E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtimi i gazit të lëngshëm, IQT e konsideron rrezik serioz



Tregtimi i gazit të lëngshëm në vend konsiderohet si tepër i rrezikshëm kur bëhet fjalë për standardet dhe kushtet në të cilat mbushet dhe shitet ai. Ashtu si çdo lloj produkti tjetër konsumi, vetëm në vendin tonë këtë produkt e gjen të tregtohet edhe në dyqanet ushqimore, apo dhe njësitë që nuk janë të specializuara për mbushjen e tij. Nisur nga kjo, rreth 80 pika të shitjes me pakicë të gazit të lëngshëm, 23 prej të cilave në kryeqytet, morën ditët e fundit një letër nga Inspektorati Qendror Teknik, ku paralajmëroheshin për bllokimin e aktivitetit të tyre. Bëhet fjalë për pika të furnizimit me gaz të lëngshëm të cilat punojnë në kushte fare primitive të sigurisë teknike. Mbushja dhe shitja e bombolave të gazit në ambiente të pasigurta dhe në një kohë kur temperaturat janë të larta akoma nuk po ndërgjegjëson subjektet tregtuese, mbi rrezikshmërinë që ato përcjellin për qytetarët. Vendimi për mbylljen e tyre është marrë pas kontrollit të ushtruar nga inspektorët, ku ka rezultuar se gazi i lëngshëm shitej në mungesë së kushteve të sigurisë. Pikat e rrezikshme të shitjes së gazit të lëngshëm janë të ngritura në qytetet kryesore të vendit, ku 23 prej tyre funksionojnë në Tiranë, 28 subjekte tregtuese në Vlorë, 22 subjekte në Fier dhe 15 subjekte në Elbasan. Po ashtu shqetësimi mbi kontrollin e këtij tregu është ngritur dhe nga presidenti i republikës Bamir Topi, ku një letër që ai i ka dërguar Inspektoratit Qendror Teknik ka kërkuar të merren masa për kontrollin e situatës të shitjes së gazit të lëngshëm dhe karburanteve. Po nga ana tjetër inspektorët kanë identifikuar se bombolat e gazit shiten edhe në dyqanet e produkteve ushqimore, të cilët përbëjnë rrezik për konsumatorët. Kryetari i Inspektoratit Teknik, Ilir Kurti, ka thënë lidhur me këtë çështje se, kontrolli në subjektet e shitjes së gazit ka nisur prej disa muajsh. Sipas tij, nga mbikëqyrja e tregut ka rezultuar se deri tani janë rreth 80 pika të mbushjes dhe shitjes së gazit në vend të cilat është provuar se paraqesin rrezik. Legjislacioni shqiptar parashikon që vetë tregtuesi duhet të jetë në dijeni të rrezikut që mbart shitja e produkteve të tyre dhe të vërë në dijeni organet kontrolluese, në mënyrë që këta të fundit të shmangin rreziqet. Rast konkret i papërgjegjshmërisë së vetë tregtuesve është shpërthimi i një bombole gazi të ndodhur pak ditë më parë në një dyqan ushqimor në qytetin e Vlorës. Sipas kryetarit të Inspektoratit, Ilir Kurti, aksidenti ishte pasojë e aktivitetit të paligjshëm, pasi ndalohet me ligj mbushja e bombolave në dyqane. “Kur prodhuesit dhe shpërndarësit dinë në bazës të nivelit profesional se një produkt për konsumatorin që nuk është në përputhje me kërkesat e sigurisë së përgjithshme dhe paraqet rrezik për konsumatorët, ata venë në dijeni menjëherë strukturat përgjegjëse të mbikëqyrjes së tregut”, - thuhet shprehimisht në nenin 6 të ligjit. Sakaq, nga ana e Inspektoratit është vënë në dispozicion për denoncimet e vetë konsumatorëve një numër jeshil pa pagesë ku ata mund të informojnë për ato raste kur në pikat e shitjes së gazit kanë pasur probleme. Në ato raste kur ankesat e konsumatorëve janë të vërteta inspektorët kontrollojnë brenda një ore pikën e karburantit dhe në rast se vërtetohen abuzime, atëherë kjo pikë shitje me pakicë gazi sekuestrohet apo vendosen gjoba.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›