medalja më e lartë e shtetit do të ishte me emrin e tij etj.

7.Vizioni i një Shqipërie të përjetshme

Periudha komuniste duke e zhveshur nga pak nga vizioni bazë rilindas e përdori Skënderbeun si mit të nacionalizmit shqiptar. U bë shumë për figurën e Skënderbeut, por jo pa i shpëtuar interpretimit me ngjyrat e ideologjisë së kohës. Propaganda dilte shpesh mbi përmbajtjen, mbi lëndën a frymëzimin. Ndonjë vepër me rëndësi si romani i Sabri Godos mbetet një vlerë në njohjen e ripërtritjen e imazhit mbi Skënderbeun. Skulpturat e O. Paskalit, sidomos busti i tij, me atë gërryerje aq të thatë të fytyrës së tij, prapë në frymë të shpje te një imazh ikonografik i tipit të Onufrit, te një sintezë e shënjtorit dhe luftëtarit.

Por pas modelimit të rilindasve të një Shqipërie me orientim europian, do të vijë Ismail Kadareja. Ai ka disa nga poezitë më të bukura për Skënderbeun. Por me mjete artistike të tjera, me gjuhën aq të pëlqyer të prozës së tij në mbarë botën, me romanet ai do të sintetizojë ç’kishte m të mirë bota shqiptare, fytyrën e veçantë të një qytetërimi, ato drita dhe fryte bukurie të vështirë që përmes shekujve u mbrujtën dhe u bënë të pathërrmueshme. Ngrehinën e ndritur të një Shqipërie në ëndrrën e saj evropiane, kthyer me dorë mjeshtri në fiksion artistik, ai do ta përçonte jashtë nesh. Ai krijoi vizionin e një Shqipërie të përjetshme, të tillë përpara shekujve që shkuan dhe atyre që vijnë, mbrujtur me motivet më rrënjore dhe universale të saj. Kjo sikur donte t’i bënte ballë asaj çfarë këtu po prishej e deformohej nën mitologjinë paranojake të një Shqipërie “të re” kundër gjithë botës. Pas Barletit, me Kadarenë përherë të dytë Shqipëria po shfaqte universalisht thellësitë e saj. Barleti na nxori në botë pa qenë ne, Rilindasit e rimorën Barletin për të na ribërë pas modelit të tij, proza e Kadares, në ato kohë kur mund të na merrte lumi, ngjizi imazhin tonë, për të na njohur me vetveten, por për të na bërë të njohur edhe para botës. Duhej nxjerrë thelbi i vërtetë i kësaj kulture, duhej një dëshmi për atë se cilët ishim. Këtë mision Kadareja shkrimtar e arriti, vepra e tij ende gjen përhapje botërore.

8. Një antivizion

Dua të rimarr dy ide të mësipërme: atë se duke njohur më mirë Skënderbeun kultura shqiptare ka qenë në rrugën e gjatë për të njohur veten dhe se figura e Skënderbeut duke mbetur një vision, është përherë e gjallë dhe lejon përtëritje të vazhdueshme.

Por Skënderbeu nuk është pa armiq. Në vitet ’70 kur në Tiranë do të vihej në skenë një opera mbi Skënderbeun, u dëgjua që një funksionar komunist tek tha: edhe kjo na duhej ne s’kemi ç’i bëjmë atij monumentit të tij që na është ngulur te sheshi, ky na bën edhe opera. Po, për disa Skënderbeu është ngulur dhe nuk e luan dot askush. Vetëm kaq. Nga ana tjetër, ka një grup me ngjyrime të dukshme islamike që janë kundër atij Skënderbeut që njohim. Në të vërtetë ky grupim jo se ka sjellë ndonjë gjë me vlerë në ato që thamë: në Skënderbeun e historianëve a të poetëve. Ata ngrenë ide në dukje interesante, por më shpesh e më shumë hedhin baltë mbi figurën e tij. Në kuadrin e çmitizimit komunist mund të duket e natyrshme që nga statuja e Skënderbeut të rrëzosh diçka nga allçia e propagandës komuniste. E vërteta e këtyre, po i quajmë islamikë, është se duan të rrëzojnë imazhin e Skënderbeut, vizionin e tij. Agresiviteti a zelli i rishtarëve të tillë, i ngjashëm me atë të komunistëve të kthyer në antikomunistë, gjithmonë nuk ka të bëjë me ndjenjat e besimtarëve shqiptarë, të cilët nuk folën atëhere kur u ngrit flamuri i tij, as atëhere kur mbreti Zog e vuri në qendër të kryeqytetit emrin e tij. Ku grup mbase do një Shqipëri me orientim nga Lindja. Një antivizion, një antiSkënderbe, Skënderbeun që nuk duhet t’u kundërvihej otomanëve, por të bashkëpunonte me ta. Dhe kjo gjen vend në trajtesa (siç!) shkencore ose në romanin e në tregimet e një shkrimtari. Megjithatë do të jetë e vështirë të rrëzosh një imazh që, edhe nga sa pamë më lart, ka jetuar kaq gjatë dhe është ngulitur kaq në thellësi ndër shqiptarët. Një imazh që është i aftë të rimerret dhe të japë frute e fara idesh dhe për kohët që vijnë. Sidoqoftë, nga gjithë sulmet ky është më i hidhuri dhe më i pabesi. Dhe vjen kur ne sapo dolëm nga një kohë nën të cilën po e humbnim atë esencën e vërtetë të imazhit Skënderbejan të Shqipërisë. Kur Skënderbeut po i zihej fryma me butaforinë e fryrë dhe boshe të imazhit komunist mbi të. Vijnë këto sulme në një kohë kur Shqipëria më shumë se kurrë ka nevojë për një imazh europian. R. Hollbruk dëshmon se stafi i atyre që morën vendimet më 1998-99 mbi rrjedhat e punëve në Kosovë, iu drejtuan vizionit evropian të elitave shqiptare rilindase, përfytyrimit të atyre burrave mbi fytyrën ardhshëme të Shqipërisë. Sot prapë kemi nevojë të momentit për Skënderbeun. Ai rilind dhe vjen. Ngrihet nga themelet tona. Sytë e mendjes sonë, duke ndjekur vizionin e tij, prekin në një të nesërme të përjetshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›