E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antidroga me “Emigrantin” dërgon në qeli dy persona

Operacion i policisë vë në pranga Artan Llurin dhe Edmond Stefanin. Posedonin 324,3 gramë lëndë narkotike të dyshuar si kokainë

Luan Kondi

TIRANË – Policisë i kanë mjaftuar vetëm dy muaj përgjime për të arritur në zbulimin e një rrjeti trafiku të lëndëve narkotike. Pasi ka mundur të identifikojë poseduesit e një sasie pluhuri të dyshuar kokainë, uniformat blu kanë organizuar operacionin e koduar “Emigranti”, i cili është finalizuar me arrestimin në flagrancë të dy personave. Burime policore thanë për gazetën se Artan Lluri 40 vjeç dhe Edmond Stefani 31 vjeç, të dy nga Tirana, u prangosën pranë Fakultetit të Drejtësisë gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të mërkurës, pasi dyshohet të jenë poseduesit e 324 gramëve kokainë.
Operacioni
Finalizimi i vëzhgimeve policore u bë dy ditë më parë kur agjentët antidrogë njoftonin se ishte çasti i duhur për organizimin e një operacioni blic për të vënë në pranga dy trafikantë. Policia ka zbarkuar në afërsi të Fakultetit të Drejtësisë dhe pas një kontrolli të shpejtë ka marrë me pranga dy personat duke mos iu dhënë atyre asnjë mundësi largimi. Për të arritur deri këtu policia kishte përdorur më shumë se dy muaj vëzhgime dhe metoda speciale të hetimit, kryesisht përgjimin e bisedave telefonike. Në bazë të të dhënave specialistët Antidrogës së Tiranës arritën në konkluzionin se Artan Lluri e kishte transportuar lëndën narkotike kokainë që jashtë Shqipërisë me qëllim shitjen në Tiranë, që do ta realizonte me Edmond Stefanin.
Sekuestrimi
Dy të arrestuarve u është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, krahas sasisë prej 324.3 gramësh lëndë e dyshuar kokainë, dy peshore elektronike, tre pasaporta në emër të shtetasit Artan Lluri, dy prej të cilave shqiptare dhe një pasaportë bullgare), 155 000 euro, 10 800 dollarë, 92 000 lekë, një automjet “Benz Mercedes” në pronësi të shtetasit Artan Lluri dhe dy aparate celularë. Specialistët e seksionit të Luftës Kundër Drogës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po punojnë për zbardhjen e plotë të këtij rrjeti trafiku, zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në të, si dhe të aseteve të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Ndërkohë, materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Tiranës për procedime të mëtejshme për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›