Kartoni i verdhë skualifikon Lalën
14/03/2005 Edhe pse ka qenë për më shumë se 90 minuta në fushë, mesfushori shqiptar, Altin Lala, nuk ka mundur të ndihmojë Hanoverin e tij, në shmangien e humbjes, në fushën e Volfsburgut. Rezultati përfundimtar i kësaj ndeshjeje ishte 1-0, në favor të kundërshtarëve, ndërkohë që Lala është ndëshkuar me një karton të verdhë. Përveç rezultatit negativ, shqiptari vuan tashmë edhe skualifikimin për një javë, pasi kartoni i verdhë, i marrë të shtunën kundër Volfsburgut, ishte i 5-ti për të. Tashmë, është e sigurtë që do të mungojë në ndeshjen e radhës. Bashkë me të, Hanoverit do t’i mungojë edhe mesfushori tjetër, De Guzman, edhe ky i skualifikuar për shkak të kartonit të verdhë, të marrë kundër Volfsburgut.