E Diel, 1 Nëntor 2026

Santixis: Shqetësimi i Kryeministrit i drejtë, po ulim komisionet

Krejt ndryshe është reagimi i “Tirana Bank”, nga reagimi i Shoqatës së Bankave dhe Guvernatorit. Drejtori i Përgjithshëm i “Tirana Bank”, Dimistris Santixis, është shprehur dje se, Banka e tij ka marrë në konsideratë shqetësimin e Kryeministrit dhe është duke ulur tarifat e shërbimeve bankare, nga 20-40 për qind. “Kur flet Kryeministri i vendit dhe për më tepër kur shpreh një shqetësim, ai duhet marrë seriozisht”, tha Santixis. Ai tha se, menjëherë pas shqetësimit të Kryeministrit për tarifat e larta, “Tirana Bank” ka marrë në rivlerësim të gjithë strukturën e komisioneve duke bërë edhe uljet përkatëse. Duke sqaruar këtë situatë, Drejtori i “Tirana Bank” është përfshirë edhe në një “konflikt” me shoqatën e Bankave, duke u shprehur se, nuk është duke përfaqësuar interesat e vërteta të bankave. Ai tha se, komisionet bankare nuk zënë një peshë të madhe në të ardhurat, dhe për rrjedhojë nuk janë shqetësimi më i madh i bankave në aktivitetin e tyre. Ai tha se, Shoqata e Bankave në vend që të merret me problemet reale të bankave, merret me gjëra jo aq të rëndësishme. “Nga ana tjetër, ne nuk mund të flasim për komisionet e bankave të tjera, pasi secila prej tyre ka politikat e veta”, shtoi ai. “Gjithsesi, ne në “Tirana Bank” i kemi rishikuar strukturat për komisionet e disa produkteve dhe i kemi bërë reduktimet. Mund të them që bankat duhen gjykuar në mënyrë të pavarur në këtë drejtim, por dhe në pika të tjera”, është shprehur, Santixis. Bankat asistojnë në rritjen e një vendi, nëpërmjet një shpërndarjeje të kujdesshme të burimeve. “Në ‘Tirana Bank’, ne e ndjejmë që jemi pjesë e këtij vendi, ne përkujdesemi dhe do të mbështesim çdo projekt të mirë që na vjen nga biznesmenë të besueshëm. Ne kemi të gjithë fuqinë dhe burimet për të vlerësuar me korrektesë, duke iu siguruar fonde për bizneset e duhura dhe individët” – shtoi ai.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›