Çelsi "ngrin" Milanin
14/03/2005 Gjithmonë e më mister e ardhmja e Hernan Krespos, i cili akoma nuk e di nëse do të vazhdojë të luajë me Milanin, apo sezonin e ardhshëm do të kthehet te Çelsi. Milani do të dëshironte ta mbante, ndaj Galiani mund të jetë takuar dje me Roman Abramoviçin e Hoze Murinjon, të cilët kanë qenë me mision në Itali. Mjafton prania e tyre në Milano, që të “shpërthejnë” zërat e zakonshëm të merkatos. Megjithatë, trajneri i Çelsit, që së bashku me pronarin e klubit ka ndjekur Lacio- Inter të shtunën dhe Milan- Sampdoria dje, ka shpjeguar shkaqet e vizitës së tyre në Itali: “Jemi këtu sepse mund të përballemi me Milanin apo Interin në turin e ardhshëm të Ligës së Kampineve. Nuk kemi shumë kohë që të studiojmë, ndaj kam ardhur t’i shoh drejtpërdrejt, por edhe për të vëzhguar Veron, i cili na përket ne”. Murinjo mohon një interesim për Adrianon: “Të gjithë e njohin fuqinë ekonomike të Abramoviçit dhe shpesh na lidhin me emra të mëdhenj si Adriano, por ne kemi disa sulmues shumë të mirë dhe nuk kemi nevojë për të tjerë”. Çështja ndryshon kur bëhet fjalë për Hernan Krespon, i cili është me qera te Milani deri në fund të sezonit. Argjentinasi po paraqitet mirë dhe u ka pëlqyer drejtuesve kuqezinj, të cilët duan ta mbajnë edhe për sezonin e ardhshëm, por Murinjo lë të kuptojë se e dëshiron sulmuesin pësëri te Çelsi: “Krespo është i joni dhe jemi të kënaqur për atë që po bën këtë sezon. Është një gjë e mirë për Milanin, por edhe për ne, sepse do të më pëlqente që Krespo të rikthehej në Angli në fund të sezonit”. Ndërkaq, sot drejtuesit e Çelsit do të takohen me Adriano Galianin: do të jetë vetëm hapi i parë i një tratative të gjatë dhe delikate. Vetë Galiani, në prag të ndeshjes së djeshme kundër Sampdorias, bëri të ditur strategjitë e merkatos së Milanit: “Xhilardino është i Parmës dhe nuk më rezulton që të jetë shitur te ndonjë skuadër. Krespo? Kemi marrëdhënie shumë të mira me Abramoviçin, të shohim në fund të sezonit. Sidoqoftë, sezonin e ardhshëm do të kemi përsëri 4 sulmues, si këtë sezon”.