Rejes mendon për Realin
14/03/2005 Sulmuesi i Arsenalit, Hoze Antonio Rejes, vazhdon të mendojë akoma për Realin e Madridit. Rejes është shprehur se, nëse Arsenali do të binte dakord për transferimin në Madrid, atëherë ai do të vishte menjëherë fanelën e “galaktikëve”. Gjatë një interviste të dhënë për gazetën spanjolle “Marca”, me fjalët e tij ai i ka lënë më shumë vend spekullimeve mediatike, për një rikthim të mundshëm në Primera Divizion. Sulmuesi spanjoll 21-vjeçar është kthyer në Sevilje, për të qëndruar disa ditë pushim. Pikërisht aty, ai ka folur për gazetarët e “Marca”-s, duke zbuluar planet e tij për të ardhmen. “Sigurisht për mua do të ishte një nder, nëse Real Madrid do të interesohej për transferimin tim, ka thënë Rejes. Kushdo do të kishte dëshirë që të luante për një klub të madh, por për të bërë realitet këtë, duhet pyetur dikush tjetër. Janë trajneri dhe drejtuesit e klubit, të cilët duhen pyetur. Madridi duhet të fillojë bisedimet me Arsenalin”. Nuk është hera e parë që Rejes shfaq dëshirën e tij për t’u transferuar te Reali i Madridit. Ai ka ardhur në Premier Ligë, qysh prej vitit 2003, por përshtatja me Londrën ka qenë tepër e vështirë për ish-sulmuesin e Seviljes. Ky faktor apo oferta madrilene mund ta detyrojnë Rejes që të braktisë “Hajbëri Park”.