E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antibiotikët, Shqipëria e para në Europë për përdorimin e tepruar

SHKRUAN: Jonida Tashi 20-11-2011 11:50

Ministri Vasili u bën apel qytetarëve: Mos i merrni vetë në farmaci, pa recetën e mjekut

Përdorimi i tepruar i ilaçeve e ka renditur vendin tonë të parin në Europë si konsumues në masë i antibiotikëve. Ky përfundim është nxjerrë nga një studim i Bankës Botërore, i cili ka vënë në alarm strukturat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe autoritetet përkatëse shëndetësore. Për këtë arsye, OBSH ka nisur një fushate sensibilizuese për uljen e përdorimit të ilaçeve, pasi është vënë re që trupi i njeriut ka rritur rezistencën ndaj antibiotikëve, duke krijuar kështu imunitet të baktereve. Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë, duke pasur vështirësi edhe në identifikimin e dhënies së ilaçeve pa recetë mjekësore, u bën thirrje qytetarëve që të mos përdorin antibiotikë pa konsultën e mjekut. Apeli është dhënë nga vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në Ditën Ndërkombëtare të Rezistencës ndaj Antibiotikëve, i cili ka kërkuar nga mjekët që të “shtrëngojnë” dorën kur lëshojnë recetat me antibiotikë edhe në rastet kur nuk janë të nevojshëm, ndërsa farmacistët të mos i japin pa recetën e mjekut. “Ne jemi këtu për t’i drejtuar një thirrje të hapur, jo vetëm klasës mjekësore, e cila është më e informuar, por dhe publikut të gjerë, që jo në pak raste zgjedh të përdorë vetë antibiotikët në mënyrë të gabuar. Do të doja të tërhiqja dhe vëmendjen e farmacistëve, të cilët nuk duhet të përshkruajnë antibiotikë pa recetën e mjekut. Çdo antibiotik i marrë, qoftë ai që duket më i zakonshmi, qoftë ai që ka një shkallë komplikueshmërie më të lartë, duhet të përdoret vetëm me këshillën e mjekut. Arsyeja është një dhe vetëm një, rezistenca ndaj antibiotikëve është gjithnjë dhe më e lartë, ndërkohë që mundësitë e shkencës botërore për të prodhuar antibiotikë janë gjithnjë dhe më të pakta”, - u shpreh ministri Vasili. Tashmë në vendin tonë është bërë shumë i përhapur fenomeni kur edhe për një grip të thjeshtë apo pak kollë, qytetarët konsultohen me farmacistin dhe marrin antibiotikë edhe kur nuk është nevojshme, pa menduar për pasojat që shkaktohen në organizëm. Por, sipas mjekëve, marrja pa kriter e antibiotikëve krijon rezistencë të mikrobeve ndaj tyre, çka ndikon në rritjen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë. Rezistenca ndaj antibiotikëve është problem serioz në rritje i shëndetit publik në Europë. Shfaqja e baktereve rezistente ndaj antibiotikëve është bërë përditshmëri në shumë spitale të Europës, duke rritur sëmundshmërinë, vdekshërinë dhe kohën e qëndrimit në spital. Ndaj, këtë vit, fushata me rastin e Ditës Europiane të Ndërgjegjësimit për Antibiotikët përqendrohet në bashkëpunimin me mjekët në spitale, komitetet farmaceutike, menaxherë dhe farmacistë, për të pakësuar përdorimin e padobishëm të antibiotikëve në spitale.

“Pika e vetme e pazëvendësueshme për përdorimin e antibiotikëve është vetëm mjeku. Ata njohin dhe kanë të stabilizuar në protokolle përkatëse sesi duhet të përdoret antibiotiku. Antibiotikët nuk janë preparate të zakonta dhe nuk duhet të përdoren si të tilla.”

Antibiotikët janë substanca që shkatërrojnë ose pengojnë rritjen e baktereve në organizëm. Rezistenca ndaj antibiotikëve është aftësia e mikrobeve për të përballuar veprimin e tij. Duke mos dhënë efektin e duhur, antibiotikët e marrë pa kriter bëjnë që bakteret të shumëzohen dhe të zgjatin sëmundjen. Në mjekimin e infeksioneve me baktere rezistente mjekët detyrohen të përzgjedhin antibiotikë më të fortë, që kanë dhe më shumë efekte anësore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›