E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohet vjedhësi i pasqyrave të automjeteve të luksit



Tiranë - Specialistët e seksionit të Luftës Kundër Vjedhjeve të Tjera realizuan dje identifikimin dhe më pas kapjen e shtetasit Ponos Lako, 31 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se rreth një muaj më parë ka realizuar vjedhjen në afërsi të bllokut të pallateve “Gintash” në Laprakë, të dy pasqyrave të automjeteve tip “Benz”. Dyshohet se 31-vjeçari është edhe autori i disa vjedhjeve të tjera në kryeqytet kryesisht të pjesëve të makinave të luksit. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit të Procedurës Penale.

“Gërdeci”, Prokuroria nis shqyrtimin e dosjes për vlerësimin e dëmeve

TIRANË - Parregullsitë e pretenduara gjatë procesit të vlerësimit të dëmeve për subjektet e dëmtuara nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit në Gërdec, në fabrikën që çmontonte municione luftarake, janë bërë objekt hetimi për prokurorinë e Tiranës. Burime nga prokuroria konfirmuan dje fillimin e hetimeve për këtë çështje nga një grup pune i përbërë nga hetues dhe dy prokurorë. Sipas këtyre burimeve, grupi hetimor ka marrë në shqyrtim materialin denoncues të referuar nga strukturat e policisë së Tiranës, ku pretendohet se disa ekspertë të Komisionit të Vlerësimit të Dëmeve, kanë abuzuar me llogaritjen e vlerës financiare të dëmit.

Policia greke arreston 19 persona për trafik klandestinësh

GREQI – Policia greke ka vënë në pranga një rrjet të trafikut të qenieve njerëzore. Mediat greke kanë raportuar se policia e vendit të tyre ka finalizuar një aksion për procedimin penal të 19 personave, dhjetë grekë, ndër të cilët dy policë dhe tre roje kufitare, si dhe nëntë shqiptarë po ndiqen penalisht për pjesëmarrje në një rrjet trafikantësh klandestinë në Janinë. Madje edhe policia greke ka dalë me njoftimin se “Prokuroria e qytetit të Janinës, 60 kilometra larg kufirit greko-shqiptar nisi ndjekjen penale për një grupi të strukturuar kriminal që ka për qëllim vjedhjen dhe lehtësimin e hyrjes në Greqi të shtetasve të vendeve të tjera. Disa prej tyre u arrestuan, të tjerë janë ende në kërkim”. Në përfundim të një hetimi prej disa muajsh, policët vlerësojnë se trafikantët kanë përdorur të paktën 15 vetura të vjedhura dhe kanë kryer dhjetë transferta kolektive klandestinësh mes Shqipërisë dhe Greqisë me çmimin prej 1.500 - 2.000 euro për çdo emigrant. Rojet kufitare dhe policët ishin paguar nga ana e tyre me 300 dhe 800 euro për çdo klandestin të futur.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›